/2L ONLINE/ – Krejt Kosova e di që “Politika e kontrollon Prokurorinë” dhe jo vetëm, sepse deri te Gjykata Kushtetuese, politika i ka duart e saja të futura thellë brenda tërë sistemit të drejtësisë në Kosovë. E di po ashtu se “Politika dhe Prokuroria e kontrollojnë njëra-tjetrën” ose edhe pak ma ndryshe, se “Prokuroria dhe Gjykatat bëjnë biznes me pasurinë dhe shtetin e Kosovës”. Kështu është shprehur Riad Rashiti, anëtar i Kuvendit Komunal nga radhët e PDK-së, për të parashtruar pyetjen se: ku është sot drejtësia në Kosovës?!
Rashiti ka thënë se të gjitha hulumtimet e bëra, të gjithë qytetarët e Kosovës edhe e tërë Bashkësia Ndërkombëtare e shohin sistemin e drejtësisë, si institucionet më të korruptuara në Kosovë. Dhe pengesa e vetme e Kosovës për liberalizimin e vizave dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve nëpër Evropë, mbetet luftimi i korrupsionit, të cilin do të duhej ta bënin këto institucione, në veçanti ai i Prokurorisë.
Sipas tij, jo vetëm në Kosovë, por në tërë Ballkanin kemi një gjendje të tillë, por vetëm në Shqipëri ka filluar shpresa për vendosjen e rendit dhe ligjit. Ku pas miratimit të reformës në drejtësi nga Kuvendi i Shqipërisë, brenda një kohe shumë të shkurtër, dhanë dorëheqje mbi 100 prokurorë dhe gjykatës, të cilët e shfrytëzuan mundësinë e ligjit të ri, që nuk do të hetohen për të kaluarën dhe pasurimin e miliona eurove ata prokurorë dhe gjykatës të cilët vullnetarisht japin dorëheqje nga pozitat e tyre.
Lexo edhe: Maloku: Ka mbaruar koha kur politika ka kontrolluar prokurorinë
Çka nëse ndodhë edhe në Kosovë, reforma e vërtet në drejtësi?
Rashti i PDK-së ka thënë se shumica e hetuesve, zyrtarëve policor, prokurorëve, gjykatësve sigurisht do të vepronin njësojë sikur në Shqipëri, do të dorëhiqeshin nga pozitat e tyre vetëm që të shpëtonin fytyrën nga padrejtësitë e mëdha që ia kanë bërë qytetarëve të Kosovës, vendimet e dëmshme, korrupsioni, keqpërdorimet dhe pasurimi i shpejt dhe i lartë që ata e kanë bërë në emër të drejtësisë që nga pas lufta në Kosovë.
“Duke u ndërlidhur me deklaratën e Prokurorisë së Gjilanit paraqitur para opinionit, duket qartë qasja tendencioze dhe joserioze e këtij institucioni, që ka ndaj qytetarëve të cilët kanë guximin të përballen me punën dhe vendimet e institucioneve të drejtësisë, dhe mohimi në këtë deklaratë të tyre se politika nuk ka ndikim në punën e tyre, është më shumë se sa qesharake. Deklarata e Prokurorisë Themelore në Gjilan, do të duhej të titullohej pak ma ndryshe, e jo “Ka mbaruar koha kur politika ka kontrolluar Prokurorinë”, sepse edhe “budallenjtë” e dinë fare mirë se nuk është ashtu. Të gjithë ne e dimë mirë se si “Politika dhe Prokuroria e kontrollojnë njëra-tjetrën” ose edhe kështu “Prokuroria dhe Gjykatat bëjnë biznes me pasurinë e Kosovës”, ose edhe “Mafia e Kosovës e kontrollon sistemin e drejtësisë në Kosovë” ka thënë Rashiti i PDK-së.
Sipas tij, vlerësimi i Prokurorisë Themelore se paska ndërhyrje në punën e tyre të pavarur, përmes deklaratave tona (dhe timin personal) publike dhe paskemi shkaktuar shqetësim dhe indinjatë te qytetarët e kësaj ane, është një “Marrëzi” e llojit të vetë. Sipas tyre ne qenkemi ata që e paskemi njollos punën e mbarë, profesionale e të paanshme të drejtësisë në Gjilan.
