Rezultate interesante që ndryshojnë renditjen në Ligën “Agim Ramadani”
/2L ONLINE/ – Vikendi ka qenë sërish i pasur me ndeshje futbollistike, derisa Liga “Agim Ramadani”, ka zhvilluar duelet e javës së dhjetë në program. Palestra e Sporteve “Bashkim Selishta – Petriti”, ishte edhe njëherë shtëpia që mirëpriti dashamirët e futbollit gjilanas.
Në vazhdim njihuni se si kanë luajtur skuadrat këtë vikend:
Skuadra e Dobërçanit është ndalur nga njëra ndër skuadra më në formë javëve të fundit, MobiCasa. Në një ndeshje ku secila skuadër shijoi të ketë epërsinë në konton e tyre, mirëpo ishin futbollistët e MobiCasas, që e menaxhuan më mirë rezultatin dhe në fund i’a dalin të marrin pikët maksimale nga kjo përballje që vazhdon ti ngrisë në renditjen tabelare.
FSK-ja ka vazhduar formën e mirë, derisa këtë vikend ka mposhtur skuadrën, SK Arifi, për ti ndalur kështu serinë e rezultateve pozitive. Një ndeshje mjaft interesante me dy skuadrat që dhanë gjithçka nga vetja për të dalë fitimtar nga kjo sfidë. Megjithë pjesën e dytën të zhvilluar në mënyrë fantastike, djelmoshat e skuadrës, SK Arifi, nuk arritën të shmangnin dot humbjen, duke lejuar kështu FSK-ën, të marrë një tjetër fitore me vlera që vazhdon ti mbajë ata në kreun e tabelës.
Njëri ndër duelet më interesante të ditës së shtunë, pa dyshim ishte takimi i zhvilluar ndërmjet skuadrës së Burikës dhe Las Vegas, të cilin e triumfuan këta të fundit, falë një goli në fundin e ndeshjes. Në fakt të gjithë epërsitë e Las Vegasit, u shkrinë nga futbollistët e Las Vegas, mirëpo një gol në fundin e ndeshjes ka qenë vendimtar për ta përcaktuar fituesin në këtë ballafaqim.
Migjeni është njëra ndër skuadrat që ka hyrë në një seri të rezultateve fantastike. Këtë fundjavë, regjistruan një tjetër fitore, kësaj radhë përballë skuadrës, Dalia. Tre gola që sigurojnë tre pikët e radhës për skuadrën e Migjenit që është afruar edhe më shumë drejt zonës së play-off-it.
Eksimori është rikthyer sërish tek rezultatet pozitive, të cilat e shoqëruan një pjesë bukur të madhe të kampionatit. Në duelin e parë të ditës së diel, Eksimori mposhti skuadrën e Karadakut, në një ndeshje mjaft të fortë dhe me shumë raste shënimi, për të marrë kështu një fitore me mjaft vlera që vazhdon ta mbanë skuadrën në kreun e klasifikimit.
Fatbardhi ka triumfuar në kryendeshjen e ditës së diel, përballë skuadrës Vëllezërit Aliu. Në një duel me ritëm shumë të shpejtë, më konkretizues kanë qenë futbollistët e skuadrës Fatbardhi, që kanë shfrytëzuar në maksimum mundësitë e tyre, përkundër rasteve të panumërta të skuadrës kundërshtare, duke vazhduar kështu serinë e rezultateve pozitive, që i mundëson të afrohen drejt kreut të tabelës, me vetëm një pikë më pak.
Verbica ka rigjetur formulën e fitores, derisa këtë xhiro, mposhti skuadrën Xixa, që tregoi një ndeshje mjaft të mirë, përkundër që rezultati në fundin e ndeshjes foli kundër tyre. Marrë në përgjithësi ndeshja ishte e niveluar, me dy skuadrat që luajtën futboll të hapur dhe pa kalkulime. Mirëpo, epilogun final në fundin e ndeshjes morën futbollistët e Verbicës, që falë këtij triumfi pozicionohen në mesin e artë të renditjes tabelare.
Përkundër mungesave të shumta në formacion, Katana ia ka dalë të triumfojë në duel me skuadrën, Malësia, që në ndeshjet e fundit kishte treguar një formë mjaft të lartë. Fitorja e pestë këtë edicion, e rikthen në pozitën e katërt të renditjes tabelare, skuadrën e Katanas, që për momentin ndodhet në luftë në dy fronte, garat e ligës dhe të kupës.
/2L ONLINE/ Drilon SYLEJMANI/
