Realizohet operacioni policor “Muzgu”, sekuestrohen narkotikë dhe armë
Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, DHTN Mitrovicë- Jug, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë dhe me asistim të njësive relevante policore, përfshirë NjRSh dhe njësinë K-9, ka realizuar operacionin policor të koduar “Muzgu”.
Në kuadër të këtij operacioni është realizuar kontrolli i një shtëpie dhe një lokali, ku gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar:
rreth 110.6 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë;
një revole M57, kalibër 7.62 mm, së bashku me dy karikatorë;
një pushkë gjuetie, kalibër 12 mm;
nëntë fishekë të kalibrit 7.62 mm;
dy fishekë të kalibrit 9×19 mm;
katër fishekë për pushkë gjuetie, kalibër 12 mm;
një peshore digjitale;
150 euro dhe 6,000 dinarë serbë;
dy radiolidhje;
si dhe një shufër metalike me mbishkrimin “POLIC”.
Dokumentimi, evidentimi dhe sekuestrimi i provave materiale është kryer nga njësia rajonale e kriminalistikës, në përputhje me procedurat përkatëse.
Personi i dyshuar nuk është gjetur në lokacion në momentin e kontrollit, ndërsa më vonë është paraqitur në zyrat policore, në prani të avokatit mbrojtës.
Me autorizim të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar për veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, sipas nenit 267, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”, sipas nenit 366 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, personi i dyshuar është ndaluar për 48 orë.
Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim të vazhdueshëm me Prokurorinë e Shtetit, mbetet e përkushtuar në luftimin e trafikimit dhe shpërndarjes së narkotikëve, si dhe në parandalimin dhe luftimin e posedimit të kundërligjshëm të armëve. /2LONLINE/
