Riad Rashiti (PDK): Mbi 6.2 milion komuna e Gjilanit pagoi vetëm për vendime të Gjykatave gjatë vitit 2024
“Planifikimi dhe menaxhimi i keq i buxhetit komunal shkaktoi qindra procese gjygjësore që qytetarët e Gjilanit dhe operatorët ekonomik i inicuan gjatë vitit 2024 ndaj komunës tonë për të realizuar pagesat e tyre kontraktuale në vlerë prej 6,241,750.84 milion euro”, thotë Riad Rashiti, kryetar i PDK-së së Gjilanit.
Sipas raportit zyrtar financiar për vitin 2024, Rashiti thotë se janë paguar vetëm për shpronësime 21 vendime të gjykatave në vlerë prej rreth 1.3 milion euro.
Ndaj operatorëve ekonomik për punët e kryera në projekte të ndryshme kapitale janë paguar 15 vendime të gjykatave në vlerë prej 690 mijë euro.
Për kompensimin e mësimdhënësve janë paguar 25 vendime të gjykatave në vlerë prej 1.27 milion euro nga buxheti komunal prej kategorisë së investimeve kapitale. Si dhe qindra vendime tjera gjygjësore në vlerë prej 3,041,212.97 euro nga kategoria e pagave.
Për kompensimin e shërbyesve civil janë paguar disa vendime të gjykatave në vlerë prej 374 mijë euro, nga buxheti 2024 prej kategorisë për investime kapitale.
“Ne si PDK me kohë para miratimit të buxhetit nga Kuvendi Komunale kemi kërkuar rritjen e buxhetit për shpronësime, mirëpo në anën tjetër kryetari deklaronte të pavërteta në seancë, ku thoshte nuk më borgje se i kemi paguar të gjitha, e tash u dëshmua gënjeshtra e tij, e për më keq edhe ky vit ka nisë me 2.9 milion euro borgje tjera për shpronësime, mallra e shërbime dhe subvencione, ndërsa pagesat për këto borgje nuk janë të planifikuara në buxhet të 2025, gjë që e rëndon edhe më shumë gjendjen financiare të komunës së Gjilanit”, thotë Rashiti.
Ai shtoi se kjo pra është vetëm njëra nga arsyet pse PDK nuk e votonte buxhetin për vitin 2025, sepse, siç shprehet Rashiti, “ky kryetar komune ka propozuar buxhet paushall dhe po e fundos financiarisht Gjilanin. Sepse vetëm për shpenzime të procedurave gjyqësore, kamatave dhe përmbaruesve, paguhen nga buxheti i komunës mbi gjysmë milioni euro, krejt këto për shkak planifikimit të keq të buxhetit dhe pagesave të parashikuara”. /2LONLINE/
