Real Jahiu – një emër që duhet mbajtur mend!
Nga Berlini në Gjilan, rrugëtimi i një talenti të ri që po lë gjurmë në futboll dhe që tashmë ka marrë ftesë për grumbullimet e Kombëtares së Kosovës.
Real Jahiu, i lindur në vitin 2012 në Gjilan, është një nga talentet e rinj të futbollit që meriton vëmendje. Në vitin 2014, ai emigroi së bashku me prindërit e tij drejt Gjermanisë, në kërkim të një jete më të mirë. Pikërisht atje nisi të ndërtojë ëndrrën e tij futbollistike.
Që në moshën 6-vjeçare, Real Jahiu filloi karrierën e tij si futbollist te Reinickendorfer Füchse, në Berlin të Gjermanisë. Me paraqitjet e tij të shkëlqyera dhe golat e shënuar pothuajse në çdo ndeshje, ai shumë shpejt tërhoqi vëmendjen, duke fituar një sërë çmimesh individuale. Në dhjetëra turne të organizuar në Berlin për grupmoshat përkatëse, Reali u përzgjodh disa herë si futbollisti më i mirë dhe golashënuesi më i mirë.
Talenti i tij si sulmues nuk kaloi pa u vënë re. Në moshën 10-vjeçare, ai mori ftesë nga një prej akademive të njohura të futbollit në Berlin, Tennis Borussia Berlin, ku vazhdoi zhvillimin e tij futbollistik.
Pas paraqitjeve mbresëlënëse edhe në këtë klub, ftesa e radhës erdhi nga BFV – Berliner Fußball-Verband, Federata e Futbollit e Berlinit. Për dy vite me radhë, Real Jahiu kaloi me sukses fazat e ndryshme të përzgjedhjes dhe grumbullimeve, duke arritur të bëhej pjesë e Përfaqësueses së Berlinit U15 (Berliner Auswahl), një arritje e rëndësishme në rrugëtimin e tij sportiv.
Sezoni 2025/2026 ishte veçanërisht i suksesshëm për të. Real Jahiu u shpall golashënuesi më i mirë i ligës për grupmoshën U14, duke realizuar plot 25 gola dhe 13 asistime. Këto shifra dëshmojnë jo vetëm instinktin e tij para portës, por edhe aftësinë për të kontribuar në lojën e ekipit dhe për të krijuar raste për bashkëlojtarët.
Në korrik të vitit 2026, familja Jahiu mori vendimin për t’u kthyer përfundimisht në vendlindje, në Gjilan, ku vendosi të vazhdojë jetën e saj.
Pas kthimit në Kosovë, Real Jahiu iu bashkua shkollës së futbollit FC Drita, ku vazhdoi të tregonte cilësitë e tij. Paraqitjet e shkëlqyera bënë që ai të bëhej shumë shpejt edhe pjesë e Ekipit të Regjionit të Gjilanit.
Edhe në futbollin vendor, Reali vazhdoi të dëshmojë se talenti dhe puna e palodhshme nuk njohin kufij. Në vetëm 11 ndeshje me klubin dhe ekipin e regjionit, ai arriti të shënojë plot 31 gola, një statistikë mbresëlënëse për një futbollist të moshës së tij.
Paraqitjet e tilla nuk mund të kalonin pa u vënë re. Më 27 shtator 2026, Real Jahiu mori ftesë zyrtare nga trajneri i Kombëtares së Kosovës, Ilir Nallbani, për të marrë pjesë në grumbullimet e ekipit kombëtar.
Ky është një hap i rëndësishëm në karrierën e futbollistit të ri dhe një motivim i madh për të vazhduar punën, përkushtimin dhe zhvillimin e tij sportiv.
Rrugëtimi i Real Jahiu, nga fushat e futbollit në Berlin deri te ëndrra për të përfaqësuar Kosovën, është një shembull i ambicies, talentit dhe përkushtimit. Ai është ende në fillim të karrierës së tij, por arritjet e deritanishme japin arsye për optimizëm. /2LONLINE/
