Realizmi magjik në romanin “Gjarpëri martohet me vajzën e mbretit” të Anton Nikë Berishës
Nga: Timo MËRKURI
Realizmi magjik në romanin “Gjarpëri martohet me vajzën e mbretit” të Anton Nikë Berishës
(Për romanin e sapo botuar për fëmijë, “Martesa e gjarprit me vajzën e mbretit”, edituar nga sh.b “Beqir Musliu”, Gjilan, 2026)
Qysh në leximin e titullit të romanin për fëmijë “Gjarpri martohet me vajzën e mbretit” të Anton Nikë Berishës më erdhi ndër mend se këtë përrallë ma ka treguar gjyshja në fëmijëri, bashkë me shumë të tjera, netëve të gjata të dimrit pranë oxhakut. Ne fëmijët rrinim përreth saj dhe e dëgjonim të mahnitur, jo sepse kjo përrallë mbartte shtresëzime miti e legjende, por sidomos për bukurinë që rrezatonte rrëfimi i saj. Mbi të gjitha, ne e besonim si të vërtetë këtë histori, sikur diku në fshatin tonë të kishte ndodhur. Për ne fëmijët, të gjitha përrallat që tregonte gjyshja dukeshin sikur kishin ndodhur aty pranë nesh, në një kohë që nuk ishte larg nga jeta jonë.
Kjo mënyrë e të besuarit në mrekullinë është një nga përvojat më të natyrshme të fëmijërisë. Letërsia për fëmijë e ka në vetvete një lidhje të thellë me magjiken. Bota e saj është një hapësirë ku realja dhe e jashtëzakonshmja nuk përplasen, por bashkëjetojnë natyrshëm. Për fëmijën dhe për lexuesin e moshave të vogla, mrekullia është një mënyrë tjetër e shikimit të botës.
Pikërisht për këtë arsye, realizmi magjik shfaqet si një frymëmarrje e natyrshme në veprat e kësaj natyre. Ai nuk e mohon realitetin, por e zgjeron atë.
Në këtë roman të Anton Nikë Berishës realizmi magjik ndërtohet mbi një strukturë të pasur që mbështetet kryesisht në traditën folklorike, në mitet, në legjendat shqiptare, por dhe në imagjinatën individuale të autorit. Magjikja këtu nuk është një zbukurim i rrëfimit, po mënyrë përmes së cilës kuptohen marrëdhëniet midis njeriut, fatit dhe botës përfytyruese.
Përralla e dikurshme, që jetonte në kujtesën e rrëfimtarëve gojorë, në këtë roman merr një përmasë të re artistike. Ajo zgjerohet dhe shndërrohet në një univers rrëfimor më të gjerë, ku mitikja, legjendarja dhe përditshmëria ndërthuren në mënyrë të natyrshme, duke i dhënë rrëfimit frymën e një realizmi magjik që buron nga vetë tradita.
Ndoshta nga kjo kujtesë e hershme e rrëfimit të përrallës, të dëgjuar nga goja e gjyshes, na ndihmon të kuptojmë më mirë mënyrën se si Anton Nikë Berisha e ringjall atë sot në formën e një romani: jo thjesht si një rrëfim të lashtë të folklorit, por si një botë ku mrekullia vazhdon të jetojë brenda realitetit, ashtu siç jetonte dikur në imagjinatën tonë të fëmijërisë.
1. Fillesa mitike dhe kozmike e rrëfimit
Elementi i parë i realizmit magjik në roman shfaqet që në hyrje të rrëfimit. Qysh në fjalët e para krijohet një hapësirë e veçantë ku kufiri midis reales dhe së mbinatyrshmes nuk është i prerë. Rrëfimtari nuk e vendos ngjarjen në një vend konkret dhe të zakonshëm, por e lë atë të lëkundet mes disa mundësive poetike: ajo mund të ketë ardhur nga qielli, nga bota e qenieve mitike ose nga një përjetim i brendshëm si ëndërr. Në këtë mënyrë, qysh në hyrje të romanit, lexuesi vendoset në një gjendje pritjeje ku realja dhe magjikja bashkëjetojnë pa u përplasur.
