Realisht, Gjilani s’ka alternativë në balotazh!

Realisht, Gjilani s’ka alternativë në balotazh!

Zgjedhjet lokale të 22 tetorit të këtij viti, megjithëse ishin mirë të organizuara dhe kaluan pa ndonjë veprim që do ta prishte hijeshinë e demokracisë, nuk prodhuan zgjidhje. Sikurse shumë komuna tjera të Kosovës, edhe Gjilani nuk ia doli të sjell ndryshime në qeverisjen lokale, ani pse kjo komunë ka shkua në balotazh.

Shkruan: Ardian Azemi

Nuk ka rëndësi se cili do të fiton në balotazh, kandidati nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), apo nga Lëvizja Vetëvendosje! (LVV), sepse asnjëri nuk janë emra që sjellin ndryshimin në Gjilan, përkundrazi veç do ta thellojnë hendekun në të cilin ndodhet sot Gjilani.

Realisht, Gjilani pas 22 tetorit është i pa alternativë, pa shpresë dhe ektremishtë i heshtur. Kemi një kandidat i cili vazhdimisht mburret me punën që krejt tjetër kush ia ka bërë dhe një tjetër kandidat partia e të cilit është shumë e interesuar me e “djegë” sepse përveç Prishtinës nuk ka tregua interesim me marr pushtetin në asnjë komunë tjetër, madje as në Gjilan.

Pra, dy kandidatët në balotazh, nuk kanë çka me i ofrua qytetarit, sepse janë të konsumuar dhe nuk mbahen mend për ndonjë punë të hairit për qytetarin, madje për më keq, janë idhnak dhe nuk premtojnë unifikim.

Është interesante forma sesi po e marrin besimin e qytetarëve; asnjë projekt konkret nuk e kanë ofrua gjatë fushatës, programet e tyre kanë qenë larg kërkesave të qytetarëve, në të kaluarën kanë dështua të sjellin risi në qeverisje dhe kanë dështuar të përmirësojnë jetën e qytetarit, dhe prapë marrin vota me bollëk, sinqerisht kjo punë kërkon analizë të detajuar dhe një studim tamam profesional, prej nga shpërblehet dhe legjitimohet e keqja në këtë vend..?!

Mbajmë mend se në fushatën elektorale, kishte kandidat për kryetar që nënshkruante marrëveshje me kompani të huaja për punësimin e qindra të rinjve, kompani që premtonin se do të tërheqin edhe investitorë tjerë në Gjilan, në mënyrë që të hapen edhe disa mijëra vende tjera pune, dhe kjo ofertë dështon kundrejt një oferte e vjetër sa vet politika në Kosovë për rregullimin e Lumit Mirusha, një oferte që fare nuk sjell ndryshim në Gjilan, përveç se e ruan vazhdimësinë e një shkolle të dështuar politike.

Meqë nuk kemi kthim mbrapa, dy partitë tjera jashtë garës së balotazhit, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), duhet të kenë kujdes se kënd do ta përkrahin dhe me çarë kushte do ta përkrahin.

Ne më lart thamë se asnjëri kandidatë nuk është ndryshimi për Gjilanin, prandaj dy partitë jashtë garës duhet të imponojnë programet e tyre në rast të ndonjë oferte për koalicion me këto dy partitë në balotazh, qoftë para zgjedhjeve qoftë pas tyre për krijimin e shumicës në kuvend.

Me apo pa dashje, një bashkëpunim ndërmjet fituesit të zgjedhjeve dhe njërës nga dy partitë AAK-së apo PDK-së, do të ndodh, porse do të ishte i shëndetshëm për Gjilanin një koordinim programesh, qoftë edhe i imponuar.

Ndryshe, Gjilani dhe Anamorava në përgjithësi kanë qenë jashtë agjendës së krejt qeverive tani e tetëmbëdhjetë vjet. Anamorava nuk ka pasur asnjëherë deputet të cilët kanë këmbëngulë për interesin e kësaj nahie.

Dihet botërisht që Anamorava është përcaktuese e fituesit të zgjedhjeve në nivel vendi, prandaj kjo nahi vazhdimisht është konsideruar veç si “hambarë” votash.

Besoj se kjo praktikë e vjeljes së votave pa përkthim në investime do të përfundoi dhe se Gjilani do të ndjej dorën e shtetit në këtë mandat qeverisës, pavarësisht deklaratave që vinë nga politikanë lokal e që merren me tema nacionale, ndërsa nuk i dalin zot asnjërës.

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE