/2L ONLINE/ – Deklaratave të Riad Rashitit të PDK-së, se AAK-ja është aq e vogël sa nuk ka laps për me i ra me të kuqe dikujt, iu është përgjigjur, kreu i AAK-së, njëherësh nënkryetar komune, Rexhep Kadriu, i cili ka thënë se dëshiron t’i tregojë Riadit se ishte pikërisht lapsi i AAK-së që e ka dërgua Riadin, përkatësisht subjektin e tij, PDK-në, në opozitë, ku do të vazhdojë të jetë edhe për një kohë të gjatë.
Shih shkrimet:
Rashiti: Aq e vogël është AAK-ja sa nuk ka as laps!
AAK-ja e Gjilanit e nënvizon me të kuqe PDK-në
“Sa i përket asaj se a e përfaqëson Rexhep Kadriu, AAK-në, është më mirë që Riad Rashiti të merret me klanet e tija në PDK, sepse AAK-ja për çdo ditë e më shumë po rritet e po fuqizohet edhe me anëtarë prej PDK-së, që po aderojnë në AAK, dhe bashkë me qytetarë gjilanas po e mbështesin me të madhe bashkëqeverisjen komunale të Gjilanit”, ka thënë Kadriu për Portalin 2L ONLINE.
Sa i përket deklaratave të Riad Rashitit se kinse Kadriu mbron interesat e tija personale si nënkryetar i komunës dhe jo të AAK-së dhe qytetarëve, nënkryetari i komunës Rexhep Kadriu thotë se për hirë të opinionit dëshiron t’i informojë qytetarët se ai , si nënkryetar komune, të vetmin harxhim që e ka bërë nga taksat e qytetarëve, për punë publike, janë 780 euro harxhime naftë, edhe atë përgjatë dy viteve qeverisjeje.
“Asnjëherë nuk kam hëngër mish, si Riad Rashiti, me taksa të qytetarëve. Por, ne po e japim maksimumin në këtë bashkëqeverisje për realizim të projekteve në të mirë të qytetarëve dhe tani kemi në realizëm dhe do të realizohen projekte në vlerë 26.5 milion € investime”, ka thënë Kadriu.
Ai për fund tha se nuk ka kohë me u marrë më me deklaratat e një anëtari të thjesht të një partie klanore, e cila do të ketë kohë të reflektojë edhe për shumë vite në opozitë. /2L ONLINE/