DYLON

Rikthimi në identitet

Avatar photo Redaksia

Rreth romanit  “Jeniçeri i fundit “ të Jusuf  Buxhovit

Nexhat Rexha

EkoHigjiena

(2LONLINE) –  Angazhimet  në proceset jetësore krijojnë  faqe nga më të ndryshmet si në përvijimin  e të ndodhurave, të cilat  më shumë  kanë krijuar  absurdin në zbardhjen e  pamjeve kohore. Nëpër këto faqe  komplekse  me intuitën prej njeriut të përvojës e hulumtimit vjen edhe romani i Jusuf Buxhovit “Jeniçeri i fundit”. Trajtimi i temës historike në roman shpalos rrënjë të dridhjeve të mëdha nëpër  periudha nga më të ndryshmet.  Enigmat  e gjakut dhe ngjyra e tij  për fatin e njeriut tonë  kanë kaluar nëpër shtylla të lëkundura ,gjatë proceseve historike,  këto lëkundje e dridhje kanë edhe anët e errëta të tyre.

Këtë eklips të rrugëtimit nëpër shekuj  autori e ka  transmetuar nëpër faqet e këtij romani në kërkim  të zbardhjes së karaktereve vrojtuese për të ngritur ndërdijen e  etnisë. Këto  bredhje  i kanë edhe  tiparet  e veçantitë e botës shpirtërore të  karakterit ëndërrues nëpër diktatet e kohëve.

Në këto pika sa identifikuese, po aq edhe  domethënëse janë ruajtur  tiparet dalluese me elemente tradicionale të  botës shpirtërore. Nëpër  këtë rrugëtim lodhjet kanë krijuar terrenin hermetik,  sepse  rendet e  reja  sunduese te popujt e njohur,që kishin luajtur rol  në periudha të hershme janë mbikëqyrur me dioptrinë e karremit. Këtyre  ndryshimeve  prej njërit besim në tjetrin, për një gjysmë shekulli e me tepër kanë krijuar  kthime në  frymëzim   për rende të reja  shoqërore. Duke komunikuar në  këto përballje protagonistët e këtij romani vijnë me diskursin e komunikimit  gjenealogjik, si zëvendësim i  fjalës me doktrinë  të ndryshueshme, por edhe si ruajtës të traditës burimore.

Kontinuiteti në etimologji ka  brumosje të kapshme,sepse në të është ruajtur porosia e Amës, Atit edhe tek jeniçeri për vite të tëra, si.:(Gur-Guri,Guri i Nanës, dhe Guri i Dheut) ,kurse  Gjarpri i Shtëpisë dhe Gjarpri  Pemës , ose Gjarpi i Qiellit janë  testamente , relikte mitologjike që kanë  lidhje të hershme në kulturën tonë. Lëkura e gjarprit të shtëpisë  dhe të ndodhurat në jetën tonë janë elemente të  ndieshme të personifikimit në gojëdhënat  tona gjatë shekujve, të cilat kanë arritur të ruajnë fshehtësinë brenda shtëpisë sonë.

Luftërat gjatë shekujve kanë krijuar Rendin e Ri Ushtarak,e këto rende pastaj kanë  depërtuar në mënyra të ndryshme tek popujt që janë pushtuar. Në këto situta kohore janë zgjedhur format e veprimit për të vendosur e depërtuar edhe besime e  bestytni të reja,sepse  në periudhat  e ndërrimit të dijeve ,janë ndërruar edhe pikëpamjet e besimeve,sepse planet djallëzore kanë krijuar situata në prishjen  e  përgjithshme të një realiteti ekzistues në realitetin  afirmativë,vetëm nga ikja e një sunduesi tek tjetri.

Konceptimi në fijet e këputura ka shtrirje të gjëra në shtjellimin e problematikës së shtruar, ato vijnë  si rezultat e njohjeve të thella të autorit nga fusha  të ndryshme të së  kaluarës. Parashtrimi në ngjarje ngërthen në vete pjesë nga shumë ide e orientime për të orientuar lexuesin se disa pika informuese ato nuk japin vetëm informacione, por ato kanë pikëqëndrim  kanalizues për të rikthyer mendjen  dhe dijen në  procese si diktate dhe si rrjedhojë e platformave politike, të cilat kanë qenë busull  e drejtimeve  në qëllime të caktuara.

