Reagon KMDLNj: Djegia e banerit “Liria ka emër, UÇK” në Kishnicë akt i shëmtuar!

Reagon KMDLNj: Djegia e banerit “Liria ka emër, UÇK” në Kishnicë akt i shëmtuar!

Persona të paidentifikuar deri më tani, në orët e hershme të mëngjesit të datës 17 nëntor 2020 i vunë flakën banerit “Liria ka Emër, UÇK“ të vendosur në Kishnicë, e banuar me shqiptarë por se bënë pjesë në komunën e Graçanicës, e banuar me shumicë serbe. Ky baner ishte vendosur në auto udhën Prishtinë – Gjilan dhe menjëherë zgjoi reagime të qeverisë së Serbisë pas së cilës, sipas një automatizmi reaguan banorët e Graçanicës duke thënë se po ndjehen të pasigurt dhe të shqetësuar.

Baneri i vendosur në Kishnicë nuk ka të bëjë fare me banorët e Graçanicës dhe se nuk do të duhej të jetë shqetësim për sigurinë e tyre aq më parë që, edhe në Graçanicë sikur edhe në komunat tjera të Kosovës të banuara me shumicë serbe (10 komuna) kryesisht janë përdorur flamujt dhe simbolet e Serbisë duke injoruar simbolet e Kosovës dhe askush nuk ua ka vënë flakën apo i ka shkatërruar ato ndonëse me Ligj është përcaktuar se kur dhe si mund të përdoren simbolet kombëtare të komunitetit pakicë. Vendosjen e këtij baneri Serbia e ka përdorur për sulme dhe akuza kundër luftës së UÇK –së në Kosovë dhe udhëheqësve të saj që janë arrestuar nga Gjykata Speciale dhe ndaj tyre është ngritur aktakuza, siç e pranojnë autoritetet serbe, kryesisht me materiale nga Serbia. Në këtë kontekst Serbia shkon edhe më larg duke kërkuar nga po kjo Gjykatë Speciale që të arrestojë dhe akuzojë UÇK–në për vrasjen e 17 gazetarëve serbë dhe shqiptarë , një numër të të cilëve i ka ekzekutuar vet Serbia.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prishtinë kërkon hetime të shpejta në mënyrë që keqbërësit e mundshëm të dalin para drejtësisë. Deri atëherë KMDLNj kërkon të mos paragjykohet rasti , që të mos adresohet përgjegjësia pa përfunduar hetimet sepse vetëm pas përfundimit të hetimeve dhe procedimit të provave mund dhe do të caktohet përgjegjësia për ata që e bënë këtë akt të shëmtuar apo të atyre që qëndrojnë para këtij akti neveritës dhe të dënueshëm. Të gjithë duhet të distancohen nga ky dhe akte të ngjashme të shëmtuara që për qëllim e kanë destabilizimin e situatës sikur edhe përkeqësimin e marrëdhënieve ndëretnike .

Policia e Kosovës, hetuesia, prokuroria dhe gjykatat janë adresa të vetme të caktimit të përgjegjësisë penale kurse çdo manipulim për përfitime politike duhet të refuzohet dhe botërisht të denoncohet. Çdo popull i ka vlerat e veta, morale, shpirtërore dhe materiale dhe, si të tilla duhet të respektohen deri në atë masë kur nuk i fyejnë apo mohojnë vlerat e të tjerëve. Me krimet e pretenduara të luftës duhet të merret drejtësia dhe jo politika, siç po ndodhë tani.

Qytetarët e Kosovës të përkatësisë etnike serbe janë shtetas të Kosovës dhe ata duhet të respektojnë ligjet e Kosovës dhe, në rast se ndaj tyre bëhet padrejtësi, duhet të mbrohen nga ligjet e Kosovës sikur edhe gjithë qytetarët tjerë, pa bërë dallim në baza etnike, përkatësive fetare, bindjeve politike apo statusit në shoqëri.

BURIMI: Epoka e Re

KOMENTE