Shkruan: Vana Jerliu Ramadani
/2L ONLINE/ – Mendimet tona që na shoqërojnë gjatë gjithë ditës janë shumë të rëndësishme për shëndetin mendor dhe fizik. Mendimet tona përgatisin terrenin se si i perceptojmë gjërat dhe janë ngushtë të lidhura me reagimet tona në situata të ndryshme.
Të menduarit pozitiv është mënyra më e mirë për të jetuar një jetë më të shëndetshme psikike. Fillimi i ditës dhe të menduarit tonë që në mëngjes ka një rol shumë të rëndësishëm se si do ta kalojmë ditën. Nëse zgjohemi në mëngjes me ndjenjën “nuk po ndjehem mirë sot”, atëherë veç po fillojmë ditën me mendime negative dhe mundësitë janë shumë të mëdha të kalojmë një ditë jo të mirë.
Por nëse zgjohemi në mëngjes dhe i flasim vetes “sot po ndjehem mirë, do të jetë një ditë e mirë për mua, sot do të jem mirënjohës dhe do të jem një individ pozitiv për shoqërinë”, mundësitë janë shumë të mëdha se dita do të jetë shumë e mirë.
Njerëzit që janë më të hareshëm dhe më pozitiv, janë më të shëndosh dhe janë më të lumtur. Për të bërë ndryshime pozitive në jetën tonë, nuk është një hap i lehtë, por me kalimin e kohës, sikur njoftohemi me një ndjenjë të re që na bënë të ndjehemi më mirë dhe kjo ndjenjë na ndihmon të vazhdojmë me hapa të mëtutjeshëm në pozitivitet.
Ndryshimet pozitive zakonisht fillojnë me sjelljet më të mira, duke luftuar me vetveten për të krijuar një personalitet edhe më të mirë. Pastaj fillon rritja e vetëbesimit duke e kuptuar se jemi më të fortë se që kemi menduar më parë dhe rriten mundësitë që të jemi më të suksesshëm në çdo fushë se që ishim deri tani.
Faktor kryesor i lumturisë është të menduarit pozitiv për veten pastaj të menduarit pozitiv në përgjithësi. E gjithë kjo mund të krijohet me hapa të ngadalshëm duke sjellë rezultate të shpejta.
Si kurrë më parë, mundësia për të marrë një hap ndryshimi pozitiv është rritur, si për shembull në ueb faqet të ndryshme si facebook, sa gjëra postojmë që jemi mirënjohës si për shembull sa jemi mirënjohës për njerëzit që kemi në jetën tonë, për punën dhe ndihmën që na ofrojnë të tjerët, për krenarinë dhe të arriturat e të dashurve tanë, etj, dhe sa pëlqime marrim për postimet tona të tilla, e gjithë kjo ka ndikim pozitiv në të menduarit tonë. Është një lloj mënyre shtesë që të përsëritet një veprim i tillë dhe na pëlqen ndjenja kur njerëzit pëlqejnë postimet tona. Nuk besoj se ka njeri që është mosmirënjohës! Duke praktikuar mirënjohjen mund të lehtësohet stresi, të shmanget depresioni, të lehtësohet ankthi shpirtëror, dhe në përgjithësi përmirëson mirëqenien e përgjithshme emocionale dhe fizike.
Nuk është e lehtë të jemi të lumtur dhe pozitiv edhe atëherë kur ne jetojmë një jetë të privilegjuar apo me mirë të them një jetë të bekuar, sepse gjithmonë do të kemi njerëz qe kanë vuajtje dhe ne jemi pjesë e jetës së tyre. Duhet pasur parasysh se disa gjëra është vështirë të ndryshohen apo janë të pandryshueshme dhe mënyra më e mirë është të pajtohemi me realitetin duke i përjetuar gjërat me lehtë. Pa dyshim se të gjithë ne kemi disa njerëz qe janë aq të mbushur me negativitet dhe pothuajse negativiteti është një mekanizëm mbrojtës i tyre duke e vënë veten në pozitën e viktimës, duke menduar se kjo ua lehtëson jetën, gjë që është shume e gabueshme dhe jo e vërtetë. Këta njerëz jo vetëm se i bëjnë dëme vetës por edhe dëmtojnë njerëzit në jetën e tyre, andaj mundësisht duhet të shmangemi bisedave me njerëz që përcjellin ndjenja dhe mendime negative.
Mos të harroj të përmendi se jeta sot është më garuese se kurrë më parë dhe janë shumë gjëra që ndodhin që janë jashtë kontrollit tonë. Në momentet e vështira dhe situata të tilla, mënyra më e mirë për t’u qetësuar dhe pastruar mendjen nga mendime negative dhe frika të ndryshme është: Të marrim frymë thellë nëpërmjet hundës deri në fund të barkut, dhe të lëshojmë frymëmarrjen nga goja, për disa herë me radhë. Pastaj të mbyllim sytë duke i relaksuar këmbët dhe duart dhe te mendojmë kujtime të bukura, duke relaksuar muskujt e trupit. Mënyra tjetër që ndihmon po ashtu është duke ecur në vendin e preferuar dhe duke menduar për planet tona pozitive se nëse realizohen, sa të lumtur do të bëhemi. Muzika e lehtë medituese ndihmon po ashtu. E gjithë kjo është një meditim i domosdoshëm atëherë kur ballafaqohemi me krizat e ndryshme që të mos shkatërrojmë shëndetin tonë psikik dhe fizik.
Të kalojmë kohën me njerëz të hareshëm sepse qeshjet janë një lloj mënyre e realaksimit. Mëngjesin duhet filluar duke e vurë buzëqeshjen në fytyrë sepse jo vetëm se na e shton bukurinë njerëzore, por edhe i bënë të ndjehen me mirë njerëzit që kalojmë ditën me ta, gjë që ka rëndësi për veten tonë sepse ata janë njerëzit që do të ofrojnë një pozitivitet gjatë gjithë ditës për ne.
Komunikimi është çelësi i lumturisë, i suksesit, i vendimmarrjes, i pasqyrës në përgjithësi se si prezantojmë veten tonë para botës. Andaj të praktikojmë një komunikim demokratik, një komunikim me sjelljet e mira, me një butësi, që të bëjmë të tjerët të na bashkëngjiten po ashtu në procesin e hapave të ndryshimit drejt një jete më të lumtur dhe të shëndoshë.
Të gjithë e dimë se kjo botë ka disa njerëz që urrejtjen e praktikojnë edhe e shprehin haptas. Të jemi me tolerant duke ua bërë me dije se urrejtja shkatërron çdo gjë dhe ata që urrejnë janë dhe do të mbesin një hap më mbrapa se njerëzit që janë me zemërgjerë dhe më mirënjohës, më bamirës. Me shpresë se edhe ata do të ndryshojnë me kalimin e kohës nëse kuptojnë se urrejtja pengon lumturinë.
Shoqëria ka nevojë për pozitivitet, andaj bëhu edhe ti një nga ata individ që janë pjesë e lulëzimit të pozitivitetit.
Kur mund ta kuptojmë se kemi ndryshuar në mënyrë pozitive?. Atëherë kur gjykimi ndaj të tjerëve është zëvendësuar me mirëkuptim, me dhembje, dhe vetë dyshimi është zëvendësuar me qartësi, vetëbesim, atëherë kur të menduarit pozitiv nuk është një koncept por është një mënyrë e të jetuarit në jetën tonë. /2L ONLINE/