DYLON

Rektori i UKZ-së ka pritur në takim përfaqësuesit e INIBIA për të diskutuar mundësitë e bashkëpunimit

Rektori i UKZ-së ka pritur në takim përfaqësuesit e INIBIA për të diskutuar mundësitë e bashkëpunimit
Avatar photo Redaksia

Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Prof. Asoc. Dr. Artan Dermaku, ka pritur në një takim Dieter Schulze, president i Rrjetit Evropian për Integrim Social dhe Profesional të Personave të Pafavorizuar (REIN) dhe Drejtor Menaxhues i Institutit për Arsimin Ndërkombëtar dhe Tregun e Punës (INIBIA) nga Gjermania, së bashku me Arsim Rexhepin nga shkolla profesionale gjermane Montessori në Sendenhorst.

Takimi u fokusua në mundësitë e bashkëpunimit për zhvillimin e programeve të reja akademike të bazuara në modelin e mësimit dual në nivelin e pestë të arsimit, i cili kombinon teorinë akademike me praktikën profesionale. Ky model, i dëshmuar me sukses në Gjermani, synon të krijojë një lidhje më të fortë mes akademisë dhe sektorit të biznesit, duke përgatitur më mirë studentët për tregun e punës.

Gjatë diskutimeve, u trajtua gjithashtu mundësia e aplikimit në projekte ndërkombëtare për tërheqjen e investimeve, të cilat do të ndihmonin në zhvillimin e programeve të reja inovative në bashkëpunim me industrinë dhe sektorin privat.

Rektori Prof. Asoc. Dr. Artan Dermaku, theksoi se Universitetit Publik “Kadri Zeka” mbetet i përkushtuar për të sjellë modele të reja të edukimit dhe për të integruar më shumë praktika profesionale në programet akademike. “Universiteti Publik “Kadri Zeka” mbetet i përkushtuar për të avancuar arsimin profesional dhe për të krijuar një lidhje të fortë mes akademisë dhe industrisë. Modelet e suksesshme nga vendet evropiane si Gjermania mund të jenë frymëzim për ndërtimin e një sistemi arsimor më efikas dhe të orientuar drejt tregut të punës,” tha Rektori Kosumi.

Nga ana tjetër, Dieter Schulze vlerësoi vizionin e UKZ-së dhe theksoi se Gjermania mbetet e përkushtuar për të mbështetur projekte që fuqizojnë lidhjen mes arsimit dhe tregut të punës. Ai shtoi se INIBIA dhe REIN do të mbështesin Universitetin Publik “Kadri Zeka” në realizimin e projekteve të përbashkëta, duke ndihmuar në krijimin e programeve të përshtatura me nevojat e industrisë dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Në përfundim, të dy palët shprehën gatishmërinë për të vijuar bashkëpunimin dhe për të konkretizuar idetë e diskutuara në projekte konkrete, që do të ndihmojnë në fuqizimin e kapaciteteve arsimore dhe ekonomike të Kosovës. /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.