DYLON

Rehabilitimi dhe integrimi në shoqëri të qytetarëve të Kosovës të përfshirë në luftërat e huaj

Avatar photo Redaksia

Përfshirja e luftëtarëve të huaj në konfliktet në Lindjen e Mesme, në kontekstin global, nuk është patjetër një fenomen i kohëve të fundit, dhe kjo nuk mund t’i atribuohet vetëm konflikteve të vonshme në Siri dhe Irak. Edhepse për qytetarët e Kosovës, deri në kohët e fundit ngjarjet në Lindjen e Mesme vlerësoheshin të ishin të një realiteti të shkëputur nga realiteti i tyre dhe shiheshin si ngjarje të largëta, kjo ndryshoi në fund të vitit 2012 kur një qytetarë i Kosovës, i cili i ishte bashkuar forcave opozitare në Siri kundër regjimit të Asadit, u raportua i vrarë. Ky rast shënon luftëtarin e parë të huaj nga Kosova, dhe konfirmon përfshirjen e qytetarëve të Kosovës, në mesin e vendeve tjera, në këtë konflikt.

Në këtë listë, janë të pakta vendet evropiane, përfshirë dhe Amerikën, qytetarët e të cilave nuk janë përfshirë në luftërat e huaja në Siri dhe Irak. Rrjedhimisht edhe përpjekja për tu përballuar me këtë situatë është gjithëpërfshirëse. Gjitha vendet e prekura kanë filluar veç se të hartojnë strategji kombëtare të cilat synojnë shkëputjen e përfshirjes së qytetarëve të tyre në këto konflikte. Pasi që ne të gjithë gjendemi para aktit të kryer, sfida e radhës është sistematizimi dhe qasja ndaj të rikthyerve potencialë.

EkoHigjiena

Përballja me individë dhe grupe të shpallura terroriste që pas sulmeve të natyrës së tillë të 11 Shatorit 2001, nga ajo çka shihet nuk ka rezultuar të jetë domosdoshmërisht e suksesshme. Internimi, ekstradimi dhe luftimi shprehimisht i kësaj ideologjie me format më klishe të njohura, nuk ka i zhdukur e as pakuar ato. Madje, ideologjitë dhe grupet ekstremiste janë shumuar mbi teknikat e përdorura për t’i luftuar ato në rend të parë; tani publiku, përpos Al Qaeda, njihet edhe me ISIS-in, Al-Nusra, Boka Haram etj. Prandaj, forma të tilla sikurse burgimi janë dëshmuar të jenë praktikë jo efikase, e jo vetëm. Burgjet në fakt janë dëshmuar të jenë inkubator të radikalizmit.

Rrjedhimisht, kërkohet një mendësi e re në trajtimin e fenomenit dhe individëve të cilët janë të përfshirë në një formë apo tjetër, më saktësisht të rikthyerve nga konfliktet e huaja. Sipas zhvillimeve të fundit, vlerësohet të jetë arritur një pajtueshmëri ndërkombëtare lidhur me trajtimin e të rikthyerve nga zonat e luftës, që shmang burgimin e tyre si të mirëqenë. Për më tepër që mungesa e prezencës së Bashkimit Evropian dhe autoriteteve tjera ndërkombëtare në territoret ku po zhvillohen konfliktet vështirëson dëshmimin se një qytetarë i rikthyer ka kryer krime .

Përfshirja e qytetarëve tonë në luftërat e huaja në Siri dhe Irak është veç se akt i kryer. Andaj, përderisa duhet të vazhdohet të punohet në strategji dhe praktika për parandalimin e pjesëmarrjes së qytetarëve tanë, njëkohësisht dhe njëtrajtësisht duhet të investohet në strategji kombëtare të zbatueshme në rast të rikthimit të tyre. Ka një pajtueshmëri se në shumicën e rasteve qytetarët që u janë bashkangjitur grupeve të ndryshme të luftimeve janë të rinj naivë e të manipuluar, në po aq raste si rezultat i mossuksesit të shtetit në përmbushjen e përgjegjësive të tij; arsimi i mirëfilltë, zhvillimi ekonomik, prosperiteti, mbështetja institucionale dhe profesionale etj. Në një situatë të tillë, shteti duhet të marr përgjegjësi të plotë. Atëherë, zbatimi i një sistemi ligjor, që Kosova ka zgjedhë të aplikoj, e që i persekuton si të dhënë pjesëmarrësit në luftërat e huaja i kushtëzon ata që të vazhdojnë qëndrimin duke e thelluar implikimin e tyre në këto konflikte.

