Sipas Byrosë së Meteorologjisë, Australia po kalon në verën më të nxehtë që është shënuar ndonjëherë. Qindra rekorde lokale janë thyer në mbarë vendin gjatë tre muajve të kaluar.
Temperaturat e regjistruara gjatë kësaj vere kanë qenë mesatarisht për 1 gradë më të larta sesa në verën e vitit 2013, kur ishte thyer rekordi i mëparshëm.
Temperatura mesatare ka qenë 2.1 gradë më e lartë se mesatarja e një periudhe të gjatë kohore. Moti i jashtëzakonshëm ka shkaktuar zjarre në natyrë, ndërprerje të energjisë elektrike dhe rritje të numrit të personave që janë trajtuar nëpër spitale.
Përpos njerëzve, pasojat e temperaturave jashtëzakonisht të larta i kanë përjetuar edhe kafshët. Autoritetet kanë raportuar për ngordhje masive të kuajve, lakuriqëve dhe peshqve për shkak të thatësirës së madhe.