Zejnullah Jakupi
“Mediakultura” është libri aktual i profesorit të sociologjisë Ibrahim Berisha. Librin e ka botuar PEN qendra e Kosovës dhe kolegji Universitar AAB i botuar 2014 dhe ka gjithsej 199 faqe, i redaktuar nga Rrahman Paqarizi dhe recensent tjerë.
Libri është shkruar në formë eseje shkencore, posedon referenca dhe burime të rëndësishme, aty këtu i rezervuar për të dhënë saktësisht faqet prej nga janë huazuar burimet, merret kryesisht me tema të ndryshme, por unë po veçoj qasjen rreth dyzimit të koncepteve masmedia, kulturë të popullarizuar apo ajo elitare dhe shijet e publikut, si më poshtë. Autori nuk thellohet në kulturë dhe nocionet siç i shtjellon për shembull Cultural Studies. Një përjashtim bënë këtu kur i referohet autorit Stuart Hall, teorisë kritike, Shkollës së Frankfurtit, përfaqësuesve të saj Adorno dhe Horkheimer, dhe teorisë së materializmin dialektik. Një thellim në këto fusha do ishte shumë i mirëseardhur.
Libri përbëhet nga disa kapitujt që do ti përmendi shkurtimisht. Disa më kryesorët, e këta janë; kultura, teknologjia komunikuese dhe sfera private, pastaj reklama identifikimi kulturor, mediatizmi dhe femeniteti, libri si mikro dhe televizioni si makro model kulturor, komunikimi i dijes në teknologjitë digjitale, gjuha e medias, artautoriteti politik, përjashtimi dhe glorifikimi. Libri është shumë i pasur me trajtime të ndryshme që i dedikohet medias dhe kulturës.
Që në fillim duhet të thuhet se shtjellimin në detaje të nocionit se çfarë është kultura lë shumë për tu dëshiruar, mbase kjo temë trajtohet herë pas herë e ndërlidhur me zhvillime në arealin tonë shoqëroro-politiko – kulturor. Gjithashtu libri trajton relacionet pushtet media dhe kulturë, por shumë pak i kushton rëndësi publikut ose e trajton atë kalimthi, ku mungojnë autorë të shumtë nga studimet empirike të studimeve kulturore.
Në kapitullin “kultura” nder më kryesorët autori jep shpjegime se ku qëndron dallimi mes kulturës masive si fenomen, si një sistem komunikues. Termi i kulturës masive thotë autori është i njëjtë me nocionin maskulturë. Këto dy koncepte ai i bashkon me terme si masskulturë dhe termin tjetër kulturë massive, dyja këto i barazon me shprehjen në anglisht “media culture”. Maskultura determinohet më shumë nga media mbase mundësohet nga teknologjia komunikuese. Pra, kulturën e definon në përmbajtje kulturore të prodhuara apo të përhapura nga gazetat, filmi, radioja televizioni dhe revistat. Ndërkohë përfaqëson mendimin se përkundër zhvillimit të madh teknologjik, kultura massive nuk mund të identifikohet vetëm me masmediet, mbase ajo vazhdon të ekzistoj duke i ikur mbretërisë teknologjike.
Po ashtu autori përdorë dy nocione në këtë kontekst, kulturë të popullarizuar dhe maskulturë, por nuk e bënë dallim e qartë se ku qëndron diferenca mes këtyre dy koncepteve. Ai thirret ne burime të autorit Johanes Fabian i cili me kulturë të popullarizuar e definon religjionin, së bashku me muzikën, vizatimet, teatrin. Lexuesi nuk has në një referencë nga studimet Kulturore te R. Williams ose përfaqësuesve të saj, të cilët do të pasuronin këtë shpjegim konceptesh. Unë do të shtoja këtu se qasja e të ashtuquajturës “subjektive culture” mbështet në vendime autonome të perceptimit ose interpretimit të elementeve, objekteve ose fenomeneve artefakteve kulturore, në dallim prej modelit “Stimulus-Response Modell” tek i cili ndikimet ose interpretimi konceptohet si i para-programuar. Nocioni i kulturës në këtë punim definohet si një praktikë sociale “The whole of the every day life”(Williams 1987).
