Nga: Tahir Arifi
I respektuari Mehmetali Rexhepi! Të respektuar kolegë!
Bashkë sot, natyrisht, jemi këtu për t`i uruar mikut e kolegut tonë, Mehmetali Rexhepi shkuarjen në pension. Është ky moment ndjenjash të përziera, moment kur bëhen bilancet e një jete njerëzore, kur gëzimi e krenaria për angazhimin jetësor, domosdo shoqërohen edhe me ndjenjën e ndarjes, nostalgjisë dhe një fillimi tjetër të shkruarit të biografisë në fund.
Miku e kolegu ynë, Mehmetali Rexhepi përjetoi po atë fat që pati një pjesë e elitës sonë intelektuale e studentore, po atë fat që ndjeu në kurriz populli ynë, nën robëri, dhe aty lindën edhe angazhimet e tij humaniste, atdhetare, estetike e iluministe.
Autor i shumë shkrimeve publicistike, të kritikës letrare e eseistes, M. Rexhepi mes tjerash botoi librin poetik” Frymë e fërguar…”, si dhe librin eseistik “Enigma e magjikes”, dhe në të gjitha rastet shquhet për origjinalitetin e shprehjes gjuhësore, shpesh eksperimentale, për ndjenjën e sinqertë e të fuqishme dhe mendimin e thellë.
Shkrimi i tij buron nga laboratori me kërkesa të saktësisë matematike të shkrimit, qoftë ai estetik, shkencor a publicistik.
Paraprakisht, Mehmetali Rexhepi ishte bashkëthemelues i klubit letrar ”Rexhep Elmazi”, apo edhe i SHHB “ Nënë Tereza”, momenti i pensionimit nënkupton përfundimin e vetëm sigurisht të një veprimtarie, më të rëndësishmes, asaj të iluminizmit të mendjes së të rinjve. Domosdo, Mehemtali Rexhepin do ta shohim në angazhimet kulturore-letrare.
Të lumtur që ishim bashkë, që të patëm koleg e mik!…