/2L ONLINE/ – Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në Gjilan, Halit Rexhepi, ka apeluar tek të gjithë qytetarët e Komunës së Gjilanit që të festojnë me shumë kujdes gjatë ndërrimit të moteve, sepse përdorimi i pakontrolluar i mjeteve piroteknike shpeshherë ka sjellë edhe lëndime trupore për qytetarët e Komunës sonë.
“Apeloj tek të gjithë qytetarët e Komunës së Gjilanit që të kenë shumë kujdes gjatë festave të ndërrimit të moteve. Ne këtë çështje e kemi trajtuar edhe në Këshillin Komunal për Siguri në Bashkësi, në mënyrë që situatën ta kemi nën kontroll së bashku edhe me organet tjera të sigurisë. Me angazhimin e inspeksionit komunal do të monitorojmë shitjen e mjeteve piroteknike. Zyrtarisht nga dje më 25 dhjetor, ka nisur shitja e këtyre materialeve piroteknike. Kemi ngritur shqetësimet tona tek të gjitha organet tjera që të bëjnë kontrolle, në mënyrë që të mos lejohet shitja e fishekzjarrëve për fëmijë, e sidomos ato të cilat rrezikojnë jetën gjatë përdorimit. Prindërit në këto raste kanë shumë ndikim, andaj i lusim të gjithë që të kenë kujdes gjatë përdorimit të fishekzjarrëve”, tha Rexhepi.
Ai po ashtu ka kërkuar që të lajmërohen rastet në Policinë e Kosovës, nëse dikush feston me armë zjarri.
“Në rast se dallojmë dikë i cili këtë ndërrim të moteve e feston me të shtëna armësh, atëherë është mirë që menjëherë rastin ta lajmërojmë në Policinë e Kosovës, sepse ky është rrezik direkt për jetë të qytetarëve të pafajshëm. Është obligim yni që të lajmërojmë raste të tilla. Të festojmë e gëzohemi, pa armë zjarri. Jeta e njeriut është tepër e shtrenjtë, prandaj të gjithë ata që vërejnë përdorimin e armëve të zjarrit të lajmërojnë policinë që të shmangim rrezikun për jetë”, ka thënë ai ndër të tjerash.
Po ashtu Rexhepi ka njoftuar se janë në koordinim me policinë dhe inspeksionin që edhe tollovitë nga lëvizja e automjeteve dhe parkimit të tyre në vende të ndryshme të intervenohet me shpejtësi, në mënyrë që të shmangim kolonat dhe pritjet e qytetarëve. /2L ONLINE/