Reagon PDK: Pushteti është dorëzuar për të gjitha projektet madhore për Gjilanin
‘Për katër vite nuk kanë arritur ta përfundojnë dhe funksionalizojnë një çerdhe të ndërtuar në lagjen e Arbërisë, projekt i nisur nga qeverisja e kaluar komunale në Gjilan, ndërsa sot po e përurojnë gurëthemelin e një çerdhe të re në “Livadhet e Arapit”, thuhet në një reagim të PDK-së, dega në Gjilan.
Përmes një komunikate, PDK e Gjilanit vlerëson se Komuna e Gjilanit ka punësuar para fushatës zgjedhore mbi 15 punëtorë për çerdhet që ende nuk janë funksionale, ndërsa jepen mijëra euro në muaj për pagat e tyre pa ofruar fare shërbime çerdhet në lagjen e Arbërisë dhe në fshatin Miresh.
Më tej, në këtë reagim të PDK-së thuhet se mungesa e rezultateve konkrete, punësimet para fushatës zgjedhore dhe shpenzimi i parasë publike pa ofruar shërbime për fëmijët, janë dëshmi për veprime të papërgjegjshme, keqpërdorime të pushtetit, humbje financiare dhe me të gjitha këto po tentohet të mbulohen mega dështimet me simbolika boshe politike.
“Janë dorëzuar për të gjitha projektet madhore për Gjilanin, autostrada, stadiumi, impianti, kampusi universitar, zona ekonomike, qarkorja qytetit, palestra sportive, e si rezultat po krekosen me gurëthemele të projekteve që me këto shuma të investimeve më shumë bëjnë sektori privat se sa krejt qeveria e Kosovës në komunën e Gjilanit”, thuhet tutje në reagimin e PDK-së së Gjilanit.
“Po të përdorej fjalori i Albin Kurtit, sot do të duhej të cilësoheshin si veprime “hajvanash” aktet politike të kryeministrit të Kosovës dhe kryetarit të komunës së Gjilanit”, përfundon reagimi i PDK-së. /2LONLINE/
