/2L ONLINE/ – Pas kritikave të Riad Rashitit, anëtarit të Kuvendit Komunal nga radhët e PDK-së, lidhur me pjesëmarrjen e komunës së Gjilanit në panairin ndërkombëtar “Investment Management Exhibition” në Cyrih të Zvicrës dhe marrja e çmimit “The best City Model Award”, ku ai e kishte vlerësuar vetëm si një avancim i mashtrimeve “Maestro” të cilat Lutfi Haziri po arrin t’i bëjë, ka ardhur reagimi nga Ismail Januzit, drejtor i Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik në Komunën e Gjilanit
Paraprakisht lexo reagimin e Riad Rashitit.
Rashiti: “Maestro” mashtrimet e Lutës
Ja reagimi i plotë Ismail Januzit, Drejtorit të Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik në Komunën e Gjilanit.
“Sa për informimin e qytetarëve, e më pak të Riadit, Komuna e Gjilanit qysh nga Tetori i vitit 2014 ka filluar përgatitjet dhe është kontraktuar pjesëmarrja e Komunës së Gjilanit në Panairin Ndërkombëtar “Investment Management Exhibition” në Zurich. Komuna e Gjilanit me përkushtim të plotë menjëherë pas kontraktimit të pjesëmarrjes është angazhuar fuqishëm që të ndërtojë konceptin e promovimit të projekteve, që ka qenë si kërkesë edhe e panairit, projetet e Partneritetit Publiko Privat, Pronës komerciale dhe në fushën e Energjisë dhe të Minierave.
Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik së bashku me Zyrën e Promovimeve të Investimeve qysh nga themelimi i kësaj të fundit ka filluar me hulumtimin e promovimeve potenciale të Komunës në nivel lokal dhe ndërkombëtar, ku nga kjo edhe është ndërtuar platforma e projekteve për paraqitje në këtë panair.
Nëse pjesëmarrja e Honk Kongut, Barcelonës, Sharjah nga Emiratet e Bashkuara, Togos, Bullgaria, Bjellorusia, Maqedonia, Shqipëria si dhe pjesëmarrësit sikurse Hans-Peter Portmann – anëtarë i Këshillit Nacional të Zvicrës dhe Drejtor Menaxhues i njërës nga Bankat më të madha sikurse LGT Bank (Schëeiz) AG, nuk janë mjaftueshëm për Riadin për ta cilësuar ngjarjen me karakter ndërkombëtar nuk dimë edhe kush do të duhej të ishte që të cilësohet si e tillë.
Sa i përket shpalljes së Komunës si Qyteti Model, Komuna e Gjilanit qysh nga tetori vitit të kaluar ka filluar përgatitjen e aplikacionit për konkurrim për shpallje të çmimit “Best City Model Award” pasi që për një çmim të tillë kanë aplikuar të gjithë pjesëmarrësit në panair, mirëpo fatin për përzgjedhje e kishin vetëm Barcelona, e cila sipas Rijadit edhe ajo e ka mashtruar opinionin pasi që të njëjtit e vlerësuan lartë çmimin e ndarë dhe Komuna e Gjilanit për Evropën Jug Lindore për kushte të përshtatshme për investitorë.
Çmimi është ndarë për Komunën e Gjilanit pa dallim dhe i njëjti paraqet një sukses të arritur në rritjen e gjasave për gjetjen e investitorëve të huaj. Nëse nuk mund ta përballosh suksesin e qeverisjes, atëherë së paku çmoje Çmimin që kontribuon në zhvillimin ekonomik të Komunës dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.
Kryetari Haziri ka prezantuar në gjuhën angleze dhe për më tepër ka pasur një seancë interaktive me pjesëmarrës, ku Komuna e Gjilanit ka kryer gjitha përgatitjet e nevojshme për aspektin e marrëdhënieve me publikun, duke pasur kështu në grupin e saj folës të gjuhës angleze dhe asaj gjermane.
Promovimi i Gjilanit në aspektin e materialeve dhe shtandit nuk ka dalluar nga metropolet botërore duke pasur kështu një koncept të zhvilluar mirë dhe atraktiv në paraqitje për investitor.
Zyra për Promovimin e Investimeve në kuadër të DZHE-së do të vazhdojë me krijimin e një platforme për investime në të gjitha fushat, duke kryer studime fizibiliteti për të gjitha fushat, diçka që i ka munguar Komunës deri sot.
Ne nuk do të ndalemi në përpjekjet tona për thithjen e investimeve të huaja, ku menjëherë pas këtij panairi do të fillojnë përgatitjet për panairin tashmë tradicional për promovimin e produkteve vendore “Gjilani 2015”.
Ne kemi vetëm një fjalë për fund: Riad të mbyti xhelozia! /2L ONLINE/
Ismail Januzi
Drejtor i Zhvillimit Ekonomik në Komunën e Gjilanit