DYLON

Reagon LDK-ja: Mirënjohje për dështimet – Komuna e Gjilanit model vetëm në propagandë

Reagon LDK-ja: Mirënjohje për dështimet – Komuna e Gjilanit model vetëm në propagandë
Avatar photo Redaksia

Komuna e Gjilanit, përmes Zyrës së saj për Informim ka bërë të ditur se është model i organizimit të dëgjimeve buxhetore, dhe është vlerësuar me mirënjohje nga DEMOS-i, por ndaj kësaj ka reaguar LDK-ja e Gjilanit  përmes Zyrës për Marrëdhënie me Publikun e LDK-së në Gjilan, duke theksuar: “Mirënjohje për dështimet – Komuna e Gjilanit model vetëm në propagandë”.

Ja reagimi i plotë i LDK-së:

EkoHigjiena

“LDK Gjilan me shqetësim e ka parë sot lajmin e radhës të shpërndarë nga Komuna e Gjilanit, sikur kinse është shpërblyer si model për organizimin e degjimeve buxhetore.

Nëse ka diçka për të cilën kjo qeverisje lokale “shquhet”, ajo është për shkeljet e rënda në proceset buxhetore, mos-shfrytëzimin e mjeteve publike dhe paaftësinë për të realizuar projektet e planifikuara.

Pikërisht për këto arsye, Komuna e Gjilanit është përjashtuar nga çdo grant i performancës, duke mos qenë as kandidate për aplikim, e lëre më të fitojë ndonjë mbështetje financiare. Është ironike që flitet për “model” në një kohë kur qyteti ynë ka humbur miliona euro të destinuara për komunat e përgjegjshme, vetëm për shkak të menaxhimit të dobët dhe vendimeve të gabuara në ndarjen e buxhetit.

Është e rëndësishme të theksohet se programi DEMOS, i implementuar nga Helvetas në partneritet me Asociacionin e Komunave të Kosovës dhe me mbështetje të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), ka sjellë standarde dhe praktika të mira për komunat në fushën e qeverisjes së mirë dhe menaxhimit financiar. Mirëpo, qeverisja aktuale në Gjilan nuk ka pasur kapacitete për t’i absorbuar ato, ose i ka zbatuar në mënyrë të kundërt. Për këtë arsye, edhe përkundër pjesëmarrjes formale në aktivitete, Komuna e Gjilanit ka dështuar të përfitojë nga DEMOS. Ndërsa kur LDK ka qenë në qeverisje lokale dhe në partneritet me këtë program, gjithmonë kemi fituar grantin e performancës, duke sjellë të mira konkrete për qytetarët.

Për të qenë të qartë, disa nga dështimet serioze në menaxhimin buxhetor të kësaj qeverisjeje janë:

• Mos-shpenzimi i një përqindjeje të lartë të buxhetit të planifikuar.

• Mosrealizimi i projekteve të parapara edhe në degjimet buxhetore.

• Të gjetura të shumta nga Zyra Kombëtare e Auditimit lidhur me menaxhimin financiar.

• Opinioni i kualifikuar nga ZKA, i cili e ka eliminuar Gjilanin nga pjesëmarrja dhe fitimi i grantit të performancës.

LDK Gjilan rithekson se transparenca dhe llogaridhënia nuk ndërtohen me mirënjohje propagandistike, por me performancë të vërtetë, punë konkrete dhe menaxhim të përgjegjshëm të financave publike”, thuhet në fund të reagimit të LDK-së.  /2LONLINE/