Në këto kode të kohërave   nuk kanë mundur të depërtojnë shumë popuj të botës, e këtë fat jo të mirë e ka përjetuar edhe populli ynë,sepse  shumë procese janë lidhur me orientime  të huazuara, që kanë bartur me vete edhe misionar nga vende të largëta:  ” Dyshohet se ata nuk  flisnin as gjuhën tonë,por një të ngjashme me atë të vendeve të moskovit!
“Po na ngatërrohen hesapet nga brenda….”
Ato që thanë Sheh Dyli dhe Sheh Alia m`u  lidhën si gur për qafe, ngaqë  edhe Baba Bektashi i ndritur kishte zënë ngojë mundësinë e futjes në radhët tona të moskovitëve me anën e disa klerikëve të dyshimtë, që vinin nga popuj të Kaukazit dhe të Krimesë(tatarë,çerkezë,kozakë,ullukë e të tjerë,… të kenë dorë edhe disa shërbime të fshehta të Perandorisë, të njohura për bashkëpunimin me  Sinodin e shenjtë,…” fq.134,

Si  pjesëmarrja në luftërat turke dhe bërja e radhitjes së jeniçerve në këto procese, të cilat në shumë raste kanë  lejuar avancime brenda rrethit te tyre. Ndërkaq, programi  finalizues  është dirigjuar dhe realizuar në mënyrë shumë profesionale. Këto diktate kanë ndodhur në shumë procese historike, mirëpo Jusuf Buxhovi në këtë vepër dhe në disa të tjera ka depërtuar në deshifrimin e këtyre kodeve të veçanta për shqiptarët.

Në këtë  vorbull të kohëve vijnë edhe kombinimet e dijeve të Vjetra dhe Dijeve të Reja. Në letërsinë tonë në përgjithësi njohja e Bektashizmit është njohur vetëm në pika të shkurta. Në roman autori mjaft bukur  ka shfaqur e ndriçuar ardhjen e kësaj doktrine fetare në trevat tona,por në këtë vepër ajo ka topografinë e vet të lokalizuar, e cila  ka shtrirje  në një trevë ku autori ka jetuar edhe me këto elemente të zhvillimit të saj. Lindja e teqeve në këtë trevë  ka edhe misionarët e vetë, të cilët në shumë raste kanë dhënë shfaqje të dukshme  në orientimin e popullatës. Mirëpo,  fatkeqësitë kanë ardhur në momentet  e ndërlikuara ,duke asgjësuar njeriun e  dijes për një mision  vendor. Këto misione  në të  dy rastet kanë protagonistë vendor,sepse shpata e të huajit ka depërtuar në  dorën e njeriut  tonë deri në thellësi . Kështu ,edhe misteret nuk janë qartësuar,apo nuk kanë mundur të qartësohen ,duke krijuar edhe bestytni në shumë raste, duke dhënë edhe parafytyrimin e misterit, se ndoshta  fuqia ka ardhur nga perëndia  qiellore.

Në romanin “Jeniçeri i fundit” protagonisti Jeniçeri shqiptar tani pas një përvoje të gjatë nëpër luftërat turke, kthehet në atdhe dhe ai kudo  që ishte, në jetë e ka mbajtur të gjallë kujtesën dhe  fjalët e prindërve. Këto kujtime dhe shumë të tjera nga treva nga ishte ai si: Dukagjini e Bjeshkët e Nemuna janë jo vetëm pika mbështetëse të tij për vendlindjen, por njëherit  janë edhe pika referuese të autorit sa i përket vendosjes së ngjarjeve në trollin e Kosovës. Pikat referuese të protagonistëve të romanit janë të shpërndara në dukje të parë,mirëpo ato në pikëpamje filozofike  harmonizojnë idenë e shtjellimit të ngjarjeve fabulare dhe në një trajtë tjetër japin ndriçim,sepse ato reflektojnë nëpër udhëkryqet e njerëzimit . Pra edhe kjo periudhë historike i ka lënë pasojat e veta gjatë këtij sundimi shekullor. E sa vështirë dilet nga kjo situatë e sundimit. Lexuesi mund të kuptojë vetëm përmes kryeprotagonistit të romanit “ Jeniçeri i fundit” , e cili është kryeprotagonisti i këtij romani, lexuesi prapë duhet të pyes veten, se pse ai është kudo  pse më shumë duket hija  e tij dhe bota e brendshme që ka dy porosi nga prindërit, e kjo ka rrjedhën nga faqja e parë e deri tek faqja e fundit,duke aluduar në ruajtjen  mitike të Konstantinit se  besa  është duke bashkëjetuar në Jeniçerin e fundit.

