Rei Manaj, sulmuesi shqiptar që u transferua te skuadra e të rinjve të Interit (Primavera) nga Kremoneze për një milion euro në këtë afat kalimtar, do të grumbullohet me ekipin e parë.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë 18-vjeçari në profilin e vet në “Facebook”, ku shkruan: “Ëndrra u bë realitet, do të nis grumbullimin me skuadrën e parë në Bruniko. Stërvitja sot pasdite. Forca Inter”.
Zikaltrit do të rikthehen sot nga Stambolli në Itali për të vijuar përgatitjet, ndërsa brenda kësaj jave do të luajnë kundër Atletik Bilbaos dhe Al Ahlit në miqësore.
Futbollisti i Kombëtares shqiptare U-21 shkëlqeu me Primaveran duke shënuar dy gola në turneun miqësor të fituar pak ditë më parë nga zikaltrit, çka duket se e ka bindur Roberto Mançinin t’i japë një mundësi.