DYLON

Respektimi i etikës gazetareske të distancon nga gazetaria e papërgjegjshme

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Këshilli i Medieve të Shkruara (KMSH) në bashkëpunim me Klubin e Gazetarëve “Beqir Musliu” kanë debatuar në një tryezë të rrumbullakët të martën në Gjilan rreth etikës në mediat e shkruara dhe elektronike dhe zbatimi i udhëzuesit mbi etikën. Në këtë tryezë u tha se respektimi i kodit të medieve nga gazetarë dhe drejtues të medieve i bënë ato të bëjnë një gazetari të përgjegjshme kredibile dhe të dallueshme e të distancueshme nga një gazetari e papërgjegjshme.

Nehat Islami drejtor i zyrës së KMSH tha se ky këshill që veç ka hyrë në vitin e tij të dhjetë të funksionimit po bëhet përherë e më shumë një institucion i fuqishëm dhe i besueshëm që po kujdeset për mediet dhe gazetarët dhe në të njëjtën kohë po i mbron edhe qytetarët nga gazetaria e papërgjegjshme.

EkoHigjiena

Islami tha se KMSH në Kosovë është mjaftë aktiv dhe se vendimet e saja që po i nxjerrë, e që e kanë karakterin e vendimeve morale jo obliguese përt ë dënuar apo gjobitur mediat e gazetarët, por se e veçanta e KMSH është se ato dënime morale që po i nxjerrë ky Këshill e që deri tani janë qindra sosh, po respektohen dhe po gjejnë zbatim nga mediet kosovare.

Islami tha se në të njëjtën kohë po kujdesen edhe për vetëdijesimin e gazetarëve të rinj, po kujdesen që edhe ata që pretendojnë se janë viktima të gazetarisë të papërgjegjshme të udhëzohen për të kërkuar të drejtat e tyre.

Nora Behluli zyrtare për ankesa pranë KMSH tha se ankesa të shumta e të ndryshme vijnë në adresë të këtij këshilli dhe kjo e bënë edhe më të përgjegjshëm punën që ky bord po bënë në favor të gazetarisë profesionale.

Musa Sabedini anëtar i bordit të KMSH dhe themelues i Agjencisë së Lajmeve RAJONIPRESS.com tha se mediet në radhë të parë duhet të jenë të përgjegjshme për të ofruar para lexuesve lajme të balancuara, objektive dhe të vërtetuara profesionalisht.

“KMSH ka ndikuar në vetëdijesimin e gazetarëve edhe në Anamoravë dhe vet fakti që diskutohet hapur dhe kërkohen udhëzuesit e etikës dhe parimet e saja flet qartë se gazetarët i kuptojnë qartë përgjegjësit që i kanë ndaj lexuesit, por edhe burimeve të tyre.

Muhamet Halili, themelues i Portalit Informativ Rajonal 2L ONLINE.com tha se po bëjnë përpjekje që në mediumin që ai drejton të ofrojnë gazetari të balancuar dhe të ndërtuar në burime të sakta. Etika gazetareske përherë vije në konsideratë gjatë punës së përditshme dhe se në këtë drejtim janë shumë të matur.

Ai ka kërkuar që edhe publiku që ushqehet përditë me informatat e prodhuara nga mediet, duhet të jetë aktiv dhe në njëfarë mënyre të përzgjedhë “mallin” e servuar, duke bërë kështu që të kërkohet vetëm cilësia, objektiviteti, me një fjalë gazetaria e mirëfilltë, për të cilën pastaj duhet të luftojnë mediet, nëse duan ta kenë lexuesin, shikuesin, dëgjuesin…

Enver Sadiku nga gazeta “Zëri” i cili ka folur mbi përvojën e tij si gazetar shumëvjeçar. Sadiku tha se etika ndihmon gazetarët në teren që të bëjnë më pak gabime dhe ta respektojnë profesionin e gazetarit, ndërkohë që është interesuar të dijë për atë se a ka trajtuar KMSH-ja raste kur palët që kanë kërkuar drejtësi janë vet gazetarët, e që janë ndier se është atakuar puna e tyre, po nga gazetarët.

Ismet Azizi nga KOKAJ.net tha se është mirë që po debatohet për etikën sepse kjo u jep mundësi medieve të jenë më afër anës profesionale, derisa edhe Tefik Selimi nga “Bota Sot” ka rrëfyer mbi përvojën e tij në gazetari derisa ka shtuar se mediat ende kanë nevojë të marrin përvojën e medieve të huaja, të cilat punojnë mbi parimet bazë të etikës.

Në tryezë kanë folur edhe Hekuran Aliu e Kaltrina Sylejmani, (KCIC), të cilët kanë kërkuar ngritje të profesionalizmit tek gazetarët dhe mediumet në përgjithësi, duke përfshirë këtu edhe respektim të etikës gazetareske, që ajo që iu servohet pastaj publikut të jetë informacioni i ndërtuar sipas standrteve, por që sipas tyre, fatkeqësisht ka plotë raste tek mediet tona, që e dëshmojnë të kundërtën.

Ndryshe, Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës është një trup vetë-rregullativ i formuar për dhe nga sektori i mediave të shkruara. Misioni i tij mbështetet mbi bindjet e kodit të mirësjelljes. /2L ONLINE/