Kushtrim Kadriu
Gjilan – (2LONLINE) – Kaherë Lëvizja Vatra ka tërhequr vërejtjen se regjistrimi i popullatës është e drejtë elementare e një qytetari. Madje edhe me konventa ndërkombëtare, një shtet kur pavarësohet, gjegjësisht e shpallë pavarësinë, është i obliguar që të gjithë qytetarët që jetojnë në atë kohë brenda atij Shteti, t’u pranohet nënshtetësia me automatizëm.
Mirëpo në Kosovë ndodhi ajo që askush nuk e kishte pritur, sepse botërisht dihet se një pjesë e madhe e qytetarëve të Kosovës Lindore pas çlirimit të Kosovës, u dëbuan nga ajo pjesë për të gjet strehim, ku tjetër pos në Atdheun e tyre, gjegjësisht në Gjilan e qytete tjera në vend.
Ndonëse, kaluan më shumë se katërmbëdhjetë vite, një pjesë e tyre ende jetojnë pa dokumente të identifikimit, d.m.th. refugjatë në vend të vet! Me të drejtë këta qytetarë pyesin, kush po e pengon këtë proces, apo kush na e mohon këtë të drejtë elementare neve që nuk jemi pak në numër? Madje pa fajin tonë, por me dhunë sistematike (e që i gjithë opinioni është në dijeni për këtë), erërat e luftës na sollën në tokën shqiptare po nga toka shqiptare!!!
Është folur e përfolur shumë për këta njerëz, që bredhin nga njëra zyrë në tjetër duke i shëtitur sikur të ishin lodra, madje duke u tallur me ne, e në shumë raste duke u kërkuar mito të majme. E, ku të marrin këta të gjorë, që mezi ia dalin të mbijetojnë, e lëre më të mbushin gjepat e atyre që nuk ngopen as me para as me turp! Dhe kur shohim përplot sharrëxhi dhe punëtorë krahu nga më të ndryshëm, të kujton prindërit apo gjyshërit tanë që kishin siguruar bukën nëpër qytetet e ndryshme të Serbisë, kuptohet duke u kryer punët më të rënda ,,zotërinjve’’ të pamëshirshëm.
Edhe nëse nuk është e qëllimshme, ne në Lëvizjen Vatra mendojmë se ka mund të bëhet më shumë për këta njerëz, madje pas kaq shumë kohësh nuk është dashur të flasim për këtë problem, sepse edhe ashtu të tilla ka mjaft.
Sido qoftë, të dhënat tona flasin për një numër prej mbi 450 personave që janë paraqitur për regjistrim, e kur kihet parasysh se një pjesë e tyre janë kryefamiljarë dhe të atyre që nuk janë lajmëruar, del se ne jemi dëmtuar për në zgjedhjet lokale me mbi 1000 votues.
Është kjo strategji e dikujt apo jo, le të mbetet në ndërgjegjen e atyre që ua mohojnë këtë të drejtë elementare këtyre qytetarëve. Fundja, pak rëndësi ka se është dëmtuar Lëvizja, por janë dëmtuar nxënësit, studentët, punëtorët etj. në realizimin e të drejtave të tyre, ndërsa kur janë në pyetje tatimet, që edhe ashtu janë të obligueshme për të gjithë, nuk harrohen asnjëherë. /2lonline/
(autori është përfaqësues i Lëvizjes Vatra – Gjilan)