Kjo mënyrë e nisjes së tregimit është tipike për realizmin magjik. Sipas vetë natyrës së tij, realizmi magjik nuk e ndan botën në dy sfera të kundërta -reale dhe fantastike – por i bashkon ato në një të vetme. Pra, e jashtëzakonshmja nuk shprehet si mrekulli, as si iluzion, po pranohet si pjesë e natyrshme e përvojës njerëzore. Pikërisht kjo ndodh në hyrjen e romanit, ku rrëfimtari e paraqet lëndën si diçka që mund të vijë nga një dimension më i gjerë se përvoja e zakonshme njerëzore: “Dikush mund të thoshte se këtë rrëfim ma ka pëshpëritur Ylli i mëngjesit pak para se të zbardhte dita… Thuhet se Ylli i mëngjesit në ndriçimin e tij i ruan rrëfimet më të parëndomta dhe më të bukura që njerëzit mund t’i mendojnë ose t’i ëndërrojnë.” (f. 12)
Në këtë rast kemi një element të qartë të realizmit magjik; një dukuri e botës natyrore – Ylli i mëngjesit – merr një funksion që i përket botës njerëzore: ai ruan dhe pëshpërit tregime. Ylli nuk është më vetëm një trup qiellor, po shndërrohet në një mbartës të kujtesës së botës. Magjikja këtu nuk paraqitet si një mrekulli që trondit realitetin, por si një zgjerim poetik i tij. Rrëfimtari nuk thotë se kjo është patjetër e vërtetë; ai vetëm e paraqet si një mundësi, duke e lënë lexuesin të hyjë në një hapësirë ku imagjinata dhe realiteti njësohen.
Burimi i këtij elementi është njëherësh mitik dhe kozmik. Në shumë tradita të lashta qielli është parë si vendi ku ruhen fshehtësitë e botës dhe ku lind fati i njerëzve. Duke e lidhur rrëfimin me Yllin e mëngjesit, autori i jep ngjarjes një dimension më të gjerë se përvoja individuale; ajo bëhet sikur vjen nga një kujtesë e lashtë e universit.
Në fillim përmendet edhe një burim tjetër i mundshëm i rrëfimit: “Një tjetër do të mendonte që rrëfimin ma kanë treguar shtojzovallet e Pashtrikut tonë…” (f. 12)
Këtu kemi një tjetër shtresë të realizmit magjik, që buron nga folklori dhe mitologjia jonë shqiptare. Shtojzovallet janë qenie të njohura në traditë, të lidhura me malet dhe me natyrën. Ato janë krijesa që i përkasin një bote të padukshme, por që, sipas besimit, mund të shfaqen pranë njerëzve. Futja e tyre nuk krijon atmosferë të frikshme apo të jashtëzakonshme; ajo paraqitet si një mundësi krejt e natyrshme. Në këtë mënyrë magjikja hyn në rrëfim pa e prishur dfrejtpeshimin e realitetit.
Këtu qëndron edhe një nga tiparet thelbësore të realizmit magjik: magjikja nuk vjen si një ndërhyrje e dhunshme në botën reale, por si diçka që është gjithmonë aty, brenda përvojës njerëzore. Personazhet dhe rrëfimtari, për rrjedhojë dhe lexuesi, nuk e vë në dyshim ekzistencën e saj; ajo pranohet si pjesë e një bote ku natyra, mitet dhe kujtesa njerëzore janë të ndërthurura.
Pra, që në fillim të romanit krijohet një hapësirë ku bashkëjetojnë tri burime të rrëfimit: qielli, mitologjia dhe përvoja konkrete njerëzore.
