Komiteti për Politikë dhe Financa, në mbledhjen e sotme, nën drejtim e kryesuesit Kushtrim Kadriu, ka shqyrtuar dhe rekomanduar për Kuvendin Komunal të Gjilanit, raporti financiar janar-qershor 2023, të cilin e ka prezantuar Ilmi Limoni, ushtrues detyre i drejtorit të Buxhetit, raportin e punës të kryetarit të Komunës për periudhën janar-qershor 2023, propozim buxhetin për vitin fiskal 2024 si dhe vlerësimet e hershme për vitet 2025-2026, raportin e auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Komunës së Gjilanit për vitin 2022.
Po ashtu, KPF ka rekomanduar për Kuvend edhe planin komunal për ri-integrim të qëndrueshëm të personave të riatdhesuar dhe integrimin e të huajve në komunën e Gjilanit 2022-2025, i cili, siç ka thënë Renan Imam nga Zyra për Komunitete dhe Kthim, përbëhet prej 10 objektivave.
Ndërkaq, projekt-rregulloren për taksat administrative për dhënien e lejes së ndërtimit dhe tarifën për rritje të densitetit në infrastrukturë, e ka prezantuar Ali Arifi, drejtor për Urbanizëm, i cili ka thënë se janë ndjekur të gjitha procedurat e parapara për ndryshimet e propozuara, përfshirë edhe dëgjimin publik.
Komiteti ka shqyrtuar dhe rekomanduar për Kuvend edhe kërkesën e Drejtorisë së Arsimit për ndarjen e bursave për studentë të kësaj komune, sikurse edhe kërkesën e DKRS-së për ndarjen e mjeteve financiare në shumë prej 160 mijë euro për realizimin e dy skulpturave në bronz, të cilën e ka paraqitur drejtori Kushtrim Zeqiri, duke thënë se bëhet fjalë për shtatoret e Kadri Zekës e Ramiz Cërnicës.
KPF i dha përkrahje unanime kësaj kërkese, por shprehu rezerva sa i përket procedurave të ndjekura për realizimin e këtij projekti përmes thirrjes publike.
Kryesuesi Kushtrim Kadriu kërkoi nga DKRS-ja që deri në seancën e ardhshme të Kuvendit ta përmbush dokumentacionin dhe t`i sqarojë paqartësitë e ngritura në KPF.
Njëherësh, KPF i është përgjigjur pozitivisht edhe kërkesës së Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së për një ndihmë në meremetimin e shtëpisë së Naser Hajdarit, derisa kërkesën e fshatit Sllakoc i Epërm për ndarjen e një lokacioni për ndërtimin e një shtëpie përkujtimore e ka refuzuar për shkak se nuk janë ndjekur procedurat e parapara, duke sugjeruar që kërkesa paraprakisht të dërgohet në Drejtorinë e Kadastrës si dhe të shqyrtohet dhe miratohet në Komitetin përkatës.
KPF i ka rekomanduar për Kuvend edhe kërkesat për zëvendësimin e një anëtari në Komisionin Komunal të Aksionarëve në NLP “Stacioni i Autobusëve” si dhe kërkesën për dy zëvendësime në komisionin komunal për ndarjen e bursave. /2LONLINE/