Riakreditohet Fakulteti Juridik në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Programi i Përgjithshëm
Fakulteti Juridik në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan është riakredituar për Programin e Përgjithshëm.
Në afatin e shtatorit do të hapet mundësia për pranimin e 100 studentëve të rinj.
Lajmin e ka bërë të ditur Dekanja e Fakultetit Juridik, Prof. Asoc. Dr. Fatmire Krasniqi.
“Sot shënojmë një arritje të rëndësishme për Fakultetin Juridik. Me shumë krenari ndaj me ju lajmin se Fakulteti Juridik – Programi i Përgjithshëm, 240 ECTS, është riakredituar me sukses. Pas një rrugëtimi të gjatë e mjaft sfidues, përballë pengesave të brendshme e të jashtme si dhe procesit të ndjekur edhe në organet e drejtësisë, ky rezultat dëshmon përkushtimin si dhe angazhimin profesional dhe të ndershëm, gjithnjë në mbrojtje të cilësisë akademike dhe interesit institucional”, është shprehur Dekanja Krasniqi.
Ajo shprehu mirënjohje të thellë për të gjithë ata që i besuan punës së saj dhe kontribuan në këtë rrugëtim.
“Falënderime të veçanta për stafin akademik, studentët, alumni-t, partnerët institucionalë, ekspertët ndërkombëtarë si dhe AKA-në për bashkëpunimin dhe profesionalizmin e treguar. Ky nuk është vetëm një riakreditim programi, por është një dëshmi e qartë se puna e pastër, integriteti dhe këmbëngulja, pavarësisht pengesave, sjellin rezultat. Studentëve të ardhshëm u dëshiroj shumë suksese”, ka thënë Dekanja e Fakultetit Juridik, Prof. Asoc. Dr. Fatmire Krasniqi. /2LONLINE/
Lajm i mirë për të gjithë maturantët dhe të interesuarit për studime juridike! /2LONLINE/
