Riad Rashiti: Qeverisja aktuale ka zvogëluar investimet dhe ka rritur shpenzimet e luksit të pushtetit
Kreu i PDK-së së Gjilanit, Riad Rashiti, që njëherësh është edhe kandidat i këtij subjekti për kryetar komune në zgjedhjet e 12 tetorit, ka thënë se me taksat dhe tatimet e qytetarëve është rritur buxheti komunal, por se qeverisja aktuale ka zvogëluar investimet dhe ka rritur shpenzimet e luksit të pushtetit.
“Nga viti në vit, buxheti komunal është rritur nga 37.1 milion euro në 41.9 milion euro. Ndërsa investimet kapitale bien nga 8.8 milion euro në vetëm 6.8 milion euro, pra 2 milion euro më pak investime për qytetarët”, ka thënë Rashiti i PDK-së.
Sipas tij, ky është një buxhet i luksit dhe i konsumit, jo i zhvillimit.
“Me qeverisjen time, do të kemi planifikim tjetër të buxhetit të komunës, i cili orientohet në projekte kapitale, zhvillim dhe ndërtim, që u shërbejnë drejtpërdrejt qytetarëve të Gjilanit. Për të ndërtuar dhe zhvilluar Gjilanin “Na duhesh edhe ti””, thotë Riad Rashiti, i pari i PDK-së së Gjilanit, njëherësh kandidat i këtij subjekti politik për kryetar të komunës së Gjilanit, në zgjedhjet e 12 tetorit. /2LONLINE/
