DYLON

Reagim i këshilltarëve komunalë të LDK-së: Gjilani nuk është çiflig i askujt, është i qytetarëve!

Reagim i këshilltarëve komunalë të LDK-së: Gjilani nuk është çiflig i askujt, është i qytetarëve!
Avatar photo Redaksia

Lidhur me projektin e Bulevardit të Qytetit, që për qeverisjen e Gjilanit është një megaprojekt,  për opozitën ky projekt nuk figuron as në planin urbanistik dhe as në planin zhvillimor të qytetit, çka e bën edhe më të papranueshëm mënyrën se si po tentohet të realizohet.

Këshilltarët komunalë të LDK-së në Gjilan kanë reaguar duke thënë se pa informim publik, pa konsultime me qytetarët, pa debat profesional dhe pa asnjë dëgjim publik, po tentohet të shtyhet përpara një projekt milionësh që prek drejtpërdrejt arterien kryesore të qytetit.

EkoHigjiena

Ky grup politik në Kuvendin Komunal që është opozitar, vlerëson se Bulevardi Ibrahim Rugova, si një nga segmentet më të rëndësishme të Gjilanit, po ngarkohet dhe po bllokohet edhe më shumë, në një kohë kur mungojnë analizat serioze për qarkullimin, zhvillimin urban dhe interesin publik.

Për këshilltarët e LDK-së, ky projekt nuk figuron as në planin urbanistik dhe as në planin zhvillimor të qytetit, çka e bën edhe më të papranueshëm mënyrën se si po tentohet të realizohet.

Në LDK thonë se përderisa autostrada nuk u vazhdua, stadiumi nuk u përfundua, rrugët kryesore mbetën pezull, kolektorët dhe impianti i ujërave të zeza nuk po realizohen, pushteti komunal po merret me projekte për të cilat mungon transparenca dhe llogaridhënia, e për të cilat prokuroria duhet të veprojë menjëherë.

“Qytetarët kanë të drejtë të dinë: kush vendosi, mbi çfarë baze, dhe pse po ndërhyhet në arterien kryesore të qytetit pa plan të miratuar dhe pa konsensus publik?! Gjilani nuk është çiflig i askujt. Gjilani është i qytetarëve”, thuhet në një reagim të Këshilltarëve Komunalë të LDK-së në Gjilan.  /2LONLINE/