Rezultatet e konkursit letrar të “Flakës…”

Rezultatet e konkursit letrar të “Flakës…”

Në konkursin letrar anonim Flaka e janarit 2017 kanë marrë pjesë një numër i madh i krijuesve, qofte i poetëve, qoftë i tregimtarëve. Në konkurs kanë mbërritur 97 poezi dhe 44 tregime të shkurtra dhe të gjitha kanë hyrë në garën për të fituar njërin nga tri shpërblimet: të parin, të dytin ose të tretin ose të propozohen për botim në revistën Agmia.

Edhe pse te disa poezi (10 sosh) ose tregime ka munguar shifra përkatëse, siç kërkohet me konkurs, ose tek ndonjëri madje dhe titulli, juria i ka lexuar të gjitha krijimet duke i dhënë mundësinë e fitimit të shpërblimit.

Juria thekson se krijimet e mbërritura në konkurs dëshmojnë qasje, shtjellime dhe stile të ndryshme, pra janë të autorëve të moshave dhe të trevave të ndryshme.

Te disa autorë vërehet përpjekja t’i hartojnë krijesat e tyre me një gjuhë sa më të pasur poetike, pa fjalë të huaja dhe me një shtjellim shqip të mirëfilltë, ndërsa tek disa të tjera vërehen gabime jo vetëm në rrafshin e drejtshkrimit, po dhe të shtjellimit sintaksor, përdorimit të fjalëve të huaja dhe hartimin e një teksti kryesisht kumtues, informativ.

Duke e analizuar secilin krijim, qoftë në poezi, qoftë në prozë, juria i shpall fitues të konkursin anonim Flaka e janarit 2017 këto krijime:

NË POEZI:

Shpërblimi i parë i jepet poezisë: ‘Eh Penelopë qe thurr e shthurr veten’, shifra: Gladiatori.
Shpërblimi i dytë poezisë: ‘Ëndërra e saj’, shifra: E kujt ishte andrra.
Shpërblimi i tretë poezisë: ‘Lyra e shpirtit tim”, shifra: Dëgjoje zërin tim.

NË PROZË:

Shpërblimi i parë i jepet tregimit: “Njeriu me ngjyrën e tokës”, shifra: Aviatori
Shpërblimi i dytë: “Ti dhe hëna’, shifra: Hëna.
Shpërblimi i tretë: ‘Te qershia e kuqe”, shifra: Kokrra e qershisë dhe “Aromë bujarie”, shifra: Diaus.

Juria i ka veçuar nga dhjetë krijime, poezi e tregime, të cilat ia propozon redaksisë së revistës Agmia që t’i botojë në numrat e ardhshëm të saj.

Gjilan, 30 janar 2017
Anëtarët e jurisë

Anton Nikë Berisha, kryetar
Alketa Spahiu, anëtare
Mehmetali Rexhepi, anëtar

KOMENTE