Pavarësisht se shoqëria jonë intrigohet nga natyra paragjykuese që ndikohet nga mentaliteti i krijuar në bazë të kontekstit socio-historik, sipas përshtypjeve të marra në terren dhe nga opinioni publik i krijuar, shoqëria kosovare si e vetme ka treguar një maturi në perceptimin e problemit dhe në përkrahjen e praktikës për rehabilitim dhe riintegrim. Karshi kësaj, rekomandimet e nxjerrura nga raporti i publikuar i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) mbi “shkaqet dhe pasojat e përfshirjes së qytetarëve të Kosovës si luftëtarë të huaj në Siri edhe Irak” favorizojnë një qasje gjithëpërfshirëse për rehabilitim dhe riintegrim, e që është në koherencë me praktikat e vendeve evropiane. Arrestimet, burgimet ose vënia e njerëzve para gjyqit duhet të shmanget sa më shumë që të jetë e mundur, në përjashtim të rasteve kur autoritetet zotërojnë fakte të bollshme për të marr një veprim të tillë. Mbi këtë linjë të mendimit, QKSS propozon se duhet bërë grupimi i qytetarëve që kthehen ose potencialisht do të duan të kthehen, në kategoritë që vijojnë:

(a) Në ata që janë penduar se u janë bashkuar luftimeve në Siri dhe kanë pësuar një ndryshim rrënjësor kongnitv duke braktisur aktet dhe ideologjinë e dhunshme.
(b) Në ata që janë penduar se u janë bashkuar luftimeve, mirëpo vazhdojnë të ruajnë ideologjinë e vet ekstremiste, por pa ushtruar më dhunë.
(c) Në ata që as nuk janë penduar që u janë bashkuar luftimeve as për ideologjinë e tyre të dhunshme, dhe do të donin të ktheheshin në Kosovë për arsye rekrutimi dhe shpërndarje të ideologjisë.

Kjo ndarje përjashton qasjen “një kallëp për të gjithë” pasi duhet ndërmerret një qasje shumëdimensionale komfor grupimit dhe rasteve individuale. Të kthyerit duhet të kalojnë në një proces shqyrtimi nga institucionet e sigurisë për të kuptuar qëllimin e kthimit të tyre, dhe për të identifikuar se cilit nga tre grupet e lartpërmendura i takojnë. Padyshim se personat që i takojnë kategorisë së tretë duhet ti shtrohet masave të sigurisë për të neutralizuar ndikimin tyre, kurse për dy kategoritë, do të thotë, duhet të krijohet një program rehabilitimi dhe ri-integrimi që në thelb mishëron parimin “ndihmo dhe vëzhgo”.

Patjetër se luftëtarët e huaj të përfshirë në luftën në Siri dhe Irak duhet të hetohen nga institucionet e sigurisë për të vlerësuar nivelin e rrezikshmërisë që ata mund të paraqesin për shoqërinë. Edhepse raportet ndërkombëtare shprehin indikacionin se luftëtarët e huaj që shkojnë për herë të parë me shumë gjasë pendohen për veprimin e tyre dhe tregohen të gatshëm për tu shkëputur nga përvoja e tyre në konflikt . Sido që të jetë një skenim nga autoritetet e sigurisë është shumë i rëndësishëm. Kjo për arsye jo vetëm për të siguruar një ambient të sigurt për të tjerët, mirëpo edhe për të llogaritur trajtimin e të rikthyerve në bazë të rasteve (siç e përmendëm më lartë), dhe për të identifikuar partnerët për bashkëpunim në mesin e të rikthyerve . Me të përfunduar hetimi dhe grupimi i tyre, “të penduarit” më pas duhet të funksionalizohen dhe faktorizohen në narrativen kundër terroriste . Ata duhet të konsiderohen si asete të vlefshme në ndarjen e përvojave të tyre me personat të cilët kanë tendenca për tu radikalizuar.