Prekja  apo shenjimi i disa ngjarjeve në të kaluarën si nga kultura e luftërat tona dhe ato të përbotshme  janë hallka që ndërlidhin ngjarjet në roman dhe i japin  shenjat sinjalizuese për lexuesin e vëmendshëm se këto procese i kanë rrënjët shumë më të thella se në dukje të parë. Këto depërtime vrojtuese  nuk janë dhënë vetëm për të kaluarën e ndodhur, por mesazhi i tyre  vjen e dikton të  djeshmen e afërt, të sotmen dhe të ardhmen  tonë që vazhdimisht është duke trokitur jo në derën tonë po më shumë në dritaren  e atdheut tonë.

Romani “Jeniçeri i fundit” i Jusuf Buxhovit kërkon njohje më të thella të shenjimit të disa ngjarjeve sa mitike  e sa reale , për të kuptuar mezashin dhe veprimet e të ndoshurave nëpër rrjedhat historike të etnikumit tonë. Sepse:  Dijet e Vjetra,Dijet e Reja, Vragjet e Rumit, Pellazgjia, Perandoria Dardane,  profetet hazreti Musai,hazreti Ibrahimi ,Jezusi apo hazreti Isai, Biblioteka e Aleksandrisë. Pastaj luftërat dhe lëvizjet e Ali Pashë Tepelenes, Kara Bushatit e tj.si :   Kështjella e Damastionit, Kështjella e Hijes, Kështjella e Drilonit, Kështjella e Pasqyrave, numri shtatë ,pastaj,  vdekja e piktorit Gropan Muzaka  si dhe Juria e Hijeve , nuk janë vetëm identifikim, por më shumë saktësojnë realen  e të ndodhurave  jetësore.

Rikthimi në identitet ka për qëllim  rikthimin, por a e kemi identitenin gjeografik dhe atë kulturor, që duhet ta kemi, apo nuk jemi në rrugën e gjetjes, apo ndoshta duhet të ruajmë këtë që e kemi sot. Këto dhe parashtrime e të tjera karakterizojnë tërësinë e këtij romani historik,me perisiatje sa filozofike, po aq edhe angazhuese për letërsinë  moderne shqiptare. Romani në shtjellimin  e  brendshëm  ka formësimin unikat, sepse funksionalizimi  dhe dimensionalteti i dhënë kanë qartësinë e komunikimit për lexuesin e vëmendshëm. Në galerinë e dukshme dhe të pa dukshme Jusuf Buxhovi e shpalosë të djeshmen ,për të ruajtur dhe kultivuar pasurinë mendore që ekziston brenda atdheut  tonë të shkapërderdhur në ide e koncepte, që në shumë raste e damkosin etninë tonë, kurse vijat në hartën botërore ku atdheu ynë duket se nuk e ka shkëlqimin që duhet ta ketë nëpër  proceset e rendit botëror.

Pra, romani “ Jeniçeri i fundit” i Jusuf Buxhovit, konsideroj se radhitet ndër romanet më të konsoliduara në letërsinë e sotme shqiptare, si në aspektin leksikor e në fjalëformimin gjuhësor dhe në tërësinë e tij  krijon faqe konsolidimi në identitetin tonë kombëtar e artistik. /2lonline/