“A nuk është sipas jush shqetësim dhe njollosje që po ua bëni personave dhe familjarëve të tyre, duke luajtur me vendim tuaja duke ngritur aktakuza politike, duke bërë arrestime politike e pastaj duke i liruar në mungesë të fakteve, ndërsa ndaj të korruptuarve, shkelësve të ligjit dhe kriminelëve, nuk veproni njësoj, sepse edhe nëse bëni hetime, ngritni aktakuza, ju nuk guxoni ti arrestoni, por thoni hetimet vazhdojnë, vitet shkojnë, e krimi nuk ndalet. Ju si institucion i drejtësisë, keni lejuar me vite dhe po lejoni ende të ndodhë krimi urbanistik, korrupsioni dhe shkeljet ligjore, ju nuk keni vepruar njësoj ndaj tyre duke i arrestuar. Jo, sepse ka joshje të dyanshme politike, institucione komunale dhe hetuesi”, shprehet tutje Rashiti, për të shtuar me pyetjet: “Pse punën tuaj po e kryen Prokuroria Speciale e Kosovës, e ju jo? Pse ju mbyllni hetimet në mungesë të fakteve, apo ju nuk doni ti shihni ato, e ata në Prishtinë po i shohin dhe po e kryejnë detyrën dhe punën e vet, ndërsa ju refuzoni ta kryeni, pse?”
“ E në fund kërcënimi që del nga deklarata e Prokurorisë në Gjilan, ndaj nesh të cilët vazhdojmë të kritikojmë punën e tyre, për të ballafaquar me forcën e sundimit të ligjit, për mos përhapje të besimit ndaj institucioneve të drejtësisë, e tregon fytyrën e vërtet të këtij institucioni, që i ngjan sikur dikur kohës së sundimit serb në Kosovë, që do të na quanin “Irredentistët” dhe “Seperatistët” shqiptar, po përhapin propagandë kundër shtetit. Secili zyrtarë i lartë i shtetit, në këtë rast edhe të Prokurorisë Themelore në Gjilan, duhet ta kuptojnë njëherë e përgjithmonë, se ka kaluar koha e frikës, koha e kërcënimeve dhe shantazheve, ka kaluar koha e ndalimit të fjalës së lirë, ka kaluar koha kur ju e shihni veten tuaj të paprekshëm dhe ju mund të luani edhe më tutje me qytetarët shqiptar e “Kosovar” (sipas një kategorie)”, thotë Rashiti.
Gjithnjë sipas tij, së paku zyrtarët e lartë të sistemit të drejtësisë nuk mund të flasin për asnjë “punë hajrit”, për moral dhe drejtësi, ata të cilët me këmbë e duar janë bërë vegël e politikës në Kosovë. Nuk është edhe shumë larg koha, kur do të ketë llogaridhënie për secilin nga zyrtarët e lartë, përfshirë edhe të sistemit të drejtësisë.
“Qytetarët e Gjilanit i kanë parë moti kohë veprimet dhe vendimet politike të institucioneve të drejtësisë, por i shohin edhe anasjelltas ndikimet që i bëjnë zyrtarët e lartë të sistemit të drejtësisë përmes lidhjeve të ndryshme familjare, nëpër institucionet komunale dhe publike të Republikës së Kosovës. Fatmirësisht, që nuk janë të gjithë të tillë, në sistemin e drejtësisë në Kosovë ka edhe hetues policor të përgjegjshëm, ka prokurorë profesional dhe ka gjykatës ligjor. Por e keqja e madhe është se në krye të këtyre institucioneve janë individë të cilëve më së paku u intereson respektimi i ligjit dhe rendit kushtetues në Kosovë”, ka thënë tutje Riad Rashiti nga PDK-ja e Gjilanit.
Ai thot ëse të fortit janë përherë vetëm ata që nuk janë zhytur në krim dhe korrupsion, e të dobëtit janë ata që kanë frikë prej çdo gjëje e edhe prej shprehjes së lirë të qytetarëve dhe shoqërisë ku jeton. /2L ONLINE/