Prej vendeve të huaja, Danimarka njihet për qasjen e tyre kundruall shtetasve të tyre të rikthyer. Ky vend promovon parimi “i pafajshëm përderisa nuk provohet e kundërta”. Në rastet kur nuk mund të provohet se qytetarët tyre kanë kryer krime gjatë kohës sa kanë qenë pjesëmarrës në luftë, e që janë të shumta për arsye të lartpërmendura, ata nuk duhet konsiderohen si të tillë dhe duhet të riintegrohen në shoqëri. Qytetarët e tyre të rikthyer nga luftërat e huaja i trajton sikurse persona rebeluar në vend se si ushtarë të rrezikshëm . Strategjia e tyre ka për qëllim krijimin e faktorëve tërheqës që nxisin shtetasit e saj të kthehen në vendlindje pasi që sa ma shumë që ata qëndrojnë atje, aq më të papërmirësueshëm dhe të rrezikshëm bëhen në rast se kthehen . Kjo qasje përfshinë rehabilitimin dhe riintegrimin në shoqëri përmes ofrimit të një vendi pune, vendbanimi, mbështetje dhe ndihmë mjekësore, dhe këshillimi profesional. Pikërisht këta të rehabilituar luajnë një rol integral në narrativen kundër terroriste që zbatohet mbi persona të brishtë me tendenca për të ju bashkangjitur luftës në Siri dhe Irak. Përpos kësaj, institucionet e Danimarkës, gjithashtu kanë vlerësuar dhe faktorizuar rolin e prindërve, veçanërisht të nënës, në vetëdijesimin e qytetarëve pjesëmarrës për tu rikthyer në atdhe, duke konsideruar faktin se në shumicën e rasteve ata janë viktima të trushpërlarjes . Prindërit këshillohen nga punëtorë social të trajnuar mirë se si të komunikojnë, dhe në raste se është e mundur, dhe të ndikojnë në rikthimin e tyre. Kështu, Danimarka shënon shembull se si shteti merr përgjegjësinë për qytetarët e tij, duke ju ofruar ndihmë dhe mbështetje, në vend se të ketë qasje përjashtuese.

Prandaj QKSS, bazuar në këto praktika ndërkombëtare, propozon që të fuqizohet komuniteti mysliman si dhe të shtohet intensiteti i bashkëpunimit mes organeve shtetërore dhe këtij komuniteti në krijimin e predispozitave për rehabilitimin dhe integrimin e të kthyerve potencialë. Këto predispozita do të duhet të anulojnë qasjen përjashtuese dhe paragjykimet ndaj të kthyerve nga shoqëria dhe institucionet në mënyrë që të eliminojnë çfarëdo lloj prepotence nga grupet ekstremiste për të rikthyer ndikimin mbi ta. Izolimi i tyre pas kthimit në atdhe nuk sjell asnjë dobi vetëm se krijon kushtet për një kundërreaksion revoltues të mundshëm. Në fund të fundit, detyra e shtetit si i tillë është që të mbrojë dhe mbështetë qytetarët e tij, e për më tepër kur në opinionin publik vendor e ndërkombëtarë shënohet një mirëkuptim dhe vullnet i mirë për rehabilitimin dhe riintegrimin e tyre.

Përfundimisht, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë e sheh si qenësore për Kosovën rëndësinë e përpilimit të një strategjie kombëtare që ka për qëllim rehabilitimin dhe riintegrimin e qytetarëve të saj të kthyer nga konfliktet e huaja, karshi rekomandimeve të ofruara.

Përparim Kryeziu
Hulumtues në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë – QKSS