/2L ONLINE/ – Aleanca Kosova e Re (AKR), e cila është pjesë e bashkëqeverisjes në Gjilan, po kërkon nga partneri i saj LDK-ja, t’i ofrojë mundësi dhe hapësirën e duhur duke i dhënë përgjegjësi në këtë bashkëqeverisje që edhe në praktikë të dëshmojnë se janë partnerë të mirë.
Agim Rexhepi, koordinator i AKR-së, Dega në Gjilan, ka thënë për Portalin 2L ONLINE, se AKR-ja e meriton të ketë përgjegjësi më të madhe në këtë bashkëqeverisje për të dëshmuar veten se është partnere e mirë dhe do të ishte kontributdhënëse e madhe për një qeverisje të mirë për qytetarin.
Rexhepi mendon, se LDK-ja si parti fituese, përkatësisht kreu i Komunës Lutfi Haziri, do të duhej të shprehte edhe praktikisht besimin e tij në partneritetin që e ka me AKR-në, duke u dhënë përgjegjësi kuadrove të këtij subjekti për të kontribuuar në bashkëqeverisje. Kjo, sipas Rexhepit, do të duhej të bëhej edhe për hir të atyre mbi 2 mijë votuesve që e kishin votuar këtë subjekt në zgjedhjet e fundit, e të cilët përfaqësohen nga Dega e AKR-së, strukturat e saja udhëheqëse.
Rexhepi thotë se ka gatishmëri të plotë të AKR-së për të dhënë kontributin maksimal në këtë bashkëqeverisje. AI shton se kryetari i komunës Lutfi Haziri, ka bërë hapa progresivë në qeverisje me Gjilanin, sidomos AKR-ja vlerëson vendosjen e disiplinës buxhetore, pra kujdesin ndaj parasë publike, që nuk ka qenë në asnjë qeverisje tjetër me Gjilanin, që nga paslufta e këndejmë.
Koordinatori i AKR-së së Gjilanit Agim Rexhepi, ka thënë se subjekti i tij ka potencial për t’u dëshmuar në këtë partneritet që po qeverisë me Gjilanin, pjesë e të cilës është, dhe se vetëm i duhet hapësirë për t’u dëshmuar. /2L ONLINE/