Rektori i UKZ-së mori pjesë në tryezën konsultative për hartimin e Strategjisë së Arsimit të Kosovës 2035+
Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, mori pjesë në tryezën konsultative të organizuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh), në kuadër të procesit të hartimit të Strategjisë së Arsimit të Kosovës 2035+, ku u mblodhën udhëheqësit e institucioneve të arsimit të lartë nga e gjithë Kosova.
Takimi kishte për qëllim identifikimin e prioriteteve strategjike për zhvillimin e arsimit të lartë dhe sigurimin e një procesi gjithëpërfshirës në hartimin e dokumentit strategjik, i cili do të orientojë zhvillimin e arsimit në vend gjatë dekadës së ardhshme. Gjatë tryezës u diskutua për sfidat, nevojat dhe mundësitë e avancimit të arsimit të lartë, si dhe për rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe institucioneve të arsimit të lartë.
Me këtë rast, Rektori Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku vlerësoi rëndësinë e përfshirjes së universiteteve publike në procesin e hartimit të Strategjisë së Arsimit të Kosovës 2035+, duke theksuar se zhvillimi i politikave arsimore duhet të mbështetet në ekspertizën akademike dhe në nevojat reale të institucioneve të arsimit të lartë.
Rektori theksoi se parakusht i çdo strategjie afatgjatë për arsimin e lartë është fillimisht sanimi i gjendjes aktuale në sistem. Sipas tij, hapi i parë duhet të jetë eliminimi i dukurisë së diplomave të “blera”, rikonstrukturimi dhe profilizimi i universiteteve, krijimi i një agjencie shtetërore për dhënien e titujve akademikë, në vend të praktikës ku secili universitet i menaxhon veçmas këto procese, si dhe rritja e buxhetit për institucionet universitare.
“Ky do të duhej të ishte hapi i parë, e më pas të vazhdohej me zbatimin e një strategjie dhjetëvjeçare, e cila do ta afronte Kosovën me Bashkimin Evropian në aspektin akademik, duke ndërtuar një sistem të arsimit të lartë me standarde të qëndrueshme, cilësi dhe integritet akademik”, theksoi Rektori Dërmaku.
Ai ritheksoi se Universiteti Publik “Kadri Zeka” mbetet i përkushtuar për të dhënë kontributin e tij profesional në hartimin e politikave që synojnë rritjen e cilësisë në arsimin e lartë, fuqizimin e kërkimit shkencor, zhvillimin e inovacionit, ndërkombëtarizimin e universiteteve dhe përgatitjen e kuadrove që i përgjigjen kërkesave të tregut të punës dhe zhvillimit të vendit.
Gjatë diskutimeve, përfaqësuesit e institucioneve të arsimit të lartë paraqitën rekomandimet dhe propozimet e tyre lidhur me prioritetet strategjike të arsimit të lartë, duke shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar ngushtë me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës në hartimin dhe zbatimin e Strategjisë së Arsimit të Kosovës 2035+, gjithnjë në ndërtimin e politikave të qëndrueshme që mbështesin cilësinë, inovacionin dhe zhvillimin afatgjatë të sistemit arsimor në vend. /2LONLINE/
