DYLON

Rektori i UKZ-së priti në takim Ministren e MASHTI-t

Rektori i UKZ-së priti në takim Ministren e MASHTI-t
Avatar photo Redaksia

Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, ka pritur sot në takim Ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe ekipin e saj.

Në këtë takim, Rektori Dërmaku falënderoi Ministren Nagavci për vizitën dhe përkushtimin e saj ndaj Universitetit të Gjilanit, duke theksuar nevojën për mbështetje të mëtejshme për zhvillimin e infrastrukturës dhe mundësitë e avancimit të kushteve për procesin mësimor. Një nga temat kryesore të diskutimit ishte ndërtimi i kampusit universitar, që është një prioritet i rëndësishëm për universitetin dhe komunitetin akademik të  rajonit të Gjilanit dhe më gjërë.

EkoHigjiena

Rektori Dërmaku theksoi se ndërtimi i kampusit është një nevojë urgjente, pasi universiteti përballet me mungesë të hapësirave për zhvillimin e aktiviteteve mësimore dhe kërkimore. Ai shpjegoi se, ka vullnet nga të gjitha palët për të realizuar këtë projekt madhor, i cili do të kontribuonte në ngritjen e cilësisë së arsimit dhe zhvillimin e mëtejshëm të universitetit.

“Ndërtimi i kampusit universitar është një projekt jetik për Universitetin e Gjilanit. Ne kemi një nevojë të madhe për hapësira të reja që mundësojnë zhvillimin e një ambienti më të mirë për studentët dhe stafin. Kjo është një mundësi që do të kontribuonte në ngritjen e nivelit të arsimit në qytet dhe në rrethinë,” tha Rektori Dërmaku gjatë takimit.

Për Ministren Nagavci, ndërtimi i kampusit universitar është një hap i domosdoshëm për avancimin e arsimit të lartë në Kosovë. Ajo shprehu gatishmërinë e Ministrisë për të mbështetur këtë iniciativë dhe për të shqyrtuar mundësitë për sigurimin e fondeve dhe mbështetjes financiare për këtë projekt. Ministrja Nagavci po ashtu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me komunën e Gjilanit për sigurimin e hapësirave të nevojshme për ndërtimin e kampusit, duke garantuar që fondet e IPA-së (Instrumenti i Para-Aderimit) mund të përdoren për këtë qëllim.

“Ne duhet të gjejmë një zgjidhje të përbashkët për sigurimin e hapësirave të nevojshme për ndërtimin e kampusit dhe jam e bindur që me vullnetin e duhur, do të mund të realizojmë këtë projekt të rëndësishëm për universitetin dhe studentët e Gjilanit,” theksoi Ministrja Nagavci.

Në këtë kontekst, Rektori Dërmaku përmendi se, fokusimi është te sigurimi i hapësirave të përshtatshme për ndërtimin e kampusit. Ai theksoi se, universiteti është i gatshëm për të realizuar investimet e nevojshme për krijimin e një infrastrukture moderne dhe funksionale, që do të mundësojë zhvillimin e proceseve mësimore dhe kërkimore në kushte më të mira.

Pas diskutimeve, Ministrja Nagavci dhe ekipi i saj vizituan ambientet e universitetit, ku panë nga afër sallat e mësimit, kabinetet dhe hapësirat e tjera të cilat janë pjesë e procesit mësimor dhe akademik. Gjatë vizitës, ata kishin mundësinë të shqyrtonin më në detaje kushtet aktuale dhe nevojat për zhvillimin e mëtejshëm të infrastrukturës, duke theksuar rëndësinë e një mbështetjeje të vazhdueshme dhe të qëndrueshme nga institucionet shtetërore për realizimin e projekteve madhore, si ndërtimi i kampusit universitar. /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.