(2LONLINE) – Paralajmërimi për disa procese të rrezikshme për një të ardhme të afërt, e të cilat do të mundësonin “krijimin” e mundësive tjera (shtesë, “të garantuara”), që Serbia t’i fus kthetrat e saj përfundimisht brenda Kosovës ishin injoruar e në disa raste edhe përqeshur.
Angazhimi i shumë qytetarëve të, ende, Republikës unike (edhe pse jo edhe të tërësishme territoriale) në aksione, protesta e aktivitete tjera të ndryshme, ishte shtypur pothuajse çdo herë nga aparati i dhunës së regjimit në largim e sipër!
Reforma zgjedhore që duhet bëhet, e që në fakt nga fjala nënkupton ndryshim brenda procesit ekzistues të tillë, nuk po paraqet asgjë më tepër, vetëm se një seri takimesh të “liderëve” politik kosovarë, në ambasada e vende të huaja. Për shumë nga këta liderë partiak, këto takime nuk shihen si mundësi për të kërkuar ndryshimet e nevojshme dhe të pashmangshme brenda procesit zgjedhor, por vetëm një hapësirë mediale që të tregohet para elektoratit kosovar se ne jemi ata që kanë përkrahje ndërkombëtare (dihet mjaft mirë se sa e rëndësishme është përkrahja ndërkombëtare për elektoratin kosovar për procesin zgjedhore i cili po afrohet). Parimisht, një vend që ka shpallur pavarësinë dhe thirret në parimet e shtetit sovran e të pavarur, nuk ka nevojë për takime në përfaqësitë e shteteve të ndryshme, për të zhvilluar bisedime mbi ndryshime apo reformë zgjedhore. E për fat të keq të popullit, “të zgjedhurit” e tyre, lëre që nuk iu pengon kjo, por ata krenohen me këtë fakt.
Tema e shumë biseduar kohët e fundit, e që paraqet edhe njërin nga ndryshimet (nëse do të bëhen) më të mëdha brenda procesit zgjedhor, janë ulëset e rezervuara për pakicat brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Çka pritet nga reforma zgjedhore!
Nga kjo reformë zgjedhore, sikur edhe çdo herë tjetër nuk mund të presim që ne të shtypurit, pra shumica, të dalim me ndonjë përfundim pozitiv, ose të paktën përfundim të merituar.
Termi diskriminim, në shoqërinë tonë, qoftë politike apo jo, me sa duket është keqkuptuar e madje në disa raste edhe nuk shikohet në dy aspektet e tij. Diskrimini negativ është fakt që nuk duhet të lejojmë që të paraqitet. Diskriminimi pozitiv në anën tjetër është një mjet edhe më i rrezikshëm. Përmes këtij të fundit, jo vetëm që presupozon se subjektit që i drejtohet ai është i paaftë (në disa raste), po përmes tij shfaqet edhe diskrimini negativ ndaj shumicës së popullit. E shumica e popullit janë pikërisht ata, të shtypurit, të pagjeturit, dëshmorët, të pastrehët, të uriturit, ata në varfëri ekstreme…
Ky proces rrezikon që të kalojë nga ulëset e rezervuara në ulëse të garantuara, e kur fuzionohet me procesin e fundit “të suksesshëm” zgjedhor, nga i cili 9 komuna të (ende) Republikës, do të udhëhiqen nga lista serbe e do të krijojnë asociacionin e komunave serbe. Kështu do të shndërrohen jo në faktorë të rëndësishëm, por ndoshta edhe në faktorë vendimmarrës brenda Kosovës, me (po e ekzagjerojmë pak) as 10% pjesëmarrje në numrin e përgjithshëm të popullit të vendit.
Kjo lloj patologjie që ka filluar të shfaqet qysh nga paslufta, e po vazhdon ende, nuk ka bërë asgjë tjetër pos që po i hap sytë shtetit serb, duke e lënë të kuptojë që sa më shumë kërkon aq më shumë merr. Pos kësaj, me kufoma shqiptare nën asfalt e ndërtesa, ata po vazhdojnë me hapa të sigurt drejt BE-së.
Reforma zgjedhore dhe shndërrimi i vendeve të rezervuara në vend të garantuara, është vetëm çështje kohe.
Kur e shikojmë situatën aktuale, e sidomos afërsinë e zgjedhjeve nacionale, reforma zgjedhore vështirë do të përfundojë para zgjedhjeve. Kjo për arsye se, nëse në këtë kohë vendoset për reformë zgjedhore, e që do të thoshte kalimin nga rezervimi në garantim për ulëset e pakicave ose nulifikimin e tyre, nuk iu konvenon as regjimit aktual, në asnjërin variant. Andaj, siç u cek edhe më lartë, shndërrimi i ulëseve të rezervuara në ulëse të garantuara është vetëm çështje kohe.
