Rregullorja për varreza, e cila ishte proceduar muajin e kaluar në Kuvendin Komunal të Gjilanit, për miratim, bashkë me dy rregullore të tjera, është kthyer në një ridiskutim të dytë, për t`iu dhënë mundësi sa më shumë qytetarëve, komuniteteve fetare, shoqatave të luftës dhe shoqërisë civile, që të deklarohen rreth shërbimeve të varrimit dhe veçmas lokacionit ku duhet të prehen familjarët e dëshmorëve dhe heronjve, personat e nderuar me tituj “Qytetar nderi” si dhe personalitete të tjera të merituara.
Përfaqësuesit e Zyrës Ligjore, Hevzi Matoshi e Tringa Ahmeti u shprehën të pakënaqur me pjesëmarrjen në këtë dëgjim publik, edhe pse ishte kërkuar ripërsëritja e tij, për t`iu dhënë mundësi sa më shumë qytetarëve, subjekteve fetare e politike, shoqatave të luftës si dhe shoqërisë civile, për t`i paraqitur mendimet e tyre.
Matoshi ka sqaruar se ndryshimet e propozuara kanë të bëjnë me klasifikimin e varrezave, të cilat ndahen në varreza të përgjithshme (publike) dhe varreza të veçanta, ku përfshihen edhe varrezat e heronjve dhe dëshmorëve.
Në debatin e kaluar, mjaft diskutime ka pasur sa i përket vendit të prehjes së familjarëve të dëshmorëve dhe heronjve. Mendimet e pjesëmarrësve kanë qenë të ndryshme. Në këtë pikë u përqendrua edhe debati i sotëm.
Riza Abdyli (PDK) tha se pikë së pari, Komuna e Gjilanit ka nevojë për një lokacion të ri për varrezat e qytetit, një problem ky që po zgjat tash e disa vite, ndërsa zgjidhjet e deritashme kanë qenë të pjesshme. Sipas tij, brenda kësaj hapësire të re, duhet të ndahet një vend i caktuar për varreza të veçanta, ku mund të prehen familjarët e dëshmorëve ose personat tjerë të merituar.
Abdyli ka thënë se në varrezat e dëshmorëve nuk duhet të varroset askush tjetër, pos dëshmorëve.
Edhe Agim Hyseni, përfaqësues i Këshillit të Bashkësisë Islame, ka thënë se nevojë urgjente për Komunën e Gjilanit është caktimi i një lokacioni të ri për varreza, ndërkaq sa i përket orarit të varrimit, ai është pajtuar që të mbetet ashtu siç ka qenë në rregulloren e vjetër, gjatë kohës së verës prej orës 8:00 deri në ora 20:00, ndërsa gjatë kohës dimërore, prej orës 8:00 deri në orën 18, më së voni.
Hevzi Matoshi ka thënë se të gjitha vërejtjet dhe sugjerimet nga dëgjimi publik, do të merren parasysh, duke nënvizuar faktin se ndryshimet e propozuara kanë përfshirjen brenda kësaj rregulloreje edhe të varrezave të dëshmorëve dhe heronjve dhe përkujdesjen për këtë lokacion.
Në këtë dëgjim publik kanë kontribuar me pyetje e sugjerime edhe Arianit Sadiku (LVV) e Mefail Junuzi (Nisma), përndryshe anëtarë të Kuvendit Komunal.