/2L ONLINE/ – Menaxhimi i investimeve dhe projekteve në komunën e Gjilanit është katandisur keq, nga papërgjegjësia intitucionale, mos angazhimi dhe joserioziteti i qeverisjes lokale, që për pasojë ka humbje të mëdha buxhetore dhe mos realizim të interesave të qytetarëve të Gjilanit, të cilët edhe kësaj here po dënohen ashpër nga kryetari i komunës Lutfi Haziri-Luta.
Kështu mendon Riad Rashiti, anëtar i KK nga radhët e PDK-së, sipas të cilit, edhe ky vit po rezulton me humbje serioze të disa miliona euro investimeve, bazuar në gjendjen faktike dhe të bazuar në realitetin e hidhur në të cilën gjendet qeverisja Haziri, e cili po tenton që përmes promovimit të asfaltimit të ndonjë rruge aty këtu që po bëhet, ti hedh hi syve të qytetarëve të Gjilanit, të cilat janë harruar plotësisht nga Luta, ndërsa në anën tjetër investimet po bëhen për interesa të ngushta personale politike që ka koalicioni LDK-AAK.
Rashti ka thënë se edhe ndarja buxhetore e granteve ministrore për këtë vit që i është bërë Gjilanit, nuk po mund të shfrytëzohen nga komuna për projektet e destinuara, krejt si pasojë e mos angazhimit të mjaftueshëm dhe problemeve të shumta që ka sot kjo qeverisje e dështuar në Gjilan.
Sipas tij, përderisa edhe grantet e donatorëve të huaj nuk po shpenzohen sipas planifikimit dhe kontratave të nënshkruara në mes tyre dhe komunës së Gjilanit, tregon më së mirë edhe faktin se asnjë investim i huaj për këto dy vite nuk ka ardhur në Gjilan si kontribut i komunës.
“Rastet e projekteve si ndërtimi i urës së Pograxhës që ka nisur në muajin tetor të vitit 2014 , e që ende është larg përfundimit edhe pse ka kaluar më shumë se një vit, thua se kemi të bëjmë me ndërtimin e ndonjë autostradë nacionale, tregon një qasje injoruese ndaj donatorëve të huaj dhe vendor, sikurse në këtë rast të cilën e kanë financuar këtë projekt të rëndësishëm”, ka thënë Rashiti.
Sipas tij, edhe mos përfundimi i projektit për ndërtimin e fushave sportive nëpër fshatra dhe qytet, të nisura nga pranvera e vitit të kaluar, tregon neglizhencën në menaxhimin e investimeve. Dhënia e tenderëve dhe kontraktimi i projekteve me kompanitë e preferuara të kësaj qeverisje për përfitime joligjore, janë arsye për këto vonesa të paarsyeshme. Aktualisht këto projekte është duke i realizuar kompania e tretë të cilës iu është dhënë ky tenderë, për të njejtat projekte. Dy kompanitë e para nga Gjilani janë dal prej procesit të këtyre projekteve, e ndoshta kompania e tretë nga Ferizaji do të dal më e mirë për qeverisjen komunale të Gjilanit.
Poashtu edhe mospërfundimi i ndërtimit të disa trotuareve dhe projekteve të tjera, të cilat janë financuara nga grantet dhe donatorë të ndryshëm nuk kanë përfunduar ende nga muaji maj i vitit 2014.
“Kjo qasje e dembelëve, po rrezikon edhe mos shpenzimin e buxhetit edhe ashtu të varfër që i është ndarë nga qeveria e Republikës së Kosovës, për këtë vit komunës së Gjilanit për asfaltimin e rrugëve të ndryshme në qytet dhe nëpër fshatra. Andaj dembelët nuk kanë mundur të përfitojnë asnjë projekt të rëndësishëm nga shteti i Gjermanisë, që ndau 25 milion euro investime nga to 13 milion euro për projektet në trajtimin e ujërave të zeza. E lumi Mirusha tek ne, do të vazhdojë ende gjatë të kundërmojë”, ka thënë tutje Riad Rashiti.
Sipas tij, kjo katandisje e kësaj qeverisje është e njejtë me qeverisjen e Lutfi Haziri të vitit 2000-2005, ku projektet e nisura që në atë kohë, ende sot janë të papërfunduara, si ajo e Sahat Kullës, që ka mbet sot e asaj dite simbol i dështimit të qeverisjes Haziri në atë kohë.
“Ndërsa sigurisht që deri në fund të këtij mandati, ky kryetar komune do të lë shumë më tepër simbole, që do të tregojnë dështimet e mëdha të një qeverisje të drejtuar nga Luta, i cili flet shumë, premton shumë, mashtron shumë dhe që në realitet nuk punon asgjë për qytetarët të cilëve u përulet vetëm kur të vjen koha për t’ia marr votat, e pastaj i harron për disa vite deri sa të vjen koha e faljes së namazit”, ka thënë në fund Riad Rashiti, anëtar i KK nga radhët e PDK-së. /2L ONLINE/