Kur jemi te dy nocionet e lartpërmendura, Sipas autorit mund të ketë kulturë të popullarizuara që hynë gjitha ato krijime që shijohen jo nga elitat por edhe nga masa.
Në këtë aspekt bëhet i pakuptimtë dallim mes dy nocioneve, kulturës së popullarizuar dhe masskulturës, sepse ato për mendimin tim janë identike.
Gjithsesi ekziston një dallim mes dy niveleve kulturës së ultë pra popullarizuese (masovike) dhe asaj elitare, të lartë.
Prandaj nuk e di sa është i kuptueshëm të thuhet kulturë e masave, ose sa e humb vlerën kulturore një artefakt kulturor nëse po themi, kushtimisht, transmetohet tek publiku përmes medieve. Me sa kuptohet autori nuk i qartëson në detaje, se çfarë e dallon kulturën e lartë prej asaj të cilësuar si “mbeturinë” apo shund dhe gjithashtu nuk e përcakton se cila është instanca që i benë këto vlerësime, nëse jo publiku. Autori argumenton se si dikur në gjysmën e dytë të shekullit XVIII muzika klasike klasifikohej si kulturë e lartë, por këtë standard të qëndrueshëm, e thyen industrializmi dhe e bënë të mos jetë më art elitar. Gjithsesi nëse muzika klasike elitare ka humbur vlerën vetëm pse është bërë kulturë e masave kjo, nuk besoj se e humbë vlerën ose e bënë ate më pak elitare. Cili është kriteri që dikton se nga kush dhe në çmas konsumohet një shije, në mënyrë statike?
Tani del sërish në pah roli i massmedieve në përhapjen e maskulturës, e cila duke qenë si ndërmjetës prodhon, shpërndan dhe orienton opinionet kulturore estetike duke i quajtur si medializim të kulturës. Çfarë është kultura dhe si mund te bëhet përcaktimi i një vlere kulturore me cilësi të lartë? A mund të themi se ky art apo kjo muzikë etj, është artefakt kulturor i mirëfilltë..!? Autori thekson në këtë pikëvështrim se nuk ka një pajtim më të madh për të përcaktuar se çfarë është kulturë e çfarë nuk është, dhe cili artefakt posedon apriori një vlere të ulët apo është fare e pavlerë. Dhe pajtohet më në fund se ky gjykim nuk është përherë i pajtueshëm dhe statik.
Për ketë arsye unë vlerësoj se Studimet kulturore mund të luajnë rol më te madh në zhbërjen e mitit të artit elitar ose kulturës tradicionale elitare karshi asaj popullarizuese. Pra, na duhet një trajtim më i orientuar ka shkencat e kulturës ku në spikamë do të vihet publiku dhe shijet e tija sa i përket “vlerës” së artefakteve kulturore. Përfundimisht mund thuhet se instanca e fundit, mbështetur tek shumë autorë të studimeve të kulturës është pikërisht publiku ai, që duhet të na tregoj se çfarë vlerësimi ka dhe si i vlerëson ai artefaktet kulturore, i quan ato të ulëta, shund apo artefakte të larta dhe elitare.
Publiku me gjithë se mund të jetë i papërgatitur, ose të ketë eksperiencë të caktuar etj, kjo është krejtësisht e diskutueshme. Gjithashtu edhe nocioni Massmedia duket të jetë i dalun prej mode, pra gjithnjë nëse i referohemi studimeve kulturore. Ky koncept nëse vlen për mënyrën e transmetimit të mesazhit nga A tek B mund të vlej por jo si fenomen kur kemi të bëjmë me perceptimin e cilësisë. /2L ONLINE/