Nëse e shikojmë nenin 143, paragrafin e 3-të, të Kushtetues së (ende) Republikës së Kosovës, të gjitha benificionet që i kanë marrë pakicat, sidomos ajo serbe, deri më tash dalin të jenë të jashtëligjshme, sepse shkelin ligjet pozitive të Kosovës. Por, prapë mund të konsiderohen si të ligjshme, për arsye se Porpozimi (i ashtuquajtur) Gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statutit të Kosovës, i 26 marsit 2007, nga i cili edhe burojnë këto të drejta, në nenin e lartpërmendur thuhet se “Në rast papajtueshmërie mes Kushtetutës, ligjeve dhe akteve tjera nënligjore të Republikës së Kosovës kjo e fundit dominon” (pra Pakoja e Ahtisarit).
Kalimi nga ulëset e Rezervuara në ulëse të Garantuara!
Ky proces i shndërrimit të ulëseve të rezervuara në ulëse të garantuara, me insistimin që sigurisht do ta bëjë shteti serb në bisedimet famëkeqe (të paktën për Kosovën) të Brukselit, sigurisht që do të bëhet. Besoj që pala serbe do të ketë mirëkuptim që kjo të ndodhë pas zgjedhjeve, në mënyrë që t’i mundësohet regjimit aktual që të fitojë edhe një mandat, e kështu vazhdimësia e marrëveshjeve të dëmshme për Kosovën, e të favorshme për Serbinë, të përfundohet një herë e përgjithmonë.
Këto ulëse janë jo demokratike, e madje edhe do të vazhdonin pabarazinë dhe shkeljen e të shtypurve, pra shqiptarëve. Përderisa serbët dhe pakicat tjera do të merrnin vende të garantuara, pjesa tjetër apo e popullit do të duhej t’i fitonin ato me vota, e që paraqet mënyrën se si duhet ardhur normalisht deri në fitimin e ulëseve në Kuvendin e Kosovës.
Sundimi i popullit, pra demokracia, është e kundërta e sundimit të pakicës. Demokracia është sundimi i shumicës.
Në disa raste, barazimi nuk do të thotë që është trajtim i barabartë. Për grupe të caktuara, si ata me nevoja të veçanta, raste sociale, e kështu me radhë, duhet trajtim tjetër favorizues, e kështu barazia e ktyrë të fundit do të arrihej karshi grupeve tjera të shoqërisë.
Kalimi në ulëse të garantuara paraqet rrezik shumë të madh për të tashmen, por edhe më të madh për të ardhmen e vendit. Duke e ditur që shteti serb, ka apetite të shpërfaqura për kontrollin mbi shtetin e Kosovës, ne nuk duhet lejuar që t’i ofrojmë mjete për të shtrirë ndikimin e për të ushtruar kontroll edhe përmes institucioneve shtetërore.
Përderisa pretendohet që Kushtetuta e vendit mbron interesat dhe paraqet vullnetin e popullit, në Kosovë ndodhë krejtësisht e kundërta: Kushtetuta as nuk është shprehja direkte e vullnetit të qytetarëve përmes referendumit (përkundrazi e ndalon referendumin); as nuk është produkt i përfaqësuesve të popullit (që do të thoshte se kushtetuta do të ishte përgatitur nga të zgjedhurit e popullit). Kjo për faktin që Kushtetuta është vetëm rezultat i dëshirave të ndërkombëtarëve për ta kënaqur e për ta rehabilituar shtetin serb.
Kjo Kushtetutë nga e cila burgon edhe ligji për zgjedhjet, e i cili kërkohet që të ndryshohet tani, nuk duhet dhënë mundësinë që vetëm të ndryshohet në pjesët ku flitet për pakicat dhe vendet e rezervuara. Kjo kushtetutë duhet ndërruar tërësisht. Një shtet i cili ka Kushtetutë të miratuar përmes referendumit, do të ishte shtet i qëndrueshëm, sovran dhe demokratik, ashtu siç pretendohet. Ky shtet do ta paraqiste vullnetin e vërtetë të sovranit. Më një Kushtetutë të tillë do të sigurohej ekzistenca e shtetit të Kosovës, do të ripërtrihej Pavarësia gjysmake, të cilën tani e kemi (e që si duket edhe ajo që ka mbetur po rrezikohet). Krejt në fund, do të sigurohej trajtim i barabartë për të gjithë qytetarët e Kosovës, duke përfshirë këtu edhe qytetarët që i takojnë grupeve jo shumicë (sidomos serbëve), të cilat po favorizohen në mënyrë të padrejtë. Aktualisht, ata po shndërrohen në shumicë absolute, absurde, kundrejt shumicës reale.
/Alban HYSENI/