DYLON

Reagim i KE të FFK-së rreth rastit të futbollistit Ilija Iviq

Reagim i KE të FFK-së rreth rastit të futbollistit Ilija Iviq
Avatar photo Redaksia

Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës është tronditur sot me lajmin e mësuar nga drejtuesit e KF “Flamurtari”, se prindërit e futbollistit të ri të këtij klubi, Ilija Iviq, janë përjashtuar nga puna (nëna si shërbyese civile në Komunën e Graçanicës, e babai si punëtor arsimi) për shkak se djali i tyre ka pranuar të luajë për Kombëtaren U19 të Kosovës.

KE i FFK-së e dënon ashpër këtë akt qyqar të ndërmarrë nga drejtues të institucioneve që funksionojnë brenda sistemit të Republikës së Kosovës, por edhe të atyre të sistemit paralel serb, e që për qëllim kanë futjen e frikës tek bashkëqytetarët tanë serb, të cilët e shohin Kosovën si vendin e tyre dhe që duan të kontribuojnë në zhvillimin dhe ngritjen e saj edhe në futboll.

Është për keqardhje se si presioni i institucioneve të Serbisë është aq i shtrirë tek komuniteti serb që jeton në Kosovë, sa që nuk lejojnë që një futbollist i talentuar ta zhvillojë karrierën e tij ashtu siç dëshiron. Kjo dëshmon se sa e vrazhdë është politika serbe ndaj bashkëkombasve të tyre që jetojnë në Republikën e Kosovës dhe që duan që të ardhmen e tyre ta ndërtojnë në paqe dhe në harmoni me bashkëqytetarët e tjerë në Kosovë.

EkoHigjiena

Federata e Futbollit e Kosovës vazhdimisht ka qenë e hapur dhe është përpjekur t’u japë hapësirë të gjithë talenteve të futbollit, pa marrë parasysh se cilit komunitet i takojnë. Edhe në rastin e talentit Iviq, ne e kemi përkrahur fuqishëm vendimin e përzgjedhësit të Kombëtares U19, Ramiz Krasniqi, që ta ketë në dispozicion këtë futbollist dhe e kemi inkurajuar atë që t’i japë hapësirë të gjithë lojtarëve që e meritojnë të veshin fanellën e Kombëtares tonë.

FFK asnjëherë nuk i shikon futbollistët në baza kombësie, racore, përkatësie etnike apo fetare, por gjithmonë do të jetë e përkushtuar që t’i ftojë në kombëtaret e saj zinxhir futbollistët më meritorë.

Me këtë rast kërkojmë nga institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare, por edhe nga UEFA e FIFA që të reagojnë fuqishëm në parandalimin e dukurive të tilla diskriminuese që vijnë në vazhdimësi nga shteti serb. Kjo është ndërhyrje e pastër e politikës në sport dhe duhet të dënohet nga të gjithë.

Federata e Futbollit e Kosovës do të bëjë çmos që edhe në të ardhmen të gjithë të rinjve, pa marrë parasysh përkatësinë etnike t’ju mundësojë hapësira për zhvillimin dhe shfaqjen e talentit në të gjitha trevat ku ata jetojnë, por edhe në ekipet kombëtare.

Me respekt
Komiteti Ekzekutiv
Agim Ademi, president

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.