/2L ONLINE/ – Raporti tre mujor financiar janar-mars 2015 i drejtorisë për buxhet dhe financa, tregon se në komunën e Gjilanit vazhdon të rritet kriza buxhetore, si pasojë e mos efikasitetit në punë, keq menaxhimit dhe mos angazhimit nga ana e të gjitha institucioneve komunale.
Kështu thotë Riad Rashiti, anëtar i Kuvendit Komunal nga radhët e PDK-së dhe se sipas tij treguesit financiar sipas këtij raporti, thonë që ka rënie drastike të të hyrave vetanake krahasuar me planifikimin e buxhetit dhe me realizimin në vitet e kaluara, ka rritje të kostos në disa projekte dhe që kanë rritur nivelin e shpenzimeve për to, si dhe ka rënie poashtu drastike të nivelit të investimeve në projektet kapitale.
“Planifikimi buxhetor i të hyrave vetanake për vitin 2015 në komunën e Gjilanit është 3 milion e 859 mijë euro, ndërsa realizimi për këtë tremujor është vetëm 625 mijë euro apo 16.9%, apo 300 mijë euro më pak të realizuara në këtë periudhë. Me këtë nivel të të hyrave vetanake, komuna e Gjilanit pritet që gjatë këtij viti të realizoj të hyrat vetanake të planifikuara vetëm rreth 70%, apo 1.2 milion euro më pak se sa planifikimi”, thotë Rashiti.
Sipas tij, sektorët të cilët kanë dështuar plotësisht në realizimin e të hyrave vetanake janë Inspeksioni ku ka inkasuar vetëm 3 mijë euro apo vetëm 6.69% për këtë periudhë tre mujore, nga 45 mijë euro sa është planifikimi. Nëse e krahasojmë me vitin e kaluar ka rënie prej 122%.
Ai tha se të hyrat nga lejet e ndërtimit paashtu kanë shënuar rënie drastike, 85% më pak krahasuar me periudhën e njejtë të vitit të kaluar, nga 158 mijë euro në 85 mijë euro. Kjo është pasojë e shuarjes së drejtorisë së inpeksionit dhe sot komuna e Gjilanit nuk ka inspektor të ndërtimit, kjo flet për ndryshimet që janë bërë nga kjo qeverisje komunale.
“Kemi rënie edhe më të madhe te sektori i taksave nga bizneset, ku është realizuar vetëm 6.09% e planifikimit, pra janë realizuar vetëm 9,139 euro për tre mujorin e vitit 2015. Ndërsa në të njejtën periudhë të vitit 2013 janë realizuar 51,163 euro, pra tani ka rënie për rreth 460%. Rënie ka edhe te të hyrat nga tatimi në pronë, nga shëndetësia dhe në sektorët të tjerë”, thotë Rashiti.
Sipas tij, i vetmi sukses te të hyrat vetanake është rritja prej 100% e të hyrave nga gjobat në trafik, ku në vitin e kaluar kanë qenë 37 mijë euro, tani janë realizuar 70 mijë euro. Por edhe ky suksese nuk është si rezultat i punës së institucioneve komunale por i Policisë së Kosovës.
Ndërsa edhe niveli i shpenzimeve në total është i njejtë me vitet e kaluara, me disa ndryshime pozitive në disa kode dhe me disa elemente negative në disa të tjerë, por në përgjithësi është niveli i njejtë i shpenzimeve në komunën e Gjilanit.
“Si pasojë e dështimit të qeverisjes komunale në menaxhimin financiar, nga mos puna dhe papërgjegjësia institucionale, sot kemi rënie drastike edhe në investime të projekteve kapitale, sepse nuk kemi realizim të të hyrave vetanake. Në vitin e kaluar gjatë periudhës tre mujore janë investuar 577 mijë euro, ndërsa në këtë vit vetëm 287 mijë euro. Sikur të ishte realizuar planifikimi i të hyrave që kanë dështuar për 300 mijë euro, atëherë do të kishte edhe investime më të mëdha”, ka thënë Rashiti i PDK-së.
Ai tha se Komuna e Gjilanit po shkon drejt kolapsit financiar dhe qytetarët e Gjilanit nuk mund të presin asgjë më shumë se sa fjalë të mëdha nga kjo qeverisje komunale, arsyetime dhe premtime të mëdhaja për të ardhmen, ndërsa dështimet normalisht nuk do ti pranojnë asnjëherë. Por fakti që kjo qeverisje nuk është në gjendje as të mirëmbajë infrastrukturën ekzistuese që është investuar nga qeverisja e PDK-së për gjashtë vitet e kaluara, që tregon se gjendja do të vazhdojë e të rëndohet për çdo ditë e më tepër. /2L ONLINE/