Reagon PDK: Nuk mund të mbetemi më peng i papërgjegjësisë institucionale
“Pas muajit më të rëndë për Gjilanin, plot trishtim e dhimbje, kërkojmë përgjegjësi dhe llogaridhënie; nuk mund të mbetemi më peng i papërgjegjësisë institucionale”, thuhet në një reagim të Partisë Demokratike të Gjilanit (PDK), Dega në Gjilan.
Në reagim thuhet tutje se Gjilani po përballet me një nga periudhat më të rënda dhe më alarmante të sigurisë publike e sociale në historinë e tij të pasluftës. Ngjarjet tragjike të tri javëve të fundit, ku pesë qytetarë kanë humbur jetën në rrethana makabre, përbëjnë një këmbanë alarmi që nuk mund dhe nuk duhet të kalojë në heshtje.
“Në emër të Partisë Demokratike të Kosovës, Dega në Gjilan, u shprehim ngushëllimet më të sinqerta dhe dhimbjen e thellë familjeve që humbën më të dashurit e tyre. Këto humbje të parakohshme dhe tragjike nuk janë vetëm dhimbje e familjeve, por një plagë e rëndë për të gjithë shoqërinë tonë dhe dëshmi e rritjes shqetësuese të rasteve të dhunës”, thuhet në reagimin e këtij subjekti politik.
Për PDK-në, kjo gjendje e rëndë është pasojë e drejtpërdrejtë e mosfunksionimit të duhur ndërinstitucional, mostrajtimit profesional të rasteve të natyrave të ndryshme dhe mungesës totale të koordinimit mes institucioneve lokale dhe atyre qendrore.
“Jemi dëshmitarë të një papërgjegjësie institucionale dhe të një joserioziteti të skajshëm nga ana e institucioneve komunale, qendrore dhe atyre të sistemit të drejtësisë, të cilat kanë dështuar të plotësojnë nevojat e domosdoshme të mekanizmave mbrojtës që janë në shërbim të qytetarëve dhe parandalimit të tragjedive”, thuhet tutje në reagimin e PDK-së.
Sipas PDK-së. në vend se të veprojnë në kohë dhe me profesionalizëm, institucionet tona po dëshmojnë një qasje burokratike dhe reaktive, duke reaguar vetëm pasi dëmi tashmë është bërë dhe jetët janë shuar.
“Në këtë situatë emergjente, Këshilli Komunal për Siguri dhe Bashkësi në Gjilan (KKSB) do të duhej të ishte në krye të detyrës, duke trajtuar me seriozitetin më të lartë dhe përgjegjësi institucionale gjendjen aktuale në komunë. Ky mekanizëm është thirrur pikërisht për të parandaluar ngjarje të kësaj natyre, dhe heshtja apo pasiviteti i tij përbën dështim institucional me pasoja fatale”, thuhet në reagimin e PDK-së.
PDK, Dega në Gjilan, kërkon përgjegjësi institucionale dhe llogaridhënie nga të gjithë mekanizmat e sigurisë dhe drejtësisë në nivel lokal dhe qendror. Funksionalizim të menjëhershëm të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, duke ndërmarrë hapa konkretë dhe emergjentë parandalues. Mbështetje reale dhe funksionale për strehimoret, qendrat për punë sociale dhe mekanizmat tjerë mbrojtës që merren me rastet e dhunës në familje.
“Siguria e jetës së qytetarëve tanë nuk guxon të jetë çështje fati, por detyrim kushtetues dhe ligjor i institucioneve. Gjilani meriton siguri, kujdes institucional dhe drejtësi”, thuhet në fun të reagimit. /2LONLINE/