Ylli i mëngjesit përfaqëson dimensionin kozmik; shtojzovallet përfaqësojnë traditën mitologjike, ndërsa mundësia që ngjarja të ketë lindur nga një ëndërr e lidh rrëfimin me botën konkrete dhe me botën e brendshme të njeriut.
Kjo ndërthurje i jep rrëfimit një atmosferë të veçantë: historia që do të rrëfehet nuk është thjesht një ngjarje e zakonshme, por që vjen nga një hapësirë ku realja dhe e mbinatyrshmja janë të pandara. Pikërisht në këtë pikë qëndron edhe themeli i realizmit magjik të romanit: magjikja nuk qëndron jashtë realitetit, por lind nga vetë mënyra se si njeriu i përfytyron dhe i rrëfen dukuritë e botës konkrete.
2. Tradita gojore si burim i magjikes
Një tjetër shtresë e rëndësishme e realizmit magjik në roman lidhet me mënyrën si paraqitet dhe përcillet vetë ngjarja. Rrëfimi nuk paraqitet si një shpikje e çastit apo si një krijim i vetmuar i autorit, po si një histori që ka udhëtuar gjatë në kohë, që ka kaluar nga një brez në tjetrin dhe që është ruajtur në kujtesën e njerëzve si një pasuri e çmuar shpirtërore.
Në këtë pikë romani lidhet drejtpërdrejt me traditën e rrëfimit gojor, një nga burimet më të rëndësishme të imagjinatës popullore dhe njëherazi një nga shtresat ku realizmi magjik gjen tokën më të natyrshme për të lindur e rilindur.
Kjo duket qartë në çastin kur zonja arbëreshe tregon mënyrën se si ajo histori kishte arritur deri tek ajo: “Gjyshja më thoshte se e kishte mësuar nga e ëma e saj; edhe asaj ia kishte treguar gjyshja. U trashëgua brez pas brezi.” (f. 15)
Në vështrim të parë kemi një pohim të thjeshtë, por në thelb kjo pjesë zbulon një përmasë të rëndësishme të realizmit magjik. Ngjarja që do të rrëfehet nuk lind në një kohë të caktuar dhe nuk i përket vetëm një njeriu, ajo është pjesë e një kujtese të përbashkët që jeton nëpër breza.
Kjo mënyrë e përcjelljes së rrëfimit i jep ngjarjes një lloj autoriteti të brendshëm, nga se ajo nuk vjen nga imagjinata e një individi të vetëm, por nga rrjedha, nga përvoja dhe besimi i një bashkësie të tërë njerëzish.
Ndër shqiptarë rrëfimet për qenie të pazakonshme, për shndërrime, për takime midis botës njerëzore dhe asaj të padukshme kanë qenë gjithmonë pjesë e jetës shpirtërore të tyre. Ato janë treguar në oda, pranë zjarrit të shtëpisë, në mbrëmje dimri ose gjatë ndjeve të përbashkëta. Në këtë mënyrë magjikja nuk është ndjerë si diçka e huaj apo e pamundur, po është përjetuar si një pjesë e natyrshme e botës, që është dhe një nga tiparet themelore të realizmit magjik: e jashtëzakonshmja nuk paraqitet si një dukuri që duhet shpjeguar, por si një përvojë që njerëzit e pranojnë dhe e mbajnë në kujtesë, e bëjnë pjesë të tyre.
Në roman kjo shfaqet përmes faktit se ngjarjet ruhen dhe përcillen nga brezi në brez, sikur të ishin një e vërtetë që s’ka nevojë të vërtetohet; vetë koha e ka bërë pjesë të besimit kolektiv.
Ngjarja që fillimisht mund të ketë lindur si një përfytyrim mitik ose si një rrëfim i lashtë gojor, me kalimin e kohës bëhet pjesë e kujtesës së njerëzve dhe fiton e bëhet një lloj realiteti më vete. Nuk është më vetëm një tregim, është një kujtim i përbashkët që vazhdon të jetojë në mendjen dhe në ndjenjat e njerëzve.
