/2L ONLINE/ – Drejtori i Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, Sadudin Berisha, ka thënë se ka pranuar rreth 6 mijë kërkesa nga qytetarët, ndërsa prej tyre janë kryer mbi 5 mijë e 800 lëndë. Pos tjerash, sipas Berishës, ky dikaster i rëndësishëm ka kryer edhe punë të shumta sipas detyrës zyrtare, ndërsa një lajm i mirë është se rastet e uzurpimeve këtë vit janë minimale dhe të gjitha janë tashmë kanë vendimet për procedurat administrative.
Drejtori i Kadastrit ka thënë se ky resor sipas detyrës zyrtare ka lëshuar mbi 15 mijë cërtifikata, duke përfshirë ato të pronësisë, të gjendjes ekonomike, kopjeve të planit etj., por edhe punë dhe angazhime të shumta e që qytetari ka kërkuar zgjidhje zyrtare të kërkesave, lëndëve apo procedurave të ndryshme syrtare.
“Në këtë periudhë kohore janë lëshuar afro 10 mijë certifikata të pronësisë, rreth dy mijë certifikata të gjendjes ekonomike, mbi 2 mijë kopje të planeve, gjithashtu është bërë edhe përcaktimi i kufijve për t’u hapur rrugë projekteve të shumta të Gjilanit në infrastrukturë publike që nga shtretërit e lumenjëve, rrugëve, por edhe projekteve që parashohin ndërtimin e çerdheve, shkollave, institucioneve shëndetësore, por edhe sociale. Angazhim në matje është bërë edhe në parcelimin e ngastrave për vendosjen e trafove elektrike, e me theks të vaçantë matjeve të bëra në rrugët Gjilan – Prishtinë, pastaj Kompleksit të Dëshmorëve, si dhe nga ky dikaster janë ofruar informata të ndryshme edhe për institucionin e Policisë së Kosovës, Gjykatave nga nivele të ndryshme, institucioneve lokale dhe atyre qendrore në përgjithësi”, ka thënë Berisha, derisa numëronte punët e kryera dhe angazhimet e stafit të kësaj drejtorie.
I pari i Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në Gjilan ka nënvizuar se kërkesa për mbi 22 mijë metra katror është dërguar në AKP për largimin e tyre nga procedurat e privatizimit, hapësira këto të ish-Ndërmarrjeve Shoqërore, me qëllimin e vetëm që të ruhet interesi publik para së gjithash, sepse tashmë aty janë të ndërtuara objekte dhe hapësira të ndryshme shëndetësore, arsimore, rekreative, sportive, kulturore etj.
Po ashtu, drejtori Berisha ka bërë thirrje tek të gjithë qytetarët, që të aplikojnë në Drejtorinë e Gjeodezisë, për rregullimin e marrëdhënieve pronësore – juridike, por njëkohësisht ka apeluar që bashkërisht ta ruajmë pronën publike nga uzurpimet, por siç ka thënë ai, kjo bëhet me denoncim të rasteve në këtë Drejtori, duke garantuar që KGJKP, merr hapat e menjëhershëm në rikthimin e saj faktik për publikun. /2L ONLINE/