DYLON

Rekrutët e rinj të FSK-së betohen për shërbim ndaj atdheut

Rekrutët e rinj të FSK-së betohen për shërbim ndaj atdheut
Avatar photo Redaksia

Me një ceremoni madhështore në kazermën ,,Adem Jashari’’ në Prishtinë, sot solemnisht nën intonimin e himnit shtetëror u betuan 16 rekrutët e rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK),” Gjenerata 2021”, të cilët filluan shkollimin për kadetë në Qendrën për Studime Universitare(QSU).

Fillimisht, para të pranishmëve; mysafirë, ushtarakë e familjarë të rekrutëve, revistën e kadetëve të QSU të FSK-së të rreshtuar për ceremoninë e betimit e zhvilloi komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes(KDS), gjeneral brigade Enver Cikaqi.

Rekrutëve të rinj – oficerëve të ardhshëm, të cilët kanë zgjedhur që t’i shërbejnë vendit, iu drejtua komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama, me këto fjalë: ,,Ju falënderoj që iu keni bashkuar familjes sonë, në misionin e përbashkët. Ju siguroj që jeni duke bërë gjënë më fisnike që mund ta bëni, të përgatiteni për mbrojtën e qytetarëve tanë, për ruajtjen e vlerave demokratike dhe për të kontribuar për një botë më të mirë për fëmijët tanë’’.

EkoHigjiena

Gjeneral Rama në vazhdim tha se profesioni i oficerit nuk është i lehtë. Por, me disiplinë, vullnet, integritet dhe dëshirë, duke sfiduar vetën tuaj, do të arrini të korrni suksese gjatë shkollimit dhe gjatë karrierës, duke i bërë krenarë familjen dhe institucionin.

Më tej, komandanti i FSK-së tha; ,,Ne nuk duhet të vetëkënaqemi, por të punojmë shumë dhe me profesionalizëm e të mos dorëzohemi para sfidave që na shfaqen. Si shoqëri kemi avancuar shumë në ngritjen e kapaciteteve tona, por kemi edhe shumë punë për të bërë. I tërë ky rrugëtim është bërë falë bashkëpunimit dhe mbështetjes nga aleatët dhe partnerët tanë, sidomos nga SHBA-të’’.

Gjithashtu, gjeneral Rama foli edhe për procesin e transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura: ,,Tani jemi para një sfide tjetër; transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura. Ky proces është tërësisht në duart e liderëve tanë politikë, të cilët jam i bindur që do të gjejnë mënyrën më të mirë të vendimmarrjes strategjike’’.

Në fund të fjalës së tij, komandanti i FSK-së, gjeneral Rama porositi kadetët e rinj: ,, Gjatë katër viteve të ardhshme ju do të edukoheni, zhvilloheni dhe trajnoheni si udhëheqës, por në asnjë mënyrë mos bëni kompromis me detyrën, nderin dhe atdheun. Respektimi i vlerave dhe standardeve do t’ju bëjë persona më të mirë në ushtri, në familje dhe në shoqëri’’.

Gjatë këtij aktiviteti të pranishmëve iu drejtua edhe komandanti i KDS-së, gjeneral brigade Enver Cikaqi, i cili bëri një paraqitje në retrospektive të shkollimit të kadetëve: ,,Qendra për Studime Universitare tanimë ka bërë një traditë në edukimin e oficerëve të rinj, me rezultatet e së cilës krenohemi të gjithë. Tashmë, në Forcën e Sigurisë së Kosovës numërojmë gjithsejtë 105 oficerë të promovuar nga kjo qendër, të cilët janë duke bërë punë të shkëlqyera nëpër njësitë e tyre’’.

Më tej, gjeneral Cikaqi iu drejtua kadetëve të sapo betuar me këto fjalë: “Betimi që bëtë sot, iu obligon me përgjegjësi të reja të cilat kanë efekt të drejtpërdrejtë në jetën tuaj, në familjet tuaja dhe në raport me FSK-në’’.

Në fund të fjalës së tij, komandanti i KDS-së përgëzoi lidershipin e QSU-së, oficerët dhe nënoficerët që punojnë me kadetë, sepse siç tha gjenerali atyre u është besuar e ardhmja e oficerëve e rrjedhimisht edhe e ardhmja e lidershipit të Forcës tonë.

Në fund rekrutët, kadetët e vitit të parë të studimeve, para oficerëve, familjarëve dhe mysafirëve të tjerë dhanë betimin dhe nënshkruan kontratën e shërbimit në FSK.

Këtë vit janë pranuar dhe kanë filluar vitin akademik 16 rekrutë të rinj, prej tyre dy janë nga Republika e Shqipërisë. Kjo gjeneratë pritet të mbaroj studimet në vitin 2021.

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.