Regjistri elektronik i Procedurave Administrative për herë të parë nis në Gjilan
/2L ONLINE/ – Komuna e Gjilanit sot ka bërë publik faqen (linkun) e ri të regjistrit online të procedurave administrative, model i punës që nis me Gjilanin si Komuna e parë në nivelin e Kosovës, për të vazhduar me hapa të tjerë në digjitalizim të administratës dhe shërbimeve për qytetarë.
Ky projekt është realizuar në bashkëpunim dhe mbështetje të Bankës Botërore dhe lehtëson të gjitha procedurat administrative me qëllim të rritjes së cilësisë së shërbimeve për qytetarë.
Me këtë rast drejtori i Drejtorisë së Administratës së Përgjithshme, Nazim Gagica, në fjalën e tij ka thënë se ky projekt është vazhdimësi e planifikimit të Komunës në digjitalizim të shërbimeve dhe rritje të efikasitetit në shërbim të qytetarëve
“Falënderojmë Bankën Botërore për këtë mbashtetje dhe përcaktim që ky projekt të nis me Komunën e Gjilanit, për të thjeshtëzuar dhe rritur efikasitetin përmes këtij linku elektronik të procedurës administrative. Faqja elektronike për digjitalizim të shërbimeve në procedurat administrative, është një hap tjetër drejtë rritjes së cilësisë dhe dhënies së shërbimeve në administratën komunale në përgjithësi, ku do të jenë aktive të gjitha drejtoritë komunale, duke nisur nga procedura për pajisje me certifikata të lindjes e deri tek lejet urbaniztike apo shërbimet e tjera, që në përgjithësi janë rreth 200 shërbime të ndryshme që do të ofrohen për qytetarë si informacion detaj në formë elektronike”, ka thënë në fjalën e tij drejtori Gagica.
Ai ka thënë se kjo është një risi e gjitha që mbetet për Komunës së Gjilanit si institucion është mirëmbajtja dhe qytetarëve u mbetet pjesa tjetër ajo e shfrytëzimit të saj, sepse përmes faqes që po e promovojmë sot do të jepen shërbime më të shpejta dhe efikase për qytetarët e Gjilanit.
Gjithashtu Gagica ka thënë se në këtë platform do të jenë të publikuar edhe të gjithë formularët, që mund të shkarkohen dhe plotësohen ende pa shkuar në sportelin e Komunës, për të vazhduar më pas edhe me shërbime të tjera edhe më të avancuar në të ardhmen.
Ndërsa, Emrush Ujkani, përfaqësues i Bankës Botërore në Kosovë, ka thënë se ky projekt elektronik – online i procedurave administrative, lansohet për herë të parë në Komunën e Gjilanit pas shumë angazhimeve dhe grumbullimit të informacioneve të mjaftueshme.
“Regjistri online i procedurës administrative po nis së implementuari së pari në Gjilan. Kemi një regjistër me mbi 180 dokumente të procedurave administrative. Ëshë shumë me rëndësi që qytetari në çdo kohë, ka mundësi të shohë çdo lloj procedure administrative që ka në Komunë duke nisur nga procedura e pajisjes me një certifikatë të lindjes e deri tek dokumentet si krijim të bizneseve, leje të ndryshme të legalizimit të ndërtimeve, procedura të ndryshme në sektorin e bujqësisë, Kadastrit, Pronës, Shërbimeve Publike, Shëndetësisë dhe shumë dokumente të tjera që do të gjenden në një link të veçantë. Të gjitha procedurat administrative dhe kjo platform do të jenë online dhe bazohet në tri shtylla kryesore, që për një qytetarë, biznes apo subjekte të tjetër, nëse dëshiron të dinë supozojmë marrjen e lejës së ndërtimit, e para, është emërtimi i procedurës administrative, e dyta është institucioni kompetent (personi kompetent, adresa, kontakti etj), informacioni i mjaftueshëm i bazës ligjore dhe e treta është baza e gjithë kësaje, pra është dokumentacioni që pala duhet ta dorëzoj kur aplikon në ndonjërën nga procedurat që është i interesuar”, ka thënë në elaborimin e tij Ujkani.
Ai ka ftuar qytetarët që të shohin paraprakisht procedurën online për një dokument të caktuar që atyre u intereson.
Kjo platform mund të gjendet në ueb faqen e Komunës së Gjilanit e cila është kk.rks-gov.net/gjilan tek linku Regjistri i Procedurave Administrative, ose rpa.rks-gov.net./2L ONLINE/
