Realizohet një intervenim i rrallë dhe kompleks në Kirurgjinë Torakale të QKUK-së, i hiqet tumori 3.5 kg pacientit 23-vjeçar
Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), respektivisht në Klinikën e Kirurgjisë Torakale, është realizuar me sukses një intervenim kirurgjik i rrallë dhe jashtëzakonisht kompleks te një pacient i moshës 23-vjeçare.
Pacienti kishte një tumor me përmasa gjigante në kavitetin torakal, i cili kapte përmasat rreth 27 cm në gjatësi dhe 17 cm në gjerësi, ndërsa peshonte plot 3.5 kilogramë.
“Intervenimet e tilla përbëjnë një sfidë të veçantë për çdo ekip kirurgjik në nivel mjekësor, veçanërisht për shkak të përmasave të tumorit, lokalizimit të tij delikat dhe kompleksitetit të lartë të ndërhyrjes brenda kavitetit torakal”, thuhet në njofitmi ne QKUK-së.
Operacioni u realizua me sukses të plotë nga ekipi i specializuar i Klinikës së Kirurgjisë Torakale të QKUK-së, nën udhëheqjen e drejtorit të Klinikës, Dr. Nazmi Kolgeci.
Ndërhyrja u krye në bashkëpunim të ngushtë me ekipin e anestezionit, të udhëhequr nga anesteziologu Dr. Qendrim Morina, si dhe me mbështetjen e palodhshme të stafit të mesëm shëndetësor (instrumentarëve dhe infermierëve).
“Ky sukses i radhës dëshmon edhe një herë përkushtimin e lartë, profesionalizmin dhe bashkëpunimin e shkëlqyer multidisiplinar të stafit të QKUK-së në trajtimin e suksesshëm të rasteve më të rënda dhe më komplekse kirurgjikale.
Puna ekipore, profesionalizmi dhe përkushtimi maksimal ndaj pacientit mbeten themeli i çdo suksesi në institucionet tona shëndetësore”, thuhet në fund të njoftimit të QKUK-së. /2LONLINE/