Pra, magjikja nuk shfaqet si një botë e shkëputur nga jeta, por si një dimension i saj. Brezat që e kanë përcjellë këtë histori nuk e kanë parë atë si diçka të pamundur. Përkundrazi, ata e kanë ruajtur si një pjesë të përvojës së tyre kulturore dhe shpirtërore. Kështu, rrëfimi që lexojmë sot është një ngjarje e lashtë që vazhdon të marrë frymë në kohën e tashme.
Kjo ide e vazhdimësisë së rrëfimit theksohet edhe në mënyrën si zonja mëmë arbëreshe e përshkruan këtë trashëgimi: “Gjyshja më thoshte se e kishte mësuar nga e ëma e saj […] U trashëgua brez pas brezi. Edhe sot, kur e kujtoj, më duket sikur zërat e tyre ende e pëshpëritin atë histori.” (f. 15)
Në këtë mënyrë romani krijon një ndjenjë të veçantë kohe: e kaluara dhe e tashmja ndërthuren dhe njësohen përmes rrëfimit.
Pra, mund të thuhet se tradita gojore është një nga burimet më të rëndësishme të realizmit magjik në këtë roman. Ajo e bën magjiken të duket e natyrshme dhe e besueshme, sepse e vendos atë brenda përvojës kolektive të njerëzve, po dhe të veprimit konkret; magjikja nuk është vetëm një përfytyrim; ajo bëhet një pjesë e kujtesës, një histori që vazhdon të jetojë për aq kohë sa ka njerëz që e tregojnë dhe e dëgjojnë.
3. Gjarpri si figurë mitike dhe simbolike
Një nga elementet më të rëndësishme të realizmit magjik në roman është figura e gjarprit. Ai nuk paraqitet thjesht si një kafshë e zakonshme e natyrës, por si një qenie që mbart një kuptim më të thellë simbolik dhe kulturor. Nga çasti kur shfaqet në rrëfim, gjarpri hyn në botën e romanit jo vetëm si një prani fizike, por edhe si një shenjë që vjen nga një traditë e lashtë besimesh dhe përfytyrimesh të njeriut.
Në shumë treva shqiptare gjarpri është lidhur me mitin e “orës së shtëpisë”, “Vitorja”, një qenie e padukshme ose e shenjtë që mbron familjen dhe fatin e saj. Sipas besimit, gjarpri i shtëpisë nuk duhet vrarë apo dëmtuar, sepse ai përfaqëson mbrojtjen dhe vazhdimësinë e jetës së asaj shtëpie.
Pikërisht këtë përfytyrim atë e përjetojmë dhe e ndjejmë të gjallë në roman. Kur ai shfaqet në shtëpinë e Lumbardhës, reagimi i parë nuk është frika e zakonshme që do të kishte një njeri përballë një kafshe të tillë. Përkundrazi, ai interpretohet sipas besimit të vjetër. Kjo ide shfaqet qartë: “Mos i trazo! Duhet të jetë ogur i mirë. Gjarpri mund të jetë roja e shtëpisë sate!” (f. 27)
Në këtë çast shfaqet një nga tiparet më të veçanta të realizmit magjik: magjikja nuk paraqitet si diçka e pamundur apo e frikshme, por si pjesë e natyrshme e realitetit. Gjarpri pranohet si qenie e zakonshme, përfillet në përputhje me besimin e trashëguar.
Kjo ndërthurje midis magjikes dhe reales krijon një gjendje të mëvetësishme të rrëfimit. Nga njëra anë kemi një ngjarje të zakonshme – shfaqjen e një gjarpri në shtëpi – por nga ana tjetër kjo ngjarje merr një kuptim simbolik. Në këtë mënyrë realiteti i përditshëm zgjerohet dhe fiton një dimension të ri, pasurohet.
