Shkruan: Dr. Mustafa BAJRAMI
Është shumë e rëndësishme të themi se lëvizja për ndryshime nuk guxon të kuptohen si iniciativë për interesa të njerëzve të rinj që duhet të vijnë. Nuk guxojmë të përshkruajmë as pagabueshmëritë eventuale në rrugën e ndryshimeve. Kanë rëndësi të madhe ndryshimet që duhet të ndodhin dhe të cilat ashpër po kundërshtohen. Ato duhet të fillojnë sa më shpejt dhe konform nevojave të kohës. Ligjin e jetës nuk mund ta ndalim!
Si u bë që mendimi njerëzor të transformohet nëpër kohë?
Duke përcjellë me përkushtimin më të madh përshtypjet e njërit prej mendimtarëve më të mëdhenj të shekullit të kaluar, themi: Mendimi njerëzor nëpër shekujt e historisë së formimit të vet përjetoi zhvillime dhe variacione të ndryshme. Në filozofi, kaloi nëpër tunelet e mitologjisë, misticizmit, sofizmit, pastaj, e ngjeshur butësisht nga mësimet moralo-sociale dhe politike të Soktratit, Platonit dhe Aristotelit kaloi tek Mesjeta ku u ngjyros me bojën e skolastikës e nga andej, në Kohën e Re i shtrohet ekspertizave të racionalizmit, spiritualizmit, empirizmit, metafizikës, nominalizmit, pragmatizmit e kriticizmit. Edhe në politikë pati tundje dhe zhvillime të mëdha; absolutizmi, autokratia, plutokratia, fashizmi, komunizmi, demokracia janë vetëm disa nga “shkollat” nëpër të cilat kaloi mendimi njerëzor. Në letërsi gjithashtu përjetoi transformime. Nga romantizmi, nëpër racionalizëm, pastaj në realizëm e deri sot në format globale të zhvillimit të vet. S’duhet harruar metamorfozën e mendimit njerëzor edhe ne religjion. Nga ateizmi, nëpërmes panteizmit dhe formave tjera të politeizmit e në fund, duke u ndalë në monoteizëm, përjetoi ndryshimet dhe traumat më të mëdha. Falë përpjekjes së njerëzve me ide dhe vizione të qarta, mendimi njerëzor i situr nëpër të gjitha sitat e mundshme të zhvillimit të vet, për të mbërri këtu, u bënë edhe më shumë përpjekje për tu transformuar në energji kreative, nxitëse për aktivitete të gjithëmbarshme të shoqërisë njerëzore. Këta njerëz, përgatitën terrenin për ndryshime dhe sakrifikuan gati çdo gjë për të mirën e njerëzimit; Të gjithën këtë e realizuan, me reforma.
Çmimi i reformës, sa është?
Nevoja për ndryshim është ligj i natyrës. Kësaj rrjedhe që quhet progres evolutiv, sikur gjallesat tjera i nënshtrohet edhe jeta e njeriut. Jeta nuk njeh qetësi. Ajo dhe qetësia janë dy terme kontradiktore mes vete. Përderisa ec përpara, nevoja për ndryshime dhe reforma sa shkon e shtohet. Me gjithë pengesat e mëdha në rrugën e ndryshimeve, bartësit e ideve të reja bënë të pamundurën për ndryshimin e gjendjes së shoqërive. As inkuizicioni, as nguljet në hu për së gjalli, as varjet publike, vrasjet e as shpallja për heretikë vizionarët nuk i ndalën. Ata që kundërshtojnë ndryshimet sikur edhe ata që kërkojnë kthim prapa, kanë qenë dhe do të jenë shkaktarë të stagnimeve dhe të përleshjeve të ashpra mes njerëzve. Asnjë fjalë tjetër e dalë nga goja e njeriut nuk pati fat më të keq por edhe ndikim më të madh në historinë e civilizimeve se sa fjala reformë, rrjedhimisht, reformatorët mbesin njerëzit mbi supet e të cilëve u lëshuan torturat më çnjerëzore. Reforma ishte ideali i mendjendriturve, ndërsa për destruktivët dhe konservatorët ajo edhe më tutje nënkupton heretizmin dhe anarkinë. Në rrugën për të ndalë reformat, pushtetarët despotik të ndihmuar nga politikanët dhe dijetarët servil shtypën mendimin produktiv dhe si rrjedhojë u shkaktuan revolucione në të cilët flijuan jetët e vet bijtë më të çmuar të shoqërisë njerëzore.
