Reagon LDK-ja: Kritikon qeverisjen në Gjilan për nepotizëm në emërimet e larta
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Dega në Gjilan, përmes një reagimi publik ka kritikuar, siç është thënë, qeverisjen e Alban Hysenit, për nepotizëm në emërimet e larta.
“Pas nepotizmit me kunata, tash miku e dhëndri rehatohen në pozita menaxheriale në Komunën e Gjilanit. Njëri në pozitën e nënkryetarit, tjetri në pozitën e drejtorit komunal…”, thuhet në fillim të reagimit kritikues të LDK-së së Gjilanit.
“Sot nuk po gjykohet vetëm një emërim. Sot po gjykohet besueshmëria e një projekti politik që premtoi ndryshim. Nëse dje është thënë se pushteti nuk duhet të jetë pronë e familjeve, e miqve dhe e rretheve të ngushta, atëherë kjo duhet të vlejë edhe sot. Nëse dje është kërkuar standard më i lartë nga të tjerët, atëherë sot duhet ofruar standard edhe më i lartë nga vetja. Sepse problemi më i madh i politikës sonë nuk ka qenë kurrë mungesa e njerëzve të aftë. Problemi ka qenë standardi i dyfishtë. Prandaj, pyetja që duhet t’i bëjmë sot Alban Hysenit dhe Vetëvendosjes është shumë e thjeshtë: A po qeverisni sipas parimeve që i keni mbrojtur për vite me radhë, apo sipas komoditetit që ta jep pushteti?”, thuhet ndër tjerash në reagimin e LDK-së.
JA REAGIMI I PLOTË I LDK-SË, DEGA NË GJILAN
Nepotizëm edhe në emërimet e larta në qeverisjen e Alban Hysenit
Pas nepotizmit me kunata, tash miku e dhëndri rehatohen në pozita menaxheriale në Komunën e Gjilanit. Njëri në pozitën e nënkryetarit, tjetri në pozitën e drejtorit komunal. Krejt kjo pasi i punësuan bashkëshortet, e larguan Leonora Morinën dhe pesë gra drejtoresha.
Ashtu siç kemi paralajmëruar, Gjilanin e shndërruan në grope të zezë, jo vetëm politike. Këta kanë filluar ta ndërtojnë gropën në pikën zero të Gjilanit. Edhe ate pa leje e plan, siç është abuzimi me projektin e Bulevradit, ndërtimet pa leje në emër të shtëpive skamnore e atyre të pleqve, gjetjet e auditorit të pavarur me abuzime financiare, kontrata në vepër e punësime të paligjshme, me buxhet të Komunës që po menaxhohet nga Përmbaruesit e jo nga Komuna.
Por, t’i kthehemi nepotizmit. Gjilanin, qeverisja e Vetëvendosjes pasi e shndërroi në një çiflig kunatash, balldëskash, dostash, i dhanë hise edhe mikut e dhëndrit.
Nuk ka asgjë më të lehtë në politikë sesa të kritikosh të tjerët. Nuk ka asgjë më të vështirë sesa t’u qëndrosh besnik parimeve të tua kur e ke pushtetin në duar.
Pikërisht për këtë arsye, emërimi i Arianit Sadikut në pozitën e nënkryetarit të Komunës së Gjilanit është një provë politike dhe morale për kryetarin e komunës Alban Hysenin dhe për partine në pushtet- Vetëvendosjen.
Kjo nuk është çështje e emrave të përveçëm. Nuk është as çështje personale ndaj Arianit Sadikut apo Jeton Rexhepit. Secili qytetar i këtij vendi e ka të drejtën e tij kushtetuese dhe ligjore për të ushtruar funksione publike. Mirëpo, kur dy familjarë të afërt bëhen pjesë e ekzekutivit komunal, debati nuk është më personal. Ai bëhet institucional dhe politik.
Për vite me radhë kemi dëgjuar fjalë të mëdha për meritokracinë, për çkapjen e institucioneve, për fundin e nepotizmit dhe të qeverisjes së rretheve të ngushta politike e familjare. Kemi dëgjuar se Kosova meriton standarde të reja. Se nuk mjafton të ndryshojnë emrat, por duhet të ndryshojë edhe kultura e qeverisjes.
A do ta konsideronte Vetëvendosje këtë situatë të pranueshme sikur të kishte ndodhur në një komunë të qeverisur nga një parti tjetër? A do të mjaftonte arsyetimi se “janë profesionistë” dhe debati do të mbyllej aty? Apo do të kishte konferenca për shtyp, reagime politike dhe akuza për standarde të dyfishta?
Le të jemi të sinqertë me veten. Përgjigjja dihet nga secili qytetar.
Kjo është arsyeja pse pushteti duhet të matet me të njëjtin metër me të cilin i ka matur të tjerët. Nuk mund të ekzistojnë dy standarde; njëri për opozitën dhe tjetri për pushtetin. Njëri për “ata” dhe tjetri për “ne”. Sepse në momentin që parimet fillojnë të bëjnë përjashtime, ato pushojnë së qeni parime.
Alban Hyseni sot nuk ka nevojë të bindë qytetarët se emërimet janë ligjore. Qytetarët presin diçka më shumë se kaq. Ata presin të kuptojnë pse ky konfigurim i pushtetit është standardi më i mirë i mundshëm për Gjilanin. Ata presin transparencë, argumente dhe mbi të gjitha koherencë me atë që është premtuar ndër vite.
Vetëvendosje nuk erdhi në pushtet duke premtuar se do të bëjë të njëjtat gjëra më mirë se të tjerët. Ajo erdhi duke premtuar se do të bëjë gjëra ndryshe. Pikërisht për këtë arsye, ajo duhet të pranojë edhe standarde më të larta të gjykimit publik.
Sa më të mëdha të kenë qenë premtimet, aq më e madhe duhet të jetë përgjegjësia.
Sot nuk po gjykohet vetëm një emërim. Sot po gjykohet besueshmëria e një projekti politik që premtoi ndryshim.
Nëse dje është thënë se pushteti nuk duhet të jetë pronë e familjeve, e miqve dhe e rretheve të ngushta, atëherë kjo duhet të vlejë edhe sot. Nëse dje është kërkuar standard më i lartë nga të tjerët, atëherë sot duhet ofruar standard edhe më i lartë nga vetja.
Sepse problemi më i madh i politikës sonë nuk ka qenë kurrë mungesa e njerëzve të aftë. Problemi ka qenë standardi i dyfishtë.
Prandaj, pyetja që duhet t’i bëjmë sot Alban Hysenit dhe Vetëvendosjes është shumë e thjeshtë:
A po qeverisni sipas parimeve që i keni mbrojtur për vite me radhë, apo sipas komoditetit që ta jep pushteti?
Historia politike nuk i mban mend ata që fituan zgjedhjet. I mban mend ata që nuk i tradhtuan parimet kur fituan pushtetin.
Sepse parimet nuk sprovohen në opozitë. Ato sprovohen në pushtet. /2LONLINE/
