Rexhep Kadriu me siglën e LDK-së do të kërkojë mandatin e deputetit – “Le të zgjedhim shpresën!”
Rexhep Kadriu, që dikur drejtonte Degën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në Gjilan, e në bashkëqeverisje, ishte edhe nënkryetar komune, por kishte pozitë edhe të zëvendësministrit në Ministrinë e Infrastrukturës…, është rikthyer në jetën publike pasi do të garon për deputet të Kuvendit të Kosovës, si kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Ai ka thënë se ky hap i tij vjen pas një periudhe reflektimi të thellë personal dhe profesional.
“Përplot vite, Anamorava më ka besuar përgjegjësi të rëndësishme – si nënkryetar i Komunës së Gjilanit dhe si zëvendësministër i Infrastrukturës, ku kemi shtyrë përpara projekte kapitale historike për Gjilanin dhe Anamoravën, përfshirë autostradën, impiantin e ujërave të zeza dhe investime të tjera kapitale që sot do të ishin drejt përfundimit po të mos ishte ngadalësimi i proceseve nga qeverisja aktuale. Besoj fuqishëm se Gjilani, Anamorava dhe gjithë Kosova kanë nevojë për një qasje të re, për seriozitet, për punë dhe për stabilitet institucional. Pikërisht për këtë arsye, rrugëtimi im i ri politik nis në Lidhjen Demokratike të Kosovës – partinë që po rikthen shpresën dhe normalitetin në vend”, ka thënë Kadriu.
Ai ka shprehur mirënjohjen e tij të sinqertë për strukturat e Lidhjes Demokratike të Kosovës që e kanë besuar për të qenë pjesë e kandidaturave në garën për deputetë.
Ai poashtu është shprehur falënderues edhe për kryetarin e Degës së LDK-së në Gjilan, Lutfi Hazirin, për mbështetjen dhe partneritetin e tij të vazhdueshëm, si dhe për kryetarin e LDK-së Lumir Abdixhiku, për ftesën dhe hapësirën për të kontribuar me përvojën e tij.
“Vij në këtë garë me përkushtim të plotë për t’u shërbyer qytetarëve – me eksperiencën e fituar në qeveri, me përvojën nga biznesi dhe me vendosmërinë për t’i rikthyer Anamoravës zhvillimin që e meriton. Vijë për të përfunduar projektet që kanë mbetur pezull. Vij për Anamoravën. Vij për Kosovën. Le të zgjedhim shpresën”, ka thënë Rexhep Kadriu, kandidati i LDK-së për deputet në zgjedhjet e 28 dhjetorit. /2LONLINE/