Si u ndryshua vizioni i Muhamedit a.s. për një shoqëri tolerante, përse dhe nga kush?
Duhet rikujtuar faktin që feja nuk duron ngurtësinë të cilën shumë herë e promovuan dhe vazhdojnë ta promovojnë njerëzit shpirtngushtë. Këta njerëz duhet penguar në ushtrimin e ndikimit të tyre personal mbi fenë dhe mbi shoqërinë. Ata nuk duhet lejuar të realizojnë synimet dhe rolet e tyre të zymta që eventualisht mund t’i luajnë në teatrin e jetës sonë. Shpjegimi i fesë së Zotit nën prizmin e optikave të ngushta mjegullon vizionet e reja dhe është i dëmshëm për shoqërinë. Shtrembërimi i mësimeve hyjnore është vepër e urryer nga Allahu i Madhërishëm. Kurani sikur edhe librat tjerë të shpallur nga Zoti në mënyrë eksplicite refuzojnë ashpërsinë dhe format tjera ekstreme të sjelljeve njerëzore. Me përmbajtje dhe mësime të qëndrueshme sociale-politike, Islami arriti për një kohë të shkurtër të krijojë një “mbretëri” të madhe e përbërë nga popuj të ndryshëm të cilëve fare nuk u pengonte koloriteti i madh i kulturave të inkorporuara në shoqërinë e re islame. Popuj të tërë, kultura, tradita e zakone krijuan njërin nga mega-civilizimet më të famshme që krijoi njeriu. Homogjen në tërësinë e saj por e larmishme në popuj, raca dhe fise, shoqëria e dikurshme myslimane i dhuroi njerëzimit një kulturë tolerance të cilën sot më së paku e respektojnë ata që më së shumti duhet respektuar. Mesazhi i dalë nga ajo botë e re që ishte krijuar duhet lexuar me gjuhën e respektimit të lirive dhe të drejtave të individit dhe të cilat domosdo duhet promovuar. Kështu ishte në fillimin e saj, por si është sot, në këtë botë me kaq shumë probleme, me kaq shumë shkelje të të drejtave, lirive mbase edhe ato për të jetuar? Sa i respektojnë myslimanët konventat e fesë së vet, dhe sa i zbatojnë mesazhet e saj? A thua a po jetohet si duhet Islami; fe e paqes, barabarësisë, tolerancës, vëllazërimit njerëzorë dhe drejtësisë sociale? Në këtë rast, si institucion që duhet të promovonte mesazhin hyjnor, sa është duke bërë Bashkësia Islame e Kosovës për te qenë edhe një faktor më shumë në bashkimin e mendjeve dhe zemrave të pjesëtarëve të kombit dhe më gjerë? Çfarë është roli i saj dhe cila është platforma e këtij institucioni për të unifikuar qëndrimet karshi problemeve sociale? A mos është ajo fajtore në paraqitjen e kaq shumë rrymimeve, ndryshimeve rapide dhe të panevojshme, ndoshta edhe të dëmshme për shoqërinë tonë? Nëse nuk është fajtore e që unë mendoj se nuk është, atëherë ajo duhet të jetë faktor dhe promotor i unifikimit të qëndrimeve dhe nga andej e veprimeve të matura, produktive dhe të bereqetshme për gjithë nënqiellin ku jetojmë. Pyes lexuesin, çka na bie më shumë ndër mend sot kur dëgjojmë fjalën Bashkësia Islame e Kosovës; demokracia, drejtësia, toleranca, shpjegimet shkencore në frymën e kohës, apo, lufta për të mbrojtur pozitat, zënkat mes vete, shpjegimet shumë herë të thata dhe sterile me një gjuhë të stërvjetruar që nuk përkon me realitetin fetar islam? Përse të lejohet që ajo pagë e përjetshme e myftiut të Kosovës të