Reagim i QKMF-se ndaj akuzave të PDK-së për “spastrime politike”
/2L ONLINE/ – “Përmes kësaj shkrese dëshirojmë të njoftojmë opinionin publik lidhur me zhvillimet në QKMF dhe me të pavërtetat që janë paraqitur në Opinion”, thuhet në reagimin e qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare pas akuzave të PDK-së se aty po bëhet spastrim politik.
Përndryshe, Sahit Abazi, shefi grupit të Këshilltarëve të PDK-së e kishte ngrit këtë çështje në seancën e fundit të Kuvendit Komunal të Gjilanit ndërkohë që kishte reaguar edhe Izmi Zeka, nënkryetar i Degës së PDK-së në Gjilan, për ]ka ka raportuar Portali 2L ONLINE. Këto shkrime po i japim për lexuesit më poshtë, ndërsa keni pastaj edhe reagimin e plotë të bërë nga QKMF-ja e Gjilanit, përkatësisht nga Fejzulla Berisha, drejtor.
Ja shkrimet:
Abazi: Kryetar, ndalni spastrimet politike në shëndetësi!
Zeka: Qeverisja e Gjilanit rrënuese e demokracisë
Ja reagim i iplotë i QKMF-së
“Nuk është në natyrën dhe filozofinë e LDK-së, eliminimi, spastrimi politik dhe lënia jashtë e ekspertëve, por kurrsesi nuk do të lejohet: neglizhenca, papërgjegjësia, përformanca e dobët, dhe çdo lloj pengese e cila ka për qëllim mos – implementimin e konceptit të Mjekësisë Familjare.
Rezultatet e arritura nga ardhja e Menaxherit aktual janë më se evidente dhe po i përmendim disa prej tyre për publikun e gjerë: renovimi I QKMF-së dhe pesë QMF-ve (të cilat nuk janë renovuar që nga viti 2006), pajisja me aparaturë për laborator dhe karrikë stomatologjike, set personal për çdo mjek familjar (Otoskop, tensiometër, llampa për ekzaminim të fytit – për herë të parë), pajisja me aparaturë të nevojshme për të gjitha QMF dhe AMF (EKG, Oksigjen, Inhalator etj), pajisja me Uniformë për të gjithë punëtorët shëndetësor, furnizim dukshëm më i mire me barna dhe material tjetër shëndetësor dhe krijimi i kushteve optimale për punën e profesionistëve shëndetësor. Të gjitha këto janë arritur me buxhetin aktual i cili është i njëjtë me atë të udhëheqjes së mëparshme.
Synimi i QKMF – së, është rritja e efikasitetit të punonjësve shëndetësorë, respektimi i orarit të punës, ofrimi i shpejtë dhe adekuat i shërbimeve shëndetësore, zgjerimi i gamës së shërbimeve që ofrojmë, shërbimet parandaluese, diagnostifikimi më i shpejt dhe korrekt etj, krejt kjo me qëllim të ngritjes së cilësisë së shërbimeve shëndetësore për një popullatë më të shëndoshë.
Ulja në pozitë e Shefave të përmendur është bërë pas gati dy vitesh edhe atë pikërisht që ky veprim të mos marr konotacion politik, por dëshira, vullneti dhe motivi për ti lëvizur gjërat përpara kërkojnë energji të reja dhe njerëz të përkushtuar për të ecur tutje. Nëse “presioni” që pretendon kryeshefi se po i bëhet, ka kuptimin e kërkesës për efikasitet, rezultate më të mira në punë, koordinim më të mirë në mes shërbimeve, jo favorizime të punonjësve, hapa konkret në drejtim të implementimit të konceptit të Mjekësisë Familjare, performancë më të lartë atëherë, po ky është presion. Pozita e Kryeshefit nënkupton koordinimin e punës jo vetëm menaxheriale por edhe asaj klinike në QKMF dhe pjesët përbërëse të saj dhe kjo kërkon një angazhim, vullnet dhe dije të shtuar dhe jo secili është në gjendje ta përballoj këtë.
Politizimin e QKMF-së, e ka bërë PDK në kohën e marrjes së pushtetit në vitin 2007, ku brenda disa muajve kanë shkarkuar Drejtorin, zv. Drejtorin, Kryeshefin, Kryeinfermieren dhe Shefin e Ndihmës së Shpejtë, dhe nuk janë ndalur me kaq, por prej 21 pozitave menaxheriale në QKMF, 17 janë emëruar nga radhët e PDK-se, 2 të LDK-se dhe 2 të papërcaktuar politikisht.
Dhe si përfundim shtrohet pyetja si është e mundur që 90 % e pozitave menaxheriale të jenë nga njerëzit e PDK – së. Ky nuk qenka politizim?! Lexuesit le ta vlerësojnë vetë!..
Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare, Gjilan
Fejzulla Berisha, drejtor.