Në këtë rast realizmi magjik lind pikërisht nga ndërthurja e dy planeve: nga njëra anë është realiteti konkret i jetës së përditshme, ndërsa nga ana tjetër është kujtesa e besimeve që i japin këtij realiteti një domethënie tjetër më të pasur. Kuptimi i gjarprit shkon përtej asaj që shohin sytë. Ai bëhet një shenjë që lidhet me fatin, mbrojtjen dhe misterin e jetës. Ky kuptim thellohet edhe më shumë në mënyrën si personazhet e përjetojnë këtë prani. Ata nuk përpiqen ta shpjegojnë me logjikën e zakonshme.
Ky pranim i qetë i së jashtëzakonshmes është një nga veçoritë më të dukshme të realizmit magjik.
Përmes figurës së gjarprit në roman krijohet një urë midis botës së besimeve të lashta dhe jetës konkrete të njerëzve. Pra, mund të thuhet se gjarpri nuk është vetëm një personazh i rrëfimit, po është një shenjë e kujtesës së thellë kulturore që vazhdon të jetojë. Në këtë mënyrë realizmi magjik i romanit nuk buron vetëm nga fantazia e autorit, por nga vetë tradita shpirtërore e kulturës shqiptare.
4. Momenti kur gjarpri flet
Një nga çastet më të fuqishme të realizmit magjik në roman shfaqet në çastin kur gjarpri i drejtohet Lumbardhës me fjalë. Deri në atë pikë gjarpri është një prani enigmatike në shtëpinë e saj, një qenie që mund të lidhet me besimet për “rojen e shtëpisë”. Mirëpo, kur ai fillon të flasë, rrëfimi kalon në një shkallë tjetër të përjetimit të së jashtëzakonshmes.
Kjo ngjarje nuk e shkatërron logjikën e botës së rrëfimit, përkundrazi, ajo pranohet brenda saj si një mundësi që mund të ndodhë. Ky çast shprehet në mënyrë të drejtpërdrejtë në tekst: “Zonja mëmë, duhet të më bësh një nder!”/“Po të flas unë, gjarpri.” (f. 33)
Këtu ndodh një ndërthurje e qartë e dy botëve: bota e natyrës dhe bota njerëzore. Një krijesë që zakonisht i përket heshtjes së tokës, merr papritur zërin e njeriut dhe fillon të komunikojë. Në një tregim realist kjo do të ishte një ngjarje e pamundur dhe do të kërkonte shpjegim; në realizmin magjik gjërat ndodhin ndryshe. Ngjarja nuk shpjegohet dhe as nuk vihet në dyshim; ajo thjesht ndodh dhe bëhet pjesë e rrjedhës së jetës.
Një shtresë tjetër e këtij motivi mund të lidhet edhe me përfytyrimin mitik të botës, ku kufiri midis njeriut dhe natyrës nuk është i ndarë, i prerë. Në kulturat e vjetra natyra nuk shihej si një hapësirë e heshtur dhe e pajetë; përkundrazi, ajo përfytyrohej si një botë e gjallë ku çdo qenie mund të ketë një shpirt dhe një zë të vetin. Në këtë kuptim, gjarpri që flet nuk është vetëm një element fantastik, por një jehonë e një mënyre të lashtë të të kuptuarit të botës.
Lumbardha tronditet nga kjo ngjarje, po reagimi i saj nuk është i një njeriu që përballet me një mrekulli të pashpjegueshme; ajo ndjen frikë dhe habi, por që në thellësi e pranon se bota mund të ketë edhe përmasa të tjera.
Ky pranim i heshtur i së jashtëzakonshmes është thelbi i realizmit magjik. Magjikja nuk vjen për të rrënuar realitetin, ajo vjen për ta zgjeruar atë, për t’i dhënë një thellësi tjetër përvojës njerëzore.
Në këtë mënyrë gjarpri që flet nuk është thjesht një element i çuditshëm i rrëfimit; ai bëhet një urë që lidh botën e dukshme me një botë më të thellë dhe misterioze.
Kjo marrëdhënie midis magjikes dhe reales shfaqet edhe në mënyrën si rrëfimi vazhdon pas këtij çasti. Pas fjalëve të para të gjarprit, dialogu zhvillohet sikur të ishte diçka që mund të ndodhë në mënyrë të natyrshme në atë botë. Në këtë mënyrë realiteti i jetës së përditshme dhe dimensioni i magjikes fillojnë të ecin paralelisht, pa u përjashtuar nga njëri-tjetri. Kjo ide bëhet e qartë kur gjarpri i drejtohet Lumbardhës me një kërkesë, duke e vendosur marrëdhënien e tyre në një plan krejt njerëzor: “Zonja mëmë, duhet të më bësh një nder! / Mos u frikëso prej meje… Unë nuk të bëj keq.” (f. 33)
Në këto fjalë magjikja merr një ton të butë dhe njerëzor. Gjarpri nuk shfaqet si një qenie kërcënuese apo e errët; ai flet me një zë të qetë dhe kërkon ndihmë, sikur të ishte një njeri që kërkon mirëkuptim. Kjo e bën edhe më të natyrshme ndërthurjen midis botës së jashtëzakonshme dhe realitetit të përditshëm.
Pra, mund të thuhet se çasti kur gjarpri flet është një nga kulmet e realizmit magjik në roman. Pra, përmes rrëfimit krijohet një botë e jashtëzakonshme, e pasur që bëhet një pjesë e natyrshme e misterit të jetës.
5. Unaza magjike dhe fuqia e transformimit
Një tjetër element i rëndësishëm i realizmit magjik në romanin “Martesa e gjarprit me vajzën e mbretit” shfaqet përmes unazës magjike, një objekt i vogël në pamje, por me një fuqi të jashtëzakonshme që ndërhyn drejtpërdrejt në realitetin e jetës së personazheve dhe të gjithë asaj qëngjet në roman. Unaza nuk është thjesht një stoli, ajo është një simbol i një force të padukshme që vepron në botë dhe që mund të ndryshojë fatin e njeriut.
Në përrallat dhe legjendat shqiptare, si edhe në tradita të tjera të vjetra, shpesh ndeshim objekte që mbartin një fuqi të veçantë: një unazë që plotëson dëshirat, një shpatë që mbron nga e keqja, një gur që shëron plagët. Këto objekte nuk janë vetëm mjete të magjisë, ato janë shenja të një bote ku natyra dhe misteri ndërthuren dhe ku forca të padukshme mund të ndikojnë në rrjedhën e jetës njerëzore.
Në roman kjo fuqi shfaqet për herë të parë kur gjarpri përdor unazën për të shëruar plagën e Lumbardhës. Në atë çast realiteti i zakonshëm i jetës – një plagë që kërkon kohë për t’u shëruar – ndryshon papritur nga ndërhyrja e një force të pazakontë: “Nxori nga nëngjuha një unazë vezulluese dhe i fryu te këmba e thyer. Sa çil e mbyll sytë ajo iu shërua.” (f. 36)
Në këtë episod vërejmë qartë ndërthurjen midis magjikes dhe reales. Plaga e Lumbardhës është një ngjarje krejt reale dhe e zakonshme në jetën e njeriut, por ndërhyrja e unazës e ndryshon këtë realitet.
Megjithatë rrëfimi nuk ndërpritet për ta shpjeguar këtë mrekulli; ai e paraqet atë si një veprim që ndodh natyrshëm brenda botës së rrëfimit.
Fuqia e unazës shfaqet edhe më qartë në një çast tjetër të rrëfimit, kur gjarpri vendos të përmbushë kushtet që mbreti i kishte vënë për martesën me vajzën e tij. Këtu magjia nuk shfaqet vetëm si një akt shërimi, por si një fuqi transformuese që mund të ndryshojë vetë hapësirën e jetës: “Le të bëhet te kjo shtëpi e mëmës një pallat më i madh dhe më i bukur se ai i Mbretit! / Dhe pallati u bë.” (f. 45)
Këtu realiteti i përditshëm pëson ndryshim të menjëhershëm: një shtëpi e thjeshtë shndërrohet në një pallat madhështor. Kjo nuk ndodh përmes punës së njerëzve, as përmes një procesi të gjatë ndërtimi; ajo ndodh përmes një akti të vetëm të vullnetit magjik. Megjithatë, edhe këtu rrëfimi nuk e paraqet këtë ngjarje si një mrekulli të frikshme apo të pakuptueshme, po si diçka të mundur, të natyrshme.
E jashtëzakonshmja nuk qëndron jashtë botës reale, por hyn brenda saj dhe bëhet pjesë e rrjedhës së saj; ai vetëm e zgjeron realitetin dhe i jep një dimension të veçantë. Në këtë kuptim, unaza magjike nuk është vetëm element fantastik i rrëfimit, po përfaqëson edhe idenë më të thellë: mundësinë e transformimit të fatit. Përmes saj jeta e personazheve ndryshon rrënjësisht. Një grua e varfër fiton një pallat; një plagë shërohet në një çast; një qenie e përbuzur nga pamja e saj zbulon një fuqi të jashtëzakonshme.
Kështu, unaza bëhet simbol i ndërhyrjes së misterit në jetën e përditshme; na kujton se realiteti nuk është gjithmonë i mbyllur brenda ligjeve të dukshme të botës.
6. Besimi dhe morali si pjesë e realizmit magjik
Një nga shtresat më interesante të realizmit magjik në roman nuk lidhet vetëm me dukuritë e jashtëzakonshme, si gjarpri që flet ose unaza që ndryshon realitetin, ajo lidhet dhe me forcën morale të traditës, me ligjet e pashkruara që kanë drejtuar jetën e shqiptarëve nëpër shekuj. Pra, realizmi magjik në këtë kuptim në roman nuk është vetëm një botë e mrekullive, por edhe një botë e vlerave shpirtërore, ku fjala e dhënë, besa dhe nderi marrin një peshë dhe vlerë pothuajse të shenjtë.
Njëra nga këto vlera është besa. Ajo nuk është vetëm një premtim, është një marrëveshje morale që lidh njeriun me ndërgjegjen e vet dhe me komunitetin. Kur një njeri jep besën, ai vendos mbi veten një detyrim që nuk mund të prishet, edhe nëse kjo kërkon flijim.
Në roman kjo ide shfaqet në një çast vendimtar, kur mbreti përballet me pasojat e fjalës së dhënë. Ai e kupton se fjala e tij nuk mund të zhbëhet; në kulturën e popullit të tij besa është më e fortë se frika, më e fortë se pushteti dhe madje më e fortë se vetë dëshira për të mbrojtur atë që është më e dashur: “Peshon, peshon. Pa marrë parasysh se kujt i jepet, besa nuk zhbëhet! Për njerëzit tanë ajo është e shenjtë. Kur dikush e jep, betohet edhe në hirin e Zotit!” (f. 53)
Këtu realizmi magjik merr një dimension të Veçanë: magjia nuk qëndron vetëm te fuqitë e gjarprit apo te unaza që ndryshon realitetin, ajo qëndron edhe te fuqia e fjalës së dhënë. Fjala e njeriut bëhet një ligj që nuk mund të shkelet. Kjo është një formë tjetër e magjikes, një magji morale që buron nga kultura, nga karakteri dhe nga besimi i njerëzve.
Burimi i këtij elementi është kryesisht kulturor dhe etik, por lidhet edhe me shtresë biblike dhe shpirtërore. Në shumë tradita të vjetra fjala e dhënë shihet si një betim i shenjtë, një lidhje që bëhet jo vetëm para njerëzve, por edhe para Zotit.
Në këtë mënyrë në roman krijohet lidhja midis botës së magjikes dhe botës së realitetit kulturor. Gjarpri, unaza dhe transformimet e çuditshme janë pjesë e rrëfimit, por po aq e rëndësishme është edhe forca e traditës, që vepron si një ligj i padukshëm në jetën e njerëzve. Kjo e bën realizmin magjik të romanit më të thellë. Magjia nuk është vetëm një mrekulli që ndodh.
Siç u theksua më sipër, realizmi magjik në romanin “Gjarpri martohet me Vajzën e mbretit” ndërtohet mbi disa burime shpirtërore dhe kulturore që ndërthuren natyrshëm me atë që rrëfet në roman dhe në veprimin e personazheve.
Kështu, magjikja në roman qëndron brenda jetës së njerëzve; shfaqet në shtëpinë e një plake të vetmuar, në ankthin dhe dyshimet e një mbreti, në ëndrrat e një vajze dhe në kujtesën e një populli që ruan rrëfimet e veta si një pasuri shpirtërore.
Në këtë mënyrë, bota e rrëfimit merr një thellësi të veçantë, ku përditshmëria dhe misteri i jetës lidhen në një rrjedhë të vetme.
7. Talenti dhe mjeshtëria e njësimit të dy botëve
Në thelb, vlera e ndërthurjeje dhe e njësimit poetik të magjikes dhe konkretësisë qëndron edhe në mjeshtërinë krijuese të autorit, Anton Nikë Berishës. Është pikërisht talenti i tij që e bën të mundur magjiken dhe të përditshmen të bashkëjetojnë natyrshëm brenda rrëfimit. Ai nuk e vendos të jashtëzakonshmen mbi realitetin si një shtresë të huaj ose si një zbukurim të rrëfimit. Përkundrazi, e nxjerr atë nga thellësia e traditës kulturore dhe nga kujtesa e artit gojor shqiptar, ku magjikja dhe jeta kanë bashkëjetuar nëpër kohë dhe e kanë plotësuar njëra – tjetrën.
Njohuritë e tij të gjera mbi mitologjinë, folklorin, legjendat dhe simbolikën biblike i japin rrëfimit një bazë të fortë kulturore dhe poetike. Këto dije bashkohen me përvojën e tij të gjatë si studiues i letërsisë dhe i artit gojor, por edhe me ndjeshmërinë e tij si krijues modern. Falë kësaj ndërthurjeje, elementet mitike, folklorike dhe simbolike nuk mbeten thjesht motive të traditës; ato shndërrohen në pjesë të gjalla të një rrëfimi bashkëkohor që komunikon natyrshëm me lexuesin dhe është në gjendje të ndikojë estetikisht në të.
Pikërisht këtu qëndron edhe merita e veçantë e autorit. Ai arrin ta bëjë magjiken të besueshme dhe të pranueshme brenda jetës së përditshme të veprimit të personazheve. Në këtë mënyrë, romani krijon një botë ku fantazia, tradita dhe përvoja njerëzore bashkohen në një harmoni të natyrshme, duke e bërë veprën një shembull të bukur dhe domethënës të realizmit magjik në letërsinë shqiptare për fëmijë.
Për këtë arsye, ndoshta, duke lexuar këtë roman njeriu ka ndjesinë se po rikthehet sërish te ajo botë e hershme e rrëfimit që është krijuar dhe është përcjellë gojarisht nëpër rrjedhë kohësh. Përralla që dikur na e tregonte gjyshja në netët e gjata të dimrit, pranë oxhakut, duket sikur vazhdon të jetojë edhe në faqet e këtij libri. Në romanin e Anton Nikë Berishës ajo nuk mbetet vetëm një kujtim i traditës gojore, por shndërrohet në një botë artistike ku mitikja, magjikja dhe përditshmëria ndërthuren natyrshëm. Në këtë mënyrë, rrëfimi i dikurshëm i përrallës bëhet pjesë e një vazhdimësie më të gjerë të kujtesës kulturore, që kalon nga fjala e gjyshes te letërsia, te komunikimi poetik dhe të ndikimi estetik si akt shumëfish i rëndësishëm për njeriun. /2LONLINE/
