/2L ONLINE/ – LDK-ja dhe Menaxhmenti i saj si në nivel qendrorë ashtu edhe në nivel lokale duhet që përfundimisht të sqarojnë para elektoratit të tyre se në çfarë forme duhet të vazhdojnë ecjen e përbashkët. Aktualisht në dy nivelet është duke mbizotëruar një opinion se LDK duhet të jetë e hapur dhe se duhet të mirëpres kuadro të reja brenda strukturave të saj çka edhe unë jamë pro-këtij qëndrimi dhe veprimi.
Kështu mendon, Arben Mehmeti, anëtar i kryesisë së LDK-së së Gjilanit, njëherësh anëtar edhe i Kuvendit Komunal. Ku sipas tij, aktualisht është duke mbizotëruar mendimi dhe janë duke u kryer veprime kryesisht nga strukturat udhëheqëse qeveritare dhe lokale duke u dhënë përparësi apo favorizuar anëtarët e rinj në parti(është fjala për ata që në parti kanë aderuar para pak kohe) disa ekspertëve të fushave të ndryshme që nuk kanë kontribut në parti por realisht i përkasin fushave profesionale disa ekspertëve që kanë studiuar jashtë dhe që llogariten si kuadro të domosdoshëm për tu fuqizuar partia dhe atyre që kanë standardë të politikës ndërrimin brenda natës partinë.
“Pra këto janë katër grupe të kategorive të “anëtarëve të partisë” që në mënyrë të heshtur po zëvendësojnë ata që për kohë të gjatë punuan për ta zhvilluar partinë dhe për ta mbajt gjallë në kohërat më të vështira edhe atëherë kur nuk ka pas pushtet LDK-ja dhe ndoshta edhe nuk është menduar se mund të vi në pushtet por se te kjo strukturë tradicionale ka ekzistuar besimi,guximi dhe qëndrimi i palëkundur për ti mbetur besnik angazhimeve të kohës që nuk kanë qenë të lehta”, vlerëson Mehmeti.
Ai vlerëson se kjo duhet të jetë një thirrje për ata që sot po qeverisin në emër të LDK-së që mos të harrojnë të kaluarën e lavdishme të LDK-së dhe besnikërinë e tyre për të ecur bashkë dhe po ashtu mos të zëvendësohen në këtë mënyrë të padinjitetshme këta aktivistë me ata që ende nuk e kanë kaluar periudhën provuese në LDK e që do të duhej të jetë së paku 4 Vite.
“Nuk është vlerë njerëzore dhe politike respektimi i “mysafirëve”politik”duke injoruar anëtarët e shtëpisë sepse rrezikon shtëpinë në tërësi”, thotë Mehmeti i LDK-së. /2L ONLINE/