Gjilan – (2LONLINE) – Republikanët e Gjilanit do t’i mbeten besnik Lutfi Hazirit të LDK-së edhe në garën e balotazhit dhe se do të ftohet elektorati i saj që më 3 nëntor mbështeti listën për këshilltarë komunal të këtij subjekti por edhe Lutfi Hazirin për kryetar, ta bëjë këtë edhe më 1 dhjetor në garën e balotazhit kur Haziri i LDK-së do të ballafaqohet me Qemajl Mustafën e PDK-së.
Selver Xhelili, kryetar i Lëvizjes Republikane, që do të jetë pjesë e Kuvendit komunal, pasi republikanët në bazë të rezultateve preliminare kanë fituar një vend, ka theksuar për 2lonline, se përkrahja për Luten e LDK-së do të vazhdojë edhe në balotazh.
Siç dihet Lëvizja Republikane në Gjilan, që kishte vendosur për të garuar vetëm në garën për këshilltarë komunal, ishte i vetmi subjekt politik që paraprakisht kishte arritur marrëveshje me LDK-në , për ta mbështetur kandidatin Lutfi Haziri, në garën për kryetar komune ndërkohë që Xhelili thotë se republikanët edhe pas takimit të organeve drejtuese, ku analizuan rezultate e 3 nëntorit, rikonfirmuan po ashtu përkrahjen ndaj Hazirit edhe për garën e balotazhit.
Xhelili tha se republikanët do të aktivizohen qysh prej 15 nëntorit në mbështetje të Hazirit, për të fituar edhe me bindshëm me 1 dhjetor dhe në këtë, sipas Xhelilit, republikanët janë të bindur, bile ai thotë se fitorja e Hazirit kundrejt Mustafës do të jetë edhe më e madhe, sepse edhe me 3 nëntor qytetari i Gjilani tregoi se është për ndryshim dhe për largimin e kësaj kaste të qeveritarëve nga pushteti.
Përndryshe, Xhelili ka thënë se edhe në kuvend do të rreshtohen në krah të LDK-së për të qeverisur komunën për 4 vitet e ardhshme me një planprogram të cilën e përqafuan votuesit e komunës, e që është i përbashkët, i republikaneve dhe i LDK-së, ku pikë kryesore do të jetë mbrojtja e interesit të qytetarit, bizneseve, rinisë dhe e shumë sferave të tjera. /2lonline/