/2L ONLINE/ – Seanca e parë për këtë vit e Kuvendit Komunal të Gjilanit është paraparë të mbahet me 28 janar. Se a do të jetë prezentë në këtë seancë edhe këshilltarin Srgjan Mitroviq, i përjashtuar nga seanca e fundit, mbetet të shihet. Ai ishte përjashtuar për shkak të emërimit të tij në strukturat paralele të Serbisë dhe refuzimit që të deklarohet nëse i njeh institucionet dhe ligjet e Kosovës, sipas të cilave ai është zgjedhur anëtar i Kuvendit Komunal.
Këtij vendimi të Kuvendit i kishte paraprirë një debat i gjerë i anëtarëve të Kuvendit, ku ishin përfshirë Sahit Abazi (PDK), Selami Xhemajli (AAK), Nevzat isufi (VV), Bujar Nevzati (PDK), Bajram Hasani (Nisma), Riad Rashiti (PDK), Fehmi Sylejmani (VV), Arben Mehmeti (LDK), Avdyl Aliu (LDK), Valentina Bunjaku (kryesuese-LDK) dhe të tjerë, të cilët kishin thënë se Mitroviq nuk mund të jetë edhe në institucionet e Kosovës, edhe në strukturat paralele të Serbisë, të cilat e pengojnë integrimin e komunitetit serb dhe punojnë kundër interesave të Kosovës.
Sahit Abazi shef i Grupit të Këshilltarëve të PDK-së në asamblenë komunale të Gjilanit kishte thënë për Portalin 2L ONLINE, se fakti që Srgjani është këshilltar komunal në Gjilan dhe në të njëjtën kohë është “Kryetar i Gjilanit” është provokim i rendë, jo nga Sergjani, por nga Serbia karshi Kosovës. Është provokim mbi shtetësinë e Kosovës siç ka provokime të tilla edhe në zonat tjera të Kosovës. Ai në emër të PDK-së kishte ftuar kryetarin e komunës dhe kryesuesen ta shkarkojnë Srgjan Mitroviqin dhe t’u tregohet që nuk lejojmë cenimin e institucioneve tona.
Për më tepër shih shkrimin: Sergjani nuk mundet me luajt në dy ekipe përnjëherë
Dhe Abazi i PDK-së, në prag të seancës së parë për këtë vit që është caktuar të mbahet me 28 janar, thotë se subjekti i tij nuk ka ndërruar qëndrim dhe se do të jetë i njëjtë me të seancës së fundit, ku ishte bërë trysni, o të largohej nga seanca Mitroviq, o do të largoheshin anëtarët e kuvendit nga radhët PDK-së.
“Nuk mund të jemi bashkë me njerëzit që shkelin qëllimshëm mbi institucionet e shtetit të Kosovës. “Institucionet paralele serbe” deri me tani janë edhe zyrtarisht penguesi më i madhi i integrimit të komunitet serb në institucionet e shtetit të Republikës së Kosovës”, shprehet Sahit Abazi për Portalin 2L ONLINE.
Ai shtoi se subjekti i tij PDK-ja, i konsideron të dëmshme përpjekjet që të minimizohen demet nga këto institucione paralele. /2L ONLINE/