Riad Rashiti: Kryetari i Komunës nuk ka guxim të përballet me kuvendarët
“Kur një kryetar komune frikacak dhe uzurpator, nuk ka guxim të vijë dhe të raportojë, sipas obligimeve ligjore, para institucionit më të lartë të komunës Kuvendit Komunal, ai zgjedh të viktimizohet para publikut, duke tentuar që kaosin dhe dështimet e qeverisjes së tij t’i bartë në seancat e Kuvendit. Ironikisht, ai vetë i ikë diskutimeve më të rëndësishme për qytetin e Gjilanit”, thotë Riad Rashiti, kreu i PDK-së së Gjilanit, njëherësh anëtar i Kuvendit Komunal të Gjilanit.
Duke iu referuar zhvillimeve të sotme në Kuvnedin Komunal dhe reagimit të kryetarit Hyseni, i pari i PDK-së së Gjilanit ka thënë se ky kryetar komune ka bërë aq shumë keqpërdorime dhe shkelje të ligjit, sa nuk ka guxim të përballet me kuvendarët për të gjeturat e raportit të auditorit, i cili ka konstatuar një gjendje alarmante në komunë.
“Ai nuk ishte i pranishëm as në seancën ku u prezantua raporti financiar për vitin 2024, ku u evidentuan humbje milionëshe dhe dyshime për keqpërdorime të mjeteve publike gjatë dy fushatave zgjedhore.
Po ashtu, nuk ka guxim të raportojë për punën e tij gjatë vitit 2025, ndonëse raportimi para Kuvendit Komunal është obligim ligjor dhe institucional”, thotë Rashiti.
Ai shtoi se pushteti sot nuk lejoi diskutimin për skandalet e ditëve të fundit me bulevardin e qytetit, faljen e 75 hektarëve dhe deponinë inerte.
“Shprehim keqardhje që kryetari i komunës paska parë “katër burra të PDK-së”. Për sqarim, në sallë ishim tre burra dhe dy gra. Kontributi dhe angazhimi ynë nuk maten me numra apo etiketime, por me përkushtimin për mbrojtjen e ligjshmërisë dhe interesit të qytetarëve”, ka thënë tutje Rashiti i PDK-së.
Sipas tij, përpjekjet për t’u paraqitur si viktimë nuk do ta shpëtojnë nga përgjegjësia. “Të gjitha keqpërdorimet, shkeljet dhe uzurpimet e dyshuara do të dalin në dritë. Nëse vërtet ka guxim dhe argumente, le të vijë në Kuvendin Komunal, aty ku zhvillohet debati institucional dhe ku duhet të japë llogari para përfaqësuesve të zgjedhur të qytetarëve të Gjilanit. të tij. Edhe kot e ka me i ikë përgjegjësisë dhe llogaridhënies ligjore”, thotë Riad Rashiti, kreu i PDK-së së Gjilanit, njëherësh anëtar i Kuvendit Komunal të Gjilanit. /2LONLINE/