jetë shkak me të drejtë i pezmit, pakënaqësive dhe kundërshtive në rritje e qytetarëve të vendit, e në vend se të saj të programet kuptimplota, studimet dhe hulumtimet në Institutin për Hulumtime Shkencore Teologjike Islame që duhej të ishte themeluar e që do të na kishte gëzuar, tubuar dhe punuar së bashku në përmirësimin e gjendjes së rëndë në të cilën gjendet jo vetëm Bashkësia Islame e Kosovës por edhe shumë segmente tjera të shoqërisë? Përse dhe prej nga e gjithë kjo këmbëngulje të refuzohen kaq ashpër kërkesat dhe nevojat për ndryshime substanciale në institucionin e Bashkësisë Islame? Pyetjet e këtilla donë përgjigje, serioze, të shpejt dhe me një vizion të qartë. Kreu i institucionit më të lartë fetar islam i vendit duhet të ndjehet përgjegjës për gjendjen e tendosur pikërisht për shkak të vullnetit të çuditshëm për ti ikur përgjegjësisë të cilën e nesërmja do ta përshkruaj me fjalët që sot është duke i merituar. Historia nuk falë, as nuk harron, anipse njerëzit mund të falin dha harrojnë të bëmat që i janë shkaktuar Bashkësisë Islame dhe punonjësve të saj.
“Përjetësitë” e panevojshme në Bashkësinë Islame të Kosovës, në dobi të kujt?
Në mungesë të vullnetit për ndryshime dhe reforma, po duken qartë dobësitë evidente. Tendencat separatiste brenda Bashkësisë Islame kanë zënë fill ndërsa institucioni me të cilin dikur krenoheshim, dalëngadalë po humb unitetin. Plasaritjet brenda saj po ndajnë punonjësit dhe besimtarët. Në mungesë të aktivitetit të mirëfilltë të udhëheqësisë së Bashkësisë Islame, rolin primar të aktiviteteve e kanë marrë të tjerët jashtë këtij organizmi fetar. Me veprimtaritë e tyre ata po realizojnë mësimet makiaveliste ndoshta pa e lexuar fare Makiavelin. Nuk po kursehet asgjë për tu arritur qëllimi. Qëndrimeve dhe tendencave të veta po u vejnë në shërbim mësimet islame ndoshta pavetëdijshëm të shtrembëruara. Në syrin e njerëzve të arsyeshëm feja e Zotit po degradohet. Hoxhallarët të cilët në numër nuk janë pak, nuk janë gjithaq aktiv sa t’i ndihmojnë kauzës së institucionit që i përkasin, jo pse nuk dinë apo nuk dëshirojnë, por se frikohen nga shantazhet dhe largimi nga puna. Veprimet e kreut të Bashkësisë Islame janë dogmatizuar gati sa edhe dogmat që i përmban Islami. Ardhja e një “Mehdiu” që kontestohet nga vet mësimet e Islamit, nëpërmes pranimit të disa “përjetësive”, sot është realizuar me shpalljen e kreut të Bashkësisë Islame për “Mehdi të Pazëvendësueshëm”.
Intelektualët janë ngulfatur
Më mban shpresa por edhe bindja e thellë se mendjet e ndritura nuk do ti dorëzohen kësaj gjendje. Kapacitete intelektuale të shoqërisë kosovare po bëjnë përpjekje për të ndalur hapat e gabueshëm të kreut të Bashkësisë Islame. “Taklidi” i verbër dhe i dëmshëm për të gjithë duhet ndërruar me “texhdidin” për të cilin kemi shumë nevojë. Bereqeti i punës ka filluar të duket. Intelektualet dhe pionierët e progresit po kërkojnë reforma. Sikur këta, edhe shumë të tjerë do të marrin guximin të thërrasin për ndryshime dhe arritjen e rimëkëmbjes së Bashkësisë Islame. /2lonline/