DYLON

Rektori i UKZ-së pjesëmarrës në Konferencën e 20-të Ndërkombëtare në Universitetin e Shkodrës

Rektori i UKZ-së pjesëmarrës në Konferencën e 20-të Ndërkombëtare në Universitetin e Shkodrës
Avatar photo Redaksia

Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Prof. Asoc. Dr. Artan Dermaku, së bashku me një delegacion, mori pjesë në Konferencën e 20-të Vjetore Ndërkombëtare me temë “Zhvillimi në kohë të trazuara”, e cila u mbajt në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.

Ky edicion jubilar i konferencës, që këtë vit rikthehet në Shkodër pas një tradite 20-vjeçare ndërmjet Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, mblodhi studiues, pedagogë dhe përfaqësues institucionalë nga 26 vende të botës, duke krijuar një atmosferë të gjallë shkencore dhe bashkëpunuese.

EkoHigjiena

Seanca plenare u drejtua nga Zv. Rektorja Blerta Dragusha, ndërsa Rektori i UNISHK, Prof. Dr. Tonin Gjuraj, theksoi në fjalën e tij rëndësinë e ruajtjes së rolit dhe mendimit njerëzor në kohën e teknologjisë së avancuar.

Në vijim, punimet e Konferencës i përshëndeti edhe Prof. Asoc. Dr. Artan Dermaku, Rektor i Universitetit Publik “Kadri Zeka”, Gjilan. Rektori Dermaku vlerësoi rolin e konferencës si një urë e fortë bashkëpunimi akademik ndërmjet universiteteve të rajonit dhe theksoi rëndësinë e shkëmbimeve shkencore për afirmimin e universiteteve publike kosovare në arenën ndërkombëtare.

I ftuar i nderit ishte Ambasadori i Republikës së Kosovës në Shqipëri, z. Skënder Durmishi, ndërsa përshëndetje mbajtën edhe përfaqësues të arsimit parauniversitar dhe universiteteve ndërkombëtare, përfshirë znj. Romina Gurashi nga Italia.

Në Konferencën e sivjetme të Shkodrës prezantuan 180 punime shkencore, 275 autorë e kontribues dhe pjesëmarrës nga katër kontinente. Paralelisht janë zhvilluar edhe Konferenca e 5-të e Shkollës së Drejtorëve të Arsimit Parauniversitar, Konferenca e 4-të e LTC dhe Botimeve “Polis”, si dhe Konferenca e 6-të e Forumit Sociologjik të Ballkanit.

Në mbyllje të seancës plenare, znj. Bresena Kopliku, Drejtore e Kërkimit Shkencor dhe Ndërkombëtarizimit në UNISHK, përgëzoi punën e të gjithë kontribuuesve në realizimin e këtij edicioni jubilar.

Pjesëmarrja e Universitetit Publik “Kadri Zeka” në këtë forum të rëndësishëm ndërkombëtar dëshmon përkushtimin e institucionit ndaj bashkëpunimit rajonal, ngritjes së cilësisë akademike dhe avancimit të kërkimit shkencor. /